KLSH denoncon 6 zyrtarë të komunave Udënisht dhe Remas

redaktor

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi dje në Prokurori 6 ish-zyrtarë të dy komunave Udënisht në Pogradec dhe Rremas në Lushnjë, për shpërdorim të detyrës me lejet e ndërtimit në zonën turistike dhe tenderët. Denoncimi vjen një ditë pas dosjes për 2 ish-drejtorët e ALUIZNI-t në Durrës dhe 5 përgjegjësit për legalizimet e 202 objekteve me shkelje në zona arkeologjike, bregdetare, hekurudhore apo mbi kanale kulluese.

Dosja e Udënishtit

KLSH njoftoi se ka paditur Nexhmi Dokollarin, ish-kryekomunarin e Udënishtit në Pogradec, ish-kreun e Këshillit dhe shefin e Urbanistikës, për lejet e paligjshme të ndërtimit, pa vendime KRT-je, në zonën turistike pranë liqenit të Pogradecit. Ish-zyrtarët e komunës Udënisht, akuzohen se kanë dhënë leje ndërtimore në prona shtetërore, si dhe në bregun liqenor, duke zbardhur vendime në emër të KRRT dhe të Këshillit të Komunës. Vendimet janë marrë pa i diskutuar në mbledhjet dhe pa i shënuar në protokollet përkatëse, si dhe kanë dhënë me qira një sipërfaqe toke prej 21,330 m2, në kundërshtim me ligjin dhe pa zhvilluar procedurat ligjore. Auditimi në Udënisht është bërë për periudhën janar 2011-shtator 2013, ndërsa u gjet me shkelje ish-kryekomunari Dokollari, kreu i Këshillit H. H., dhe kreu i Urbanistikës A. Sh., për veprën penale “shpërdorim detyre”. Kryekomunari akuzohet për 11 leje abuzive dhe kontratat e qirasë për tokën bujqësore. Gjithashtu u kërkuan masa disiplinore për 10 punonjës të komunës.

Dosja e Remasit
Ndërkohë sqarohet se tre zyrtarët e komunës Remas, kanë kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në prokurimet publike të Komunës, të cilat i kanë sjellë një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, në vlerën 14,8 milionë lekë të reja. Komuna është audituar për periudhën janar 2011-dhjetor 2013. Në fund të kontrollit u denoncuan në prokurorinë vendore Lushnjë N. Ç., Përgjegjës i Zyrës së Financës, F. K., Përgjegjës i Zyrës së Tatimeve dhe A. B., Përgjegjës i Zyrës së Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës, me akuzën “shpërdorim detyre”. Bëhet fjalë për veprime të paligjshme në 5 tenderë të zhvilluar, me dëm 10,9 milionë lekë, ndërsa me pasojat e moslikuidimit janë shkaktuar edhe 3,9 milionë lekë të tjera dëme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *