Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është vënë në “shënjestër” të hetimit të institucioneve shtetërore. Kjo erdhi si shkak i mos deklarimit të kompanive të karburantit që abuzojnë me furnizimin në pikat e karburantit me pakicë. Paralalelisht me Prokurorinë e Tiranës e cila ka nisur hetimin për këtë drejtori javën e kaluar, burime pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit bëjnë të ditur se ky institucion ka nisur auditimin e kësaj Drejtorie. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se auditimi që po bëhet nga KLSH për këtë Drejtori konsiston në faktin e “hetimit” financiar për mënyrën se si janë blerë pajisjet që masin kalibrimin e hidrokarbureve në pikat e karburantit, cilat janë kompanitë që janë bërë pjesë e tenderit për blerjen e ketyre pajisjeve etj.
Reagimi i Biznesit për hetimin e karburanteve
Konfindustria ka mbeshtetur nismën e organit qëndror të akuzës për fillimin e hetimeve në lidhje me problematikën e vazhdueshme të tregut të karburantëve në vend. Në njoftimin e djeshëm për mediat kjo shoqatë e biznesit bën të qartë se “sa më shumë rritet rëndësia e nismës së sipërpërmendur e prokurorise kur në mënyrë të pakuptueshme institucionet respektive të sektorit nuk veprojnë për publikimin e emrave të abuzuesve me sasinë e karburantit”. Sipas Konfindustrisë publikimi i emrave të abuzuesve është e nevojshme edhe për vetë operatorët e ndershëm të sektorit, që në mënyrë të padrejtë mund të ndëshkohen nga konsumatorët. Konfindustria vlerëson, se ndërmarrja e nje nismë të tillë është e nevojshme duke marrë parasysh, se kemi të bëjmë me tregun më të madh në vend me një xhiro vjetore të llogaritur afër 1 miliard euro duke përfaqësuar mbi 10 për qind të PPB të vendit, që nënkupton, se abuzimet mund të arrijnë në vlera absolute prej dhjetëra miliona euro/vit. Konfindustria thekson, se problem mjaft shqetësues në dëm të biznesit, qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë kombëtare në përgjithësi përveç abuzimit me peshën paraqet mbi te gjitha cilësia jashtë standartit e karburanteve në vend. Sipas të dhënave të para disa kohëve nga Inspektoriati Qëndror Teknik/ISQ mbi 30 mijë ton karburante/vit janë jashtë standardeve të lejuara.
DPM nuk publikoi kompanitë abuzuese, Prokuroria nisi hetimin
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM) sërish javën që lamë pas nuk publikoi emrat e kompanive abuzuese në fushën e tregtimit me pakicë të karburanteve. Drejtoresha e këtij institucioni, Kozeta Mesiti, në një dalje për mediat, është justifikuar sërish me faktin se, publikimi i të dhënave të subjekteve bie ndesh me nenin 5 të funksionimit të DPM-së dhe cënon të drejtat tregtare të tyre. Sipas saj, të dhënat mund të bëhen publike vetëm me miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave të aktit normativ të përgatitur nga DPM për publikimin e të dhënave. Disa ditë më parë, gjatë kontrolleve rutinë të këtij institucioni, rezultoi se 133 subjekte vidhnin konsumatorët në sasi duke modifikuar matësit. Kontrollet ishin të përqendruara kryesisht në Kryeqytet, ndaj hamendësimet për vjedhje më të mëdha në zonat rurale të vendit janë edhe më të besueshme, pasi ka mungesë informacioni për kontrolle të kryera. Ndërsa një ditë më parë, zv/ministri i ekonomisë në ikje, deklaroi nëpërmjet fjalësh se, emrat e kompanive që vjedhin konsumatorin duhet të publikohen për të garantuar mbrojtjen e tij. Po kështu në ditën që drejtoresha e institucionit foli për mos kallëzim emrash të abuzuesve, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë të vërë në dispozicion emrat e kompanive që abuzojnë me karburantin pasi pritet të nisë hetimet. Gjithashtu, hetimi pritet të zgjerohet edhe ndaj këtij institucioni për shkak të moskallëzimit të krimit.
Metrologjia, deklaroi abuzim, por jo emra
Ishte mesi i muajit që lamë pas kur Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë ndërmarrë një fushatë për ndërgjegjësimin e konsumatorëve për të denoncuar abuzimet në dhënësit e sasisë të karburanti. Për këtë sipas kësaj drejtorie, ajo ndërmori kontrolle dhe masa me karakter parandalues/ ndëshkues, duke miratuar dhe verifikuar instrumentet matëse dhe duke sanksionuar me gjobë abuzuesit. Por, kjo drejtori nuk bëri të ditura gjobat e vendosura, por as emrat e kompanive. Sipas kësaj drejtorie verifikimi periodik i instrumenteve matëse gjatë përdorimit siguron saktësinë e instrumentit matës gjatë kohës qe ai është në përdorim. Në këtë mënyrë, instrumentet matës që janë lejuar të hidhen në treg dhe të vihen në përdorim dhe që i janë nënshtruar verifikimit periodik nga punonjësit e DPM-së konsiderohen që përmbushin kërkesat teknike metrologjike ligjore (pra janë të saktë). Me qëllim që konsumatori të dallojë lehtësisht që një instrument matës është kontrolluar nga DPM dhe është i saktë, punonjësit që kryejnë këtë shërbim vendosin në ç’do instrument matës të kontrolluar shenjën përkatëse të verifikimit. Çdo instrument matës që nuk përmban këtë shenjë nuk është i saktë dhe konsiderohet abuziv dhe kundravajtës ndaj ligjit për Metrologjinë. Ky konstatim është i vlefshëm edhe për instrumentet matës që përdoren në tregtinë e karburanteve dhe konsumatori është i lutur që të mos furnizohet në pikat e tregtimit të karburanteve që përdorin instrumente matëse të pa kontrolluar nga DPM, pra që nuk kanë të vendosur në vend te dukshëm shenjën e verifikimit ligjor. Me anë të këtyre kontrolleve metrologjia synon të luftohen abuzimet në instrumentet matës ligjërisht të kontrolluar në vend-përdorim duke ulur ndjeshëm numrin e jo-konformiteteve në të gjitha fushat; të rritet numri i subjekteve tregtues të karburanteve që i janë nënshtruar kontrollit metrologjik të rritet numri i pistoletave të karburanteve të kontrolluara periodikisht; të zvogëlohet diapazoni i gabimit në dhënien e sasisë së lëngut në distributorët e karburantit, por asgjë më shumë, as pikat që abuzojnë, as kompanitë, as sasinë apo cilësinë që afrojnë kompanitë e hidrokarbureve.

Ne paragrafin e fundit duhet saktesuar dicka qe eshte me vlere, ato doreza qe japin gabim n.q.se plumbcja e regjistrusit nuk eshte prishur, pistoleta mbyllet me plumce dhe nuk lejohet te perdoret ne rastin kur eshte pishur plumcja eshte vjedhje e paster. E keqja eshte se te gjith inspektoret qe meren me kete pune jan sejmenet e N/drejtorit i cili eshte kapua se e ka ne gjak abuzimin