KLSH: Instituti i Sigurimeve 10 miliardë lekë dëm buxhetit për 2013-n

Dita

Pas një auditimi të kryer në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se Buxhetit të Shtetit i është shkaktuar një dëm rreth 10 miliardë lekë  ose 99 milionë dollarë si pasojë e kontributeve të pambledhura gjer në fund të vitit 2013.

Përmes një njoftimi për mediat, KLSH bën të ditur se për vitin 2013, ka pasur mosrealizim të të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga punëdhënësit për të punësuarit e tyre. Gjatë 2013-s për 9 muaj kanë qeverisur demokratët.

Sipas KLSH-së, për rastet e dublimeve të pensioneve, do të kontabilizohen dhe do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për shpërblimin e dëmit të konstatuar në shumën 12,849,768 lekë dhe të përfituar padrejtësisht nga përfituesit e skemës së pensioneve.

KLSH sqaron se për të shmangur defiçitin e madh të krijuar në skemën e sigurimeve shoqërore, është rekomanduar rritja e moshës për daljen në pension. “Për përmirësimin e punës në ISSH, KLSH ka rekomanduar 25 masa ndryshimi në legjislacion dhe masa organizative, si dhe katër masa shpërblim dëmi, ndër të cilat veçojmë: Përcaktimin e rregullave standarde për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar indeksim  vetëm me inflacionin deri në vitin 2020. Reformimin e skemave suplementare, duke rritur moshën e daljes në pension suplementar, si dhe duke përmirësuar formulën e llogaritjes,  duke u bazuar në pagën neto dhe jo atë bruto”, thuhet në njoftim. /E.K

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *