Kallëzimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për dëmin 10 milionë lekë pasi kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 14 subjekte, në zonën e përcaktuar në hartën e UNESKOS për qytetin e Gjirokastrës, në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe për objekte ende në procese gjyqësore. Po ashtu, i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 10,939,624 lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit më datë 19.08.2015, ka audituar ALUIZNI-n Gjirokastër për periudhën janar 2013 – tetor 2015. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe çertifikimin e objektit informal (leje legalizimi).
2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 4 raste, objektet informale janë pozicionuar brenda zonës së lirë (tampon), të përcaktuar sipas hartës së zonifikimit qytet-muze të Gjirokastrës.
Në 9 raste, objektet informale janë legalizuar në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,
Në 1 rast, nuk janë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore në legalizimin e objektit informal, duke legalizuar objektin informal, pronësia mbi të cilin ka qenë në proces gjyqësor të papërfunduar.
Në 11 praktika, tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur në zbatim të nenit 20, të ligjit nr. 9482 datë 03.04.2006 .
Në 142 praktika, KLSH ka konstatuar se për poseduesit e objekteve informale, të cilët janë pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastrukturë.
KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për Drejtorin TH.M., ish-Drejtorin D.M. të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Gjirokastër dhe për specialistët V.K., Q.L., L.B., N.XH., R,GJ. e B.T., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Ish-drejtori dhe dy ish-përgjegjës të ALUIZNI-t Elbasan janë paditur nga KLSH-ja ashtu si dhe 8 zyrtarë si ata në Gjirokastër për të njejtat shkelje.
KLSH tha se ata kKanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 17 objekte, në zona pranë liqenit të Belshit, pranë shtratit të lumit Shkumbin, në mbivendosje me pronat e tjera dhe në kushtet e konfliktit të interesit dhe i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 4,282,918 lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 130/1, datë 02.02.2016, ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Elbasan, për periudhën 2012- 2015.
Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Të meta e mangësi në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me ligjin.
2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në
-7 raste, në Bashkinë Belsh janë kryer legalizime të objekteve informale në kufirin mbrojtës të liqenit në pronën me status juridik të pasurisë “liqen”.
– 10 raste, në Bashkinë Elbasan dhe Librazhd, objektet informale të legalizuara nuk kanë ruajtur distancat e lejuara me shtratin e lumit Shkumbin dhe parcelat e legalizuara kanë mbivendosje me prona të tjera.
3. Në 16 praktika, llogaritja e vlerës së parcelës ndërtimore është bërë në referencë të VKM nr. 187, datë 06.03.2013 “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të RSH”, duke përcaktuar çmim/m2 sipas zonave kadastrale, veprim në kundërshtim me VKM nr. 1620, datë 26.11.2006 “Për miratimin e çmimit të trojeve që ndodhen në të gjithë Bashkitë dhe disa Komuna”, si dhe janë evidentuar praktika ku vlera e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur, duke i shkaktuar një dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në vlerën 4,282,918 lekë.
Për ish Drejtorin I.K., të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Elbasan dhe ish përgjegjësit e sektorëve V.H. e H.P., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
