KLSH: OST dëm ekonomik mbi 6.4 mln euro

redaktor

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas përfundimit të auditit në kompaninë shtetërore Operatori i Sistemit të Transmetimit Sh.a. (OST) për projektin “Ndërtimi i qendrës së re dispeçere dhe sistemi SKADA EMS”, ka mbërritur në përfundimin që ky projekt është 6 vite me vonesë dhe vlera e abuzimit shkon në mbi 6.4 milionë euro. Sipas raportit projekti është ende në proces zbatimi dhe nuk ka përfunduar, ndonëse është vonuar më shumë se 6 vjet.

Nga auditimi rezultoi se afati i disbursimit jo vetëm që nuk është plotësuar, por ka patur disa shtyrje për përmbushjen e këtij afati, ku gjithsej afati i disbursimeve është shtyrë me 54 muaj ose më shumë se 4 vite nga afati prej 36 muaj i përcaktuar në marrëveshjen e kredisë.

Në zbatimin në kontratë të zërit “Trajnime në fabrikën e XY, trajnime në Shqipëri dhe testimet e pajisjeve në fabrikë”, u konstatua se është likuiduar vlera prej 1,278,009 euro, e cila është e pa justifikuar me dokumentacionin që vërteton kryerjen e këtij shërbimi dhe përbën dëm ekonomik për OST Sh.a.

Mungojnë regjistrat e pjesëmarrjes në trajnime, relacionet e mbajtura pranë fabrikës së XY nga stafi i trajnuar, certifikatat e lëshuara sipas fushave përkatëse, kondra-biletat e udhëtimeve të kryera, dokumentacion i cili vërteton kryerjen e testimeve në fabrikë, listë-prezencat e pjesëmarrësve në trajnime si në fabrikën e XY në Itali por dhe në Shqipëri, etj.

Po kështu në zbatimin e zërit “Parts of telecommunication equipment” për nënstacionet përkatëse u konstatua se është likuiduar vlera 650,000 euro, e cila i përket pajisjeve të reja të komunikimit por në fakt këto pajisje janë të vjetra dhe të bëra upgrade.

Për kontratën me objekt “Ndërtimi i Nënstacionit të ri 400/220 kv Tirana 2 dhe zgjerimi i Nënstacionit ekzistues Elbasan 2”, shtesa e kontratës ka tejkaluar fondet e akorduara nga kredia e MC Centrale për projektin “Ristrukturimi dhe fuqizimi i sistemit elektrik Shqiptar për integrimin në sistemin e Ballkanit”, si dhe vlerën e fondit limit të përcaktuar në planin e kombinuar të prokurimit në shumën 1,086,666 euro.

Sipas raportit mungon dokumentacioni i cili vërteton kryerjen e punëve ose të shërbimeve, aktet e marrjes në dorëzim të pajisjeve të furnizuara dhe nuk ka dokument zyrtar që të vërtetojë se mallrat e prokuruara janë montuar dhe lënë në dispozicion të njësive operative të OST, si mallra në ngarkim të këtyre njësive, duke e bërë të pa mundur marrjen e masave dhe ndarjen e përgjegjësive në rast dëmtimi ose keq përdorimi.

Në total nga dokumentacioni i evidentuar rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të kompanisë “OST” Sh.a., pra dhe Buxhetit të Shtetit, arrin në vlerën 6,427,733 euro. Për të gjitha këto shkelje KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal për E.K, me detyrë ish-Drejtore e Njësisë së Zbatimit të Projektit në OST Sh.a. dhe F.D., në cilësinë e Mbikëqyrëses Kryesore të Punimeve, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *