Koçi Xoxe: Me miratimin e Enverit bëra arrestimin e pjesëtarëve të “Grupit të deputetëve”!

redaktor

(Vijon nga numri i kaluar)

Në seancën e 9 të gjyqit kundër tij e bashkëpunëtorëve, i pandehuri Koçi Xoxe pohon se “me miratimin e Enver Hoxhës bëra arrestimin e pjesëtarëve të “Grupit të deputetëve”, pjesa më e madhe e të cilëve më vonë u dënuan dhe ekzekutuan. Ndërkohë, i pandehuri tjetër Vaskë Koleci dëshmon për arrestimet dhe ekzekutimet në masë pa gjyq. “Me urdhër të Koçi Xoxes, bëmë arrestimin dhe ekzekutimin pa gjyq të 18 personave. Ndërsa Galip Hatibi, pas arrestimit u torturua për një kohë të gjatë. Për ekzekutimin e tij, u mor mendimi i Enver Hoxhës!” – pohon në këtë seancë Vaskë Koleci…

Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdojmë seancën e 9 me pyetjen e të pandehurit Nuri Huta…

Prokurori(Bedri Spahiu): -I pandehuri Nuri Huta, nuk ka rëndësi ka qenë apo s’ka qenë në atë mbrëmje agjenti Safet Filipoviçi, apo është ngatërruar me atasheun ushtarak. Pa na thuaj, çfarë lidhjesh ke pasur me Koçi Xoxen.

Nuri Huta(I pandehur): -Pas grindjes me Fadilin(Paçramin) në dhjetor të vitit 1946, më ka thirrur një herë Koçi Xoxe. Po ashtu, më ka thirrur dhe një herë tjetër për një proklamatë në lidhje me zgjedhjet e Frontit, si dhe një herë para se të vritej Nako Spiro për një fjalim në kinema. Kur më pyeti për grindjet me Fadilin unë i thashë se Fadili kishte thënë se “edhe Komandanti(Enver Hoxha) si Nako mendon”, por Koçi Xoxe më tha se Komandanti flet e mendon ashtu siç flet e mendon Partia.

Prokurori: -Po për deklaratën përshëndetëse në lidhje me Federatën Ballkanike, cili të autorizoi?

Nuri Huta: -Unë bëra një deklaratë përshëndetëse për Federatën Ballkanike, por nuk më kishte autorizuar kush për ta bërë këtë deklaratë…

Prokurori: -Sigurisht, ty të kishte autorizuar Gjergja… Po për sabotimet që bënin jugosllavët, të ka folur Nako?

Nuri Huta: -Nako Spiro më kishte folur për mosplotësimin e angazhimeve nga jugosllavët dhe kur m’i ka thënë ato, më duket se ka qenë nga qershori ose korriku i vitit 1947. Dhe mua më dukej si e çuditshme kjo që thoshte Nako.

Prokurori: -Nga e dije ti Plenumin Special?

Nuri Huta: -Plenumin Special e dija nga aktivi i Tiranës, ku ishte shtruar rezolucioni i këtij Plenumi.

Prokurori: -A u ke dhënë jugosllavëve ndonjë dokument nga arkiva e Agjit-Prop-it?

Nuri Huta: -Jugosllavëve nuk u kam dhënë ndonjë dokument nga arkiva e Agjit-Prop-it, por nga Drejtoria e Shtypit kur unë zëvendësoja shokun Misto Treska i kam dhënë disa trakte të kohës së luftës të ‘Ballit’ dhe të ‘Zërit të Popullit’ Çukoviqit, që i donte për një broshurë.

Prokurori: -Pas vetëvrasjes së shokut Nako Spiro, a ke shkuar në Jugosllavi?

Nuri Huta: -Në dhjetor të vitit 1947 vajta një herë në Beograd për çështje të revistës së Lidhjes Kulturale. Atje u takova vetëm me sekretarin dhe një anëtar të lidhjes dhe me asnjë njeri tjetër.

Prokurori: -Ke dhënë ndonjë deklaratë ti në lidhje me ndonjë oficer?

Nuri Huta: -Kam dhënë një deklaratë në lidhje me Qamil Lleshin, e cila më është kërkuar nga i pandehuri Vaskë Koleci. Ai kishte torturuar gjatë luftës, më kishte torturuar edhe mua. Se si përfundoi Qamil Lleshi nuk e di. Këtë deklaratë ma kishte kërkuar Lefter Kasneci, të cilin e kisha njoftuar unë mbi të kaluarën e Qamil Lleshit.

Prokurori: -Ç’ishte ajo parullë që përhape ti, se “Rruga për në Moskë kalon nga Beogradi”?

Nuri Huta: -Duke dashur të komentoja marrëdhëniet me Jugosllavinë, thosha se “Rruga për në Moskë kalon nga Beogradi”.

Prokurori: -Të kanë dhënë ndonjë orientim nga Beogradi në lidhje me parullën që përdorje ti “Rruga për në Moskë kalon nga Beogradi”?

Nuri Huta: -Asnjë orientim nuk më kanë dhënë jugosllavët. Parulla Tirana-Beograd, është hedhur me rastin e Traktatit të Aleancës me Jugosllavinë.

Prokurori: -Eksperiencën që fitove ti tek ‘Borba’ a e vure në zbatim në Komitetin e Agjit-Prop-it?

Nuri Huta: -Atë eksperiencë teknike që kam fituar, e kam vënë në zbatim.

Prokurori: -Çfarë di ti për një polemikë të gazetës ‘Borba’ me organin e Inform-Byrosë për çështjen e Frontit?

Nuri Huta: -Ishte botuar një artikull në organin e Inform-Byrosë në lidhje me çështjen e Frontit. Unë i thashë shokut Manush Myftiu se ky artikull është në kundërshtim me një fjalim të Titos. Pastaj në lidhje po me këtë kisha parë një polemikë në gazetën ‘Borba’ me organin e Inform-Byrosë. Manushi më pyeti se si e kuptoja unë këtë çështje. Ai më pyeste, se siç dukej, vetë e kishte kuptuar.

Koçi Xoxe: -Nuk është e vërtetë që ky të ketë qenë ndërlidhës i komiteteve Centrale. Unë për këtë kam thënë se ishte njeri i ekzaltuar.

(U këndua një deklaratë e Gjovalin Lukës, në të cilën përmendej për takimet që ka pas i pandehuri në Beograd me personalitetet jugosllave)

Prokurori: -Si i merrje ti ato që të thoshin jugosllavët për udhëheqësit tanë?

Nuri Huta: -Ato që thoshin jugosllavët për disa nga udhëheqësit tanë, i quaja si kritika dhe nuk u jepja shumë rëndësi.

Koçi Xoxe: -Plenumi i II-të nuk ka pasur rezolucion, por u përkthyen disa diskutime dhe që ju dhanë këtij (të pandehurit Nuri Huta) për t’i dërguar në Jugosllavi. Letra personale nga unë, ky nuk ka marrë. Nuk i kam dhënë asnjë mision këtij për ndërlidhje atje dhe ndërlidhjet në Beograd ky i ka zgjedhur vetë.

Prokurori: -I pandehuri Nuri Huta, a e njeh veten fajtor si pjesëtar i këtij grupi, siç përshkruhet në aktin e akuzës?

Nuri Huta: -Anëtar i këtij grupi nuk kam qenë. Kam bërë gabime, siç i realizoj sot.

Kryetari(Frederik Nosi): -A e pranon procesin tënd në hetuesi?

Nuri Huta: -Po, e pranoj procesin tim në hetuesi.

Prokurori: -A ke gjë për mbrojtje?

Nuri Huta: -Nuk kam dëshmitarë mbrojtës.

Koçi Xoxe: -Unë kërkoj të thirren dëshmitarët që kam kërkuar.

Kryetari: -(I drejtohet të pandehurit): Mund t’i përgjigjeni për ato çështje që foli Prokurori dhe që nuk u je përgjigjur.

Koçi Xoxe: -Për çështjen e ligjshmërisë kam pranuar dhe në hetuesi se kam bërë lëshime gjatë viteve 1945-1946. Por më vonë kemi lëshuar një urdhër të rreptë që të ndalohen torturat dhe këtë urdhër, e kemi lëshuar në tetor të vitit 1946. Po ashtu, në fund të shkurtit të vitit 1947, u përsërit ky urdhër duke u theksuar se kushdo që do të bënte torturë, do të vihej përpara përgjegjësisë. Vetëm për raste tepër specifike kur çështja ka rëndësi të madhe të përdoren dhe masa shtrëngimi. Nuk është e vërtetë t’i kem dhënë Vaskës sinjalin sepse qëllova me dy dacka atë ushtarin që kishte vrarë shoferin e Mehmet Shehut. Unë kam thënë për ata që rezistonin e nuk tregonin dhe për rastet të jashtëzakonshme që t’u jepej pak ushqim që ta ndjenin veten se ishin në burg. Mua përgjegjësia më e madhe për torturat më bie për mungesën e një kontrolli siç duhet të vartësve të mi. Për çështjen e ligjshmërisë kam bërë lëshime në vitet 1945 dhe 1946. Për përdorim torture, unë me çdo mënyrë i kam ndaluar. Aq e vërtetë është kjo sa që kur mësova se Vaska kishte goditur Shefqet Bejën, kemi dhënë urdhër pasi kisha marrë edhe pëlqimin e Komandantit (Enver Hoxhës), të ndalohen. Për Galip Hatibin, Vaska më tha se ishte katandisur në gjendjen mizerabël dhe kështu, edhe me vendim të Komandantit(Enver Hoxhës) u ekzekutua me një gjyq formal. Niko Çetës nuk është e vërtetë t’i kem thënë ashtu siç përmendet në deklaratën e tij vetëm se ishte çështja për një pasanik  të madh në Korçë dhe unë u thashë atyre shokëve se u vjen keq për një pasanik të tillë. Për arrestimet unë kam qenë kurdoherë për zvogëlimin e numrit të tyre që duheshin arrestuar. Dhe kur ishte rasti për të arrestuar 5 veta e lart, kam marrë mendimin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Prokurori: -Atëherë për arrestimin e 5 vetëve e më shumë, ti thua se duhej marrë leja e Sekretarit të Përgjithshëm. Po pse atëherë thua edhe për Galip Hatibin që ishte një i vetëm ke marrë aprovimin e  Komandantit(Enver Hoxhës)?

Koçi Xoxe: -Për Galip Hatibin, jo vetëm me pëlqimin e Sekretarit të Përgjithshëm(Enver Hoxhës) por edhe me vendim të Byrosë, sepse dihej që ai ishte agjent.

…Në Plenumin e 8, Kiço Ngjela ka thënë se Nako Spiro kishte thënë se gjuha ruse duhet të mësohet deri në Kukës. Për autokritikën e bërë në Kongres, unë kam pasur sugjerime dhe kam qenë nën presione morale. Për sa tha Pandi Kristo në lidhje me biografinë e Komandantit(Enver Hoxhës), ishte fjala për punën e një date dhe unë kam të drejtë për këtë…

…Dhe arrestimi i deputetëve është bërë me aprovim të Sekretarit të përgjithshëm (Enver Hoxhës). Propozimet për arrestime vinin nga poshtë, e jo vetëm që ka, por ato ishin nxitëse dhe ndihmësit e mi në qendër, e sidomos i pandehuri Vaskë Koleci ishin tepër entuziast. Dhe ky(i pandehuri Nuri Huta) insistonte për arrestimet. Ky ka qenë elaboruesi i të gjithë propozimeve, por natyrisht unë ja kam provuar.  Këtë nuk e them për të mbrojtur veten, por e them si një të vërtetë.

…Tek të burgosurit kam vajtur me Nestin dhe jo me ndonjë qëllim tjetër, për të parë nëse mund t’i vinim në një proces. Ashtu siç tha këtu para gjyqit Anthim Konomi, po janë të vërteta. Tek Salim Kokalari nuk vajta për të pyetur për udhëheqës. Mund të kem thënë se ai duhet të dijë për të mëdhenjtë, por do ta kenë menduar për Dali Ndreun ose Myslym Pezën, po as kurrë për udhëheqësit si Enver Hoxha, Bedri Spahiu ose ndokush tjetër. Dyshimi për Bedriun ishte në maj të vitit 1947 që u ngarkua Gogo në Byro që ta shihte.

Prokurori: -Po ju i pandehur Vaskë Koleci, çfarë keni për këtë?

Vaskë Koleci: -Për pushkatimet në Peshkopi, i pandehuri Koçi Xoxe ka dhënë urdhër aty për aty dhe i është shkruar menjëherë Nestit dhe u pushkatuan pa gjyq me këtë rast 10 ose 18 vetë… Nuk më kujtohet numri…

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Akuzat dhe fyerjet e prokurorit Bedri Spahiu për të pandehurin Koço Xoxe: I pandehuri Xoxe është tradhtar, tha se “vetëm po të jem bir kurve do flas e foli”, është palaço…

-Akuza kundër Koçi Xoxes në seancën e X-të(21.V.1949) për urdhërin e dhënë për hapjen e Kampeve të Përqendrimit për të burgosur ku kanë vdekur dhjetëra vetë. Xoxe: Dhashë urdhër për hapje kampesh(Në Maliq), por jo për tortura!

-Dëshminë e të pandehurit Nuri Huta: Jugosllavët më afruan dhurata, por nuk i mora. Më dhanë para(dollarë), ato i mora.

 

Share This Article
4 Comments
  • Kush guxonte te bente gje ne Shqiperi prej 1944 deri me 1984 pa urdhrin ose dienine e E. Hoxhes.Po ata te incidentit te Ambasades Sovjetike kush dha urdher t’i vrisnin pa gjyq. Ai qe ka dhene urdher atehere ka dhene urdher dhe me pare. Nqs Partia nuk e deshte Xoxen le ta perjashtonte nga radhet e saj por jo ta denonte komunistin e oreve te para me vdekje.

    • Vasil, duhet konstatuar një të vërtetë të madhe, se paskan pas mbetur mjaft bishta të atyre që po të dhemben shumë. Me siguri qenke njeri prej tyre!

  • Xoxe edhe sipas Krushovit ne kujtimet e tij,ishte agjent i Beogradit.Hrushovi thote se “UDB e krijoi KGB,dhe gjer pa u prishur me Stalinin jugosllavet,KGB kishte gjithe rrjetin agjenturor jugosllav ne Shqiperi kryesuar nga Koci Xoxe!Letra e Stalinit derguar Hoxhes,per Xoxen si agjent i Titos,e varrosi Xoxen!…Problemi shfaqet i qarte dhe ketu kush ishte Xoxe,eleminuar me të drejte nga stalinisti Hoxha;por ende me dokumenta nuk eshtë zbardhur,se kush e morì drejtimin agjenturor jugosllav ne Shqiperi…Milloshevic flet se ne Ballkan kishin 2000 agjente,shumica në Tirane,Shkoder dhe Kosove!…Ata edhe sot paguhen.Krushovi edhe ketu thote se “Hoxha,Mehmet Shehu dhe Balluku,ishin komuniste staliniste;ata perhere survejoheshin nga jugosllavet qe ne Tirane kishin rrjet të fuqishëm me veriore!…Po kush mund te ishte drejtuesi i rrjetit agjenturor,Beograd-Shkoder-Tirane,në krah të Hoxhes? Hrushovi nuk thote konkretisht asgje,por ai nuk e donte Ramiz Aline dhe ne mbledhjen per Murin e Berlinit,1961,nuk e pranoi.Edhe Alia nuk ikte nga salla!Mbledhja u prish. Cfare ka ditur per Aline Hrushovi që nuk e pranonte si perfaqsues të shqiptareve?Fakt eshtë se Beogradi ka zbatuar teorine,per te mos u larguar Kosova,se”Shqiperia duhet te jete 10 hapa mbrapa Kosoves,qe kosovaret kur tu kujtohet Shqiperia,tu kujtohet ferri.Ashpersim lufte klasash,interrnime,vrasje,burgime jane fakte te nje politike antikombetare ne Shqiperi.Dhe politiken e kish ne dore si “teoricien”ideologjik Ramiz Alia!Banda e Veriut,me ate drejtues mesiguri,shkaterroi edhe ekonomikisht Shqiperine duke larguar Kinen,sabotuar Gjermanine dhe krijuar vet Alia tufezat….Pasardhes i Alise ka njezet vjet qe ka shpallur luften civile në Shqiperi,ku shifrat e vrasjeve jane tragjikisht te larta….Banda e Veriut,i ka sjell krime te perfunduara Kombit,gjer ne sabotime te luftes clirimtare ne Kosove,por nuk arriti kurre ta frenoje fitoren!Xoxe do mbetet superagjenti jugosllav ne Shqiperi,ndersa duhen zbuluar e publikuar me dokumenta,ata qe e zevendesuan atë pas eleminimit me fakte agjenturore!….

  • jam dakort me komentin e Z PERBALLE ,krau serb PPSH I kryesuar nga ALIA e mori shqiperine ne qafe. klani veriorit ALIA ka dore ne eliminimin e jugoreve patriote KAPO,SHEHU,HAZBIU,sepse ALIA e dinte pas vdekjes se HOXHES keta do qeverisnin vendin.sot kryeagjenti beogradit SALI BERISHA ka 23vjet qe e mban ne lufte civile SHQIPERINE te cilit ju caktua posti krytarit te PD nga ALIA me urdher te UDB.BERISHA ishte dhe mbeti njeriu i besuar i serbeve dhe me grekerve shkaterimin vendit tone.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *