Ekskluzive / Gjyqi i Koçi Xoxes. Seanca e parë, 11 maj 1949. Si u rekrutua Xoxe nga Vukmanoviç Tempo, vizita e gjeneralit jugosllav në shtëpinë e Xoxes dhe pretendimi i të pandehurit për dëshmi nën terror.
Prokurori Bedri Spahiu: Nuk e kemi torturuar, s’e kemi djegur me hekur të skuqur, s’e kemi djegur në organet gjenitale, s’i kemi hequr ushqimin, s’i kemi hequr mish me pinca, siç bënte ai me të tjerët kur urdhëronte Ministrinë e Brendshme!
(Vijon nga numri i kaluar)
Hapet seanca e parë e gjyqit me leximin e proces-verbalit, procedurat e tjera prezantuese, leximin e akuzës, për të vazhduar me pyetjen e të pandehurve…
SEANCA E PARË, 11 MAJ 1949
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Regjistri themeltar
Nr. 19 i Vendimit
PROCES-VERBAL
Komisioni Hetimor i Posaçëm i solli për gjykim kësaj Gjykate të pandehurit e rreshtuar: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta, të akuzuar për faje kundër popullit dhe shtetit.
Kjo çështje, pasi u regjistrua nën Nr. 1 të radhorit themeltar të këtij viti, për ditë gjykimi u shënua data 11 maj 1949, ora 16:00 e pasdites.
Në ditën dhe orën e caktuar, trupi gjykues i Gjykatës së Lartë i Republikës, u formua prej:
-Kryetar: Frederik Nosi, Nënkryetar i Gjykatës së Lartë
-Anëtar: Niko Zoto, Anëtar i Gjykatës së Lartë
-Anëtar: Vasil Trimçev, Anëtar i Gjykatës së Lartë.
-Asistuar prej sekretarit Kozma Toçi si dhe stenografistit Hivzi Pojani.
Pasi qenë thirrur, u ndodhën prezent të 5 të pandehurit, të cilët, në radhë, deklaruan sa vijon:
1-Koçi Xoxe, i datëlindjes 1911, i martuar me 5 fëmijë, i dënuar në kohën e fashizmit me vdekje, ish-partizan, ish-teneqexhi dhe në fund, Nënkryeministër…. Gjeneral Leitnant… Arrestuar më datë 2 dhjetor 1948.
2-Pandi Kristo, i datëlindjes 1914, i martuar me një fëmijë, ish-këpucar dhe në fund Ministër pa Portofol, i dënuar dy herë në kohën e Zogut, ish-partizan, i arrestuar në datën 2 dhjetor 1948…
3-Vaskë Koleci, 26 vjeç, ish-student dhe në fund Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, arrestuar më 19 shkurt 1949.
4-Vango Mitrojorgji, vitlindja 1921, i martuar me një fëmijë, ish-shef Sektori në Drejtorinë e Sigurimit pranë Ministrisë së Brendshme, ish-partizan, i arrestuar në datën 19 shkurt 1949.
5-Nuri Huta: 28 vjeç, i martuar me një fëmijë, ish-student, në fund anëtar i Drejtorisë së Agjitacionit dhe Propagandës në Komitetin Central, arrestuar më 19 shkurt 1949.
Mbi këtë, Kryetari Frederik Nosi deklaroi të hapur seancën gjyqësore duke shpjeguar formimin e Këshillit Gjyqësor të Gjykatës së Lartë dhe ftoi të pandehurit të zgjedhin avokatët mbrojtës dhe për këtë qëllim pyetën të pandehurit me radhë:
I pandehuri Koçi Xoxe tha se nuk dua të kem avokat sepse do të mbrohem vetë. Mbi këtë, ju theksua nga ana e Kryetarit se konform ligjit duhet të asistohet në mbrojtje prej një përfaqësuesi ligjor dhe prandaj i caktohet si avokat mbrojtës Dr. Spiro Stringa.
I pandehuri Pandi Kristo deklaroi se ka zgjedhur si mbrojtës avokatin Vasil Bidoshia.
I pandehuri Vaskë Koleci deklaroi se nuk do të përfaqësohet nga ndonjë avokat, pasi do të mbrohet vetë. Edhe këtij, nga ana e Gjykatës ju shënua kryesisht për mbrojtje avokati Fuat Fista.
I pandehuri Vango Mitrojorgji tha se nuk ka nevojë për avokat, se këtu ka ardhur jo për mbrojtje, por për të dhënë llogari. Edhe këtij iu shënua si avokat mbrojtës kryesisht Dhimitër Shkurti.
I pandehuri Nuri Huta, kërkoi dhe ju afrua si mbrojtës avokati Kel Dhimitri.
Sipas frymës së ligjit, u vendosën në vendin e posaçëm të caktuar për ta dhe u porositën nga ana e Kryetarit të Këshillit Gjyqësor që mbrojtjet t’i bëjnë me qetësi dhe brenda përmbajtjes dhe frymës së ligjit.
AKUZA
Në këtë gjyq, akuza përfaqësohet nga tri persona(emrat më poshtë) të caktuar në bazë të delegimit të dhënë me dekret nr. 746/A, datë 10.1.1949. Përfaqësuesit e saj janë:
–Bedri Spahiu, Kryesues
–Gaqo Floqi, Ndihmues
–Sotir Qirjaqi, Ndihmues
Shoku Prokuror (Bedri Spahiu), kërkoi që pyetja e të pandehurve të bëhet me këtë rend: Të pyetet i pari i pandehuri Koçi Xoxe, mandej Gaqi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta. Gjatë pyetjeve të të pandehurve të veprohet dhe në administrimin e provave duke u pyetur dhe dëshmitarët.
VENDIM: Trupi Gjykues, bashkërisht pranon zhvillimin e procesit konform propozimit të shokut Prokuror dhe urdhëron sekretarinë të lexojë Akt-Akuzën. Nga ana e sekretaritlexohet me zë të lartë Akt-Akuza e Komisionit Hetimor të Posaçëm Nr.1, datë 7/V/149, e cila përbën pjesën integrale të këtij procesi. (Shënim: Akt-Akuza është botuar në numrat e mëparshëm të gazetës Dita. K.B.).
Kryetari(Frederik Nosi): -Fillojmë me të pandehurin Koçi Xoxe. I pandehur, e keni lexuar Akt-Akuzën dhe përmbajtjen e saj?
Koçi Xoxe: -E kam marrë dhe e kam lexuar.
Kryetari: -A e pranon ti i pandehur?
Koçi Xoxe: -Nuk e pranoj krejtësisht aktin e akuzës, me përjashtim të disa çështjeve në lidhje me shkeljen e ligjit që kam pranuar në pjesën e fundit të procesit hetimor.
Prokurori(Bedri Spahiu): -I ka lexuar i pandehuri të gjitha proceset që janë mbajtur prej Komisionit Hetimor, nëse i ka nënshkruar lirisht dhe me vullnet ato procese?
Koçi Xoxe: -Në hetime kam thënë se kam kundërshtimet e mia dhe se këto kundërshtime do i parashtroj para trupit gjykues. Në hartimin e procesit hetimor nuk kam qenë kaq i lirë, sepse kundrejt meje janë ushtruar presione e kërcënime.
Prokurori: -Kërkoj të pyetet i pandehuri nëse në proces janë bërë shtrembërime të deklaratave të tij, nëse është detyruar për t’i nënshtruar ato procese dhe nëse është torturuar dhe nëse ato vërejtjet e bëra prej tij janë nxjerrë apo jo anëshkrimisht në proceset që ai i ka bërë…
Koçi Xoxe: -Po, i kam nënshkruar dhe kam bërë vërejtjet që më janë lejuar, por kam thënë se në gjyq do të tregoj obsesionet e mia.
(Mbi kërkimin e shokut Prokuror, ju tregua të pandehurit procesi i nënshkruar rregullisht prej tij si dhe pjesët e shtuara në bazë të vërejtjeve të tij).
Prokurori(Bedri Spahiu): -Edhe në procesin hetimor, i pandehuri ka mbajtur po këtë qëndrim provokues… Nga ana tjetër, kur i pandehuri nuk ka dashur të nënshkruajë, nuk ka firmosur e procesi është pa firmën e tij. Shoku Gjyqtar! Dua t’i freskoj kujtesën të pandehurit e të na thotë se në ç’mënyrë është kërcënuar. A i janë bërë presione e tortura, nëse është mbajtur për një kohë të gjatë në këmbë sa t’i bien shuarjet e këmbëve në tokë, a i është hedhur ujë i ftohtë në trup, a është lënë pa ushqim, a është lidhur me hekura për krahësh i varur ashtu, siç janë varur të tjerët sa kanë vdekur, a është vendosur në korrent elektrik, a është rrahur me kamxhik dhe me dru, a e ka djegur njeri në trup me copa hekuri e teli të skuqur, a i është vënë jelek, a i janë djegur organet gjenitale të tij me benzinë, a është përplasur djathtas e majtas nëpër muret e qelisë, a është lënë pa gjumë vazhdimisht, a është cimbisur të mos flejë, a i është lyer trupi dhe fytyra e tij me marmalatë dhe është lënë në diell për t’u grumbulluar mizat, a është nxjerrë natën nga qelia dhe është frikësuar e kërcënuar, a i janë varur çorape të qelbura në hundë, a i është pakësuar ushqimi gradualisht siç ka bërë ky për të tjerët kur urdhëronte Ministrinë e Brendshme, a është përdorur dinamiti me vete siç ka bërë ky për të tjerët, a i është futur kripë në plagët e trupit, a është futur kokëposhtë në një fuçi me ujë, a i janë shtrënguar me pinca pjesë të trupit, a i është futur piper në gojë, a është kërcënuar(sharë në nderin e gruas, apo i janë kërcënuar fëmijët? Për këto të pyetet i pandehuri, shokë gjyqtarë…
Koçi Xoxe: -Asnjëra prej torturave që përmendi më lart shoku Prokuror nuk më janë bërë, vetëm se jam mbajtur 130 ditë i lidhur me hekura (byzylykë) dhe më janë bërë pyetje provokuese dhe disa herë jam kërcënuar.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Shokë gjyqtarë! Keni përpara një armik të Partisë dhe të popullit. Një tradhtar koshient, konspirator të regjur dhe të poshtër,keni njeriun që ka tradhtuar 100 herë, njeriu tiran… Të na tregojë i pandehuri Koçi Xoxe se me cilët jugosllavë është takuar për herë të parë?
Koçi Xoxe: -Nga jugosllavët, sefte kam njohur Miladinin me Dushanin, pastaj Vukmanoviç Tempon, Velimir Stojniçin, Dizdareviçin, Save Sllatiçin… Pastaj Josif Gjergjin, pastaj këshilltarë të tjerë si Koshner e Safet Filipoviçin. Kam njohur një të quajtur Mitat, një të quajtur Spire që mund të ketë qenë gjeneral…
Prokurori(Bedri Spahiu): -Kur e ke njohur Tempon?
Koçi Xoxe: -Tempon e kam njohur në Kucak në muajt maj-qershor 1943…
Prokurori(Bedri Spahiu): -Kur ka ardhur më vonë Tempo dhe është takuar me ty?
Koçi Xoxe: -Tempo më ka bërë një vizitë në shtëpi kur erdhi këtu me rastin e festës së 10 korrikut 1947.
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri çfarë akuzash bënte Tempo kundër Sekretarit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës) dhe udhëheqjes?
Koçi Xoxe: -Tempo, duke marrë shkak nga ngjarjet në Jugosllavi, tha se ne kemi mbajtur këtu qëndrim oportunist dhe se nuk e kemi demaskuar Ballin Kombëtar…
Prokurori: -Ku synonte Tempo dhe ku e kishte hallin me këto akuza?
Koçi Xoxe: -Tani them se Tempo kishte për qëllim të godiste udhëheqjen tonë, për të rritur autoritetin e tyre(jugosllavëve) në sytë tonë. Edhe Velo po atë qëllim kishte, që të ngrinte autoritetin e jugosllavëve.
Prokurori: -Çfarë dëmi na sillnin jugosllavët me akuzat që na drejtonin?
Koçi Xoxe: -Ata donin të diskreditonin udhëheqjen tonë… Velua thoshte se në Labinot(Konferenca e Labinotit më 15 korrik 1943 ku u krijua Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë) u mbajt një qëndrim oportunist dhe nuk u përfaqësuan të gjitha rrymat. Velo ankohej për Miladinin se mendimet e tij nuk viheshin në zbatim.
Prokurori: -Velo fliste si person apo në emër të Komitetit Central të Jugosllavisë dhe sillte tek ne Platformën e Komitetit Central jugosllav tek ne?
Koçi Xoxe: -Velo në Berat, u paraqit si i dërguar i Komitetit Central të Jugosllavisë…
Prokurori(Bedri Spahiu): -Tani, i pandehuri pranon ato që ka pohuar në hetuesi, vënien e tij në shërbim të jugosllavëve kundër vendit tonë… I pandehur, pra, cili ishte qëllimi i Komitetit Central Jugosllav?
Koçi Xoxe: -Qëllimi i jugosllavëve ishte kontrolli i vendit tonë, popullarizimi sa më shumë i Titos e Jugosllavisë, që ne të shkëputeshim nga Bashkimi Sovjetik dhe të bëheshim koloni e Jugosllavisë…
Prokurori: -Cili ishte qëllimi i vajtjes së Tempos në Greqi?
Koçi Xoxe: -Tempo shkoi në Greqi me detyrën për të krijuar një shtab ballkanik… Shtabi nuk u bë asnjëherë se dështoi…
Prokurori: -Në lidhje me këtë, a keni pasur ndonjë bisedim tjetër më vonë me Tempon?
Koçi Xoxe: -Në rastin që Tempo kishte ardhur në Shqipëri (për Festën e 10 korrikut 1947) dhe që më bëri vizitë në Shqipëri, në bisedë e sipër, më ka thënë se tani mund të arrihet më mirë një bashkim i Ballkanit në Federatë ose Konfederatë, sepse tani janë konditat, se Tito ka biseduar me Dimitrovin…
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e të pandehurit Vaskë Koleci kundër Koçi Xoxes për bashkëpunimin me jugosllavët dhe sabotimet e grupit armiqësor në Shqipëri.
-Debatet e Prokurorit Bedri Spahiu me Koçi Xoxen për mohimin e disa dëshmive të dhëna nga Xoxe në hetuesi.
-Dëshmi dhe prova: Si u vu në shërbim të jugosllavëve Koçi Xoxe me misionin për të goditur Nako Spiron, si pengesë për realizimin e objektivit të Titos për aneksimin e Shqipërisë
Po,Koci Xoxe ishte nje teneqexhi qe e nxirte buken e gojes duke bere nje pune “Jo te fisme” por te ndershme.Po Enver Hoxha c’bente kur Koci merrej me teneqe?!Ai bridhte Evropes si diplomat i Mbretit.Koci edhe me te mirat edhe me te ligat e tij ishte njeri i popullit kurse “Enveri yne” nuk ishte yni,nuk ishte as punetor,as fshatar e as intelelektual.Sic e nisi e bitisi-aventurjer.Neqoftese Koci meritonte ne ate gjyq pushkatimin Enveri duhej varur.Po kush do ta varte,ne?!Ne paskemi qene shume te dobet,shikoni c’po na ben bajga Sali?!