Ekskluzive / Gjyqi ndaj Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve të akuzuar për veprimtari armiqësore. Dëshmi dhe akuza lidhur me urdhrin e Koçi Xoxes për survejim e hapje të dosjeve nga Sigurimi për të gjithë udhëheqësit e kuadrot kryesorë me prirje anti-jugosllave
Të pandehurit Koleci e Mitrojorgji: Dosjet e survejimit për Enver Hoxhën, Nako Spiron, Mehmet Shehun, Gogo Nushin, e udhëheqësit e tjerë mbaheshin sekret. Informacionet i lexonte dhe i seleksiononte vetëm Koçi Xoxe
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e datës 15 maj 1949 të gjyqit ndaj Koçi Xoxes e katër bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, nëpërmjet provave të Prokurorit dhe dëshmive të të pandehurve, u evidentua praktika armiqësore e grupit pro-jugosllav të survejimit me dosje të Enver Hoxhës, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë e udhëheqësve të tjerë të shtetit. “Dosjet u hapën me urdhër dhe dijeni të Koçi Xoxes. Dosjet e survejimit për Enver Hoxhën, Nako Spiron, Mehmet Shehun, Gogo Nushin, e udhëheqësit e tjerë mbaheshin sekret. Informacionet i lexonte dhe i seleksiononte vetëm Koçi Xoxe”, -deklaruan në gjyq të pandehurit Vaskë Koleci e Vango Mitrojorgji…
Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdon pyetja e të pandehurit Koçi Xoxe.
Prokurori(Bedri Spahiu): -I pandehur Koçi Xoxe. Lëshimi i qarkores nga i pandehuri Xoxe, me pretekstin gjoja të ndihmojë anëtarët e Partisë, kishte për qëllim grumbullimin e informatave për shantazh ndaj tyre…
(U kënduan dy qarkoret e Ministrisë së Brendshme të drejtuara gjithë Organeve të Sigurimit poshtë, në të cilat, me formë të maskuar, kërkoheshin informata për anëtarët e Partisë).
Vaskë Koleci(I pandehur): -Pikat centrale të këtyre qarkoreve m’i ka dhënë i pandehuri Koçi Xoxe dhe më kujtohet se këtë e ka të sugjeruar nga një Kolonel i Jugosllavisë. Por qarkoret kanë qenë hartuar në mënyrë të maskuar.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Ti i pandehur Koçi the se ishte puna për ushtarakët, kurse nga ana tjetër doli se për këtë qarkore je sugjeruar nga agjentët jugosllavë dhe ke kërkuar që të vendosësh në zbatim metodat e diktuara nga jugosllavët për të survejuar kuadrot e Partisë. Mos do të thuash se dhe për këtë je këshilluar me Sekretarin e Përgjithshëm?
Koçi Xoxe: -Për këtë më kujtohet se Kadri Hazbiu kishte biseduar me një oficer jugosllav. Por përmbajtja e këtyre qarkoreve është krejtësisht për anëtarët e Partisë, por ai jugosllavi kishte thënë për ushtrinë.
Prokurori: -Policët që u ishin vënë prapa udhëheqësve a kishin për qëllim që t’i survejonin këta udhëheqës?
Koçi Xoxe:--Policët ishin vënë për sigurimin e udhëheqësve dhe nuk duhet të jenë vënë për t’i survejuar ata.
Prokurori: -Si është e mundur që Ministri i Brendshëm të mos e dijë një gjë të tillë?
Koçi Xoxe: -Unë nuk di gjë dhe nuk kam ngarkuar njerëz për një punë të tillë. Për këtë mund të pyesni Nestin.
Prokurori: -A e ke survejuar Manush Myftiun?
Koçi Xoxe: -Nuk është e vërtetë të kem dhënë urdhër për survejimin e Manushit… Sidomos për Manushin, kurrë….
Prokurori: -Pse sidomos për Manushin kurrë!? Mos i ke ndarë njerëzit në dy kategori, në ata që dyshoje dhe në ata që kishe besim?
Koçi Xoxe: -Unë kam pasur besim tek të gjithë njerëzit e udhëheqjes.
Prokurori: -Kishe besim dhe tek ata që ishin vënë nën survejim? A kishe bindje që njerëzit që kishe vënë nën survejim të arrinin në atë gjendje sa të tradhtonin Atdheun, popullin e Partinë?
Koçi Xoxe: -Nuk dyshoja të arrinin në një gjendje të tillë, por më dilnin dyshime nga kontaktet dhe nga njerëzit që hynin e dilnin tek ata.
Prokurori: -Për survejimet e të gjitha këto, a kishte mundësi Kryeministri që të informohej?
Koçi Xoxe: -Jo. Përveç Ministrisë së Brendshme, Kryeministri nuk ka pasur tjetër mundësi informimi, me përjashtim të ndonjë rasti që ta ketë marrë vesh ai vetë.
Vaskë Koleci: -Vetë ka thënë Josif Pashko në mbledhjen e aktivit të Partisë se ishte ngarkuar nga Nesti Kerenxhi në vitin 1946 për të parë nëse vinte Dali Ndreu tek Bedri Spahiu.
Koçi Xoxe: -Në lidhje me këtë… Me përpunimin e Dali Ndreut ishte ngarkuar Nesti që të fliste me Josifin nëse vinte tek Bedriu dhe këtë për shkak se Bedriu nuk mbajti qëndrim për Dali Ndreun kur u arratis Cen Elezi.
Prokurori: -Të gjitha informatat që të vinin ty i pandehur ja çoje ti Sekretarit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës?
Koçi Xoxe: -Informatat që kam pasur, ja kam treguar Sekretarit të Përgjithshëm.
Prokurori: -A i ke thënë Sekretarit të Përgjithshëm se Sejfulla Malëshova kishte shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe si është kjo puna e vajtjes së Sejfullait tek Mehmeti?
Koçi Xoxe: -I kam thënë Sekretarit të Përgjithshëm që Sejfullai kishte shkuar një ditë tek Mehmeti dhe këtë ma kishte thënë Vaska, të cilin e kishte informuar Koço Kllapi. Dhe për këtë unë ngarkova Vaskën ta hetonte si qëndronte kjo punë.
Prokurori: -A të kujtohet i pandehur se me urdhrin tënd është marrë në shërbim në Ministrinë e Punëve të Jashtme një daktilografiste që nuk kishte qëndrim të mirë?
Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohet një gjë e tillë.
Prokurori: -Çfarë mendimi ke pasur ti i pandehur për Hysni Kapon?
Koçi Xoxe: -Për Hysni Kapon i kam thënë Komandantit(Enver Hoxhës) se ka pasur lëkundje në mendime, por si luftëtar ka qenë shumë i mirë.
Prokurori: -Domethënë, i pandehur Koçi Xoxe, se Hysni Kapo si luftëtar paska qenë i mirë, ndërsa për ty, në mendime, paska qenë i lëkundur. Po Sekretarin e Përgjithshëm a e ke survejuar ndonjëherë?
Koçi Xoxe: -Sekretari i Përgjithshëm nuk ka qenë kurrë në përgjim.
(U këndua një deklaratë prej të cilës rezulton se Naum Bezhani, oficer i Sigurimit në Tiranë ka qenë i ngarkuar të hetojë me anën e të burgosurit Ali Bakiu në lidhje me vizitën që Mirash Ivanaj – i burgosur edhe ky – i kishte bërë Komandantit(Enver Hoxha) kur kishte ardhur nga mërgimi(Mirashi). Mirash Ivanajt, i është pyetur nga Naun Bezhani në korrik-gusht të vitit 1947 në lidhje me vizitën që i kishte bërë Komandantit(Enver Hoxhës) pasi kishte ardhur ai(Mirashi) nga mërgimi)
Prokurori: -Si shpjegohet kjo që një funksionar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të pyesë të burgosur në lidhje me vizitën që ata i kishin bërë Komandantit?
Koçi Xoxe: -Qëllimi ishte që të merret mendimi i të burgosurit Mirash Ivanaj dhe jo të pyetej për Komandantin.
Prokurori: -A ka pas qenë i survejuar më parë Nako Spiro e bashkë me të edhe Gogo Nushi?
Koçi Xoxe: -Nako Spiro nuk ka qenë i survejuar, vetëm atëherë pasi ai vrau veten. Gogo Nushi nuk ka qenë survejuar.
(U këndua një deklaratë e shokut Mynyr Gura që punonte tek personeli i Ministrisë së Ekonomisë, të cilit i ishin kërkuar informata nga organet e Ministrisë së Brendshme për Gogo Nushin në vitin 1947, por dhe për Nako Spiron).
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci kur një njeri është nën survejim a ka dosje dhe kur ka dosje, a ka informata?
Vaskë Koleci(I pandehur): -Çdo njeri që është nën survejim, ka dosje. Dosja hapet për t’i vënë informatat.
Prokurori: -I pandehuri Koçi Xoxe, fol mbi survejimin e udhëheqësve dhe mbi urdhrat që ke dhënë për ngritjen e dosjeve!
Koçi Xoxe: -Nuk kam dhënë ndonjë urdhër për ngritjen e dosjeve për udhëheqësit. Çdo informatë që vinte, shkonte në seksionin përkatës.
Prokurori: -Po a ke dhënë ti urdhër se si do të veprohej me këto informata dhe teknikisht si veprohet për të vënë nën survejim, për të cilët do të mblidhte informata?
Koçi Xoxe: -Teknikisht veprohet kështu: Materiali që vjen, duhet të vihet në dosje. Po për dosje me emër për udhëheqësit nuk kam dhënë ndonjë urdhër. Por siç thashë, ndihmësit e mi, për këto punë, do të hapnin dosje.
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci, sa lloj survejimesh ka? Po ashtu, të na thotë dhe i pandehuri Vango Mitrojorgji për këtë.
Vaskë Koleci(I pandehur): -Survejimi një është dhe duhet të hapet dosje për ata që janë vënë nën survejim.
Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Po, kështu është.
Koçi Xoxe: -Unë i thashë Nestit t’i mbajë informatat vetë, por në dosje a në zarfe, nuk e di se si do i mbante… Dhe për udhëheqësit do t’i mbante në një vend që kam dhënë urdhër unë.
Prokurori: -Po si ndodh që në zyrat e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të ketë dosje, përveç atyre që përmende ti këtu dhe të tjera si për Sekretarin e Përgjithshëm, Manol Konomin, Shefqet Musarajin, etj…?
Koçi Xoxe: -Nuk e di, kjo gjë po më çudit.
(Ju treguan të pandehurit të gjitha dosjet që janë gjetur në organet e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme)
Prokurori: -Si shpjegohet që në disa dosje udhëheqësish të mos ketë informata, ndonëse dosjet kanë qenë hapur? Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci nëse janë mbledhur informata për Bedri Spahiun e të tjerë?
Vaskë Koleci: -Po, për Bedri Spahiun ka pasur informata. Por dhe për të tjerët. Por këto nuk viheshin në dosje sepse është sektori i udhëheqësve që ishte krijuar për këtë qëllim. Dhe ato i merrte vetë i pandehuri Koçi Xoxe.
Prokurori: -Të thotë i pandehuri Vaskë, Koleci a u janë hapur dosje oficerëve në ushtri?
Vaskë Koleci: -Sigurimi i ushtrisë ka hapur dosje edhe për oficerët.
Prokurori: -Shokë gjyqtarë! Hetuesia kishte konstatuar se dosjet e udhëheqësve si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Bedri Spahiu, nuk kishin brenda informatat dhe kishte arritur (hetuesia) në konkluzionin se ato ishin zhdukur. Por tani, i pandehuri Vaskë Koleci hedh dritë në këtë gjë që kishte mbetur si misterioze dhe na thotë se informatat për të tillë njerëz i vinin direkt të pandehurit Koçi Xoxe… Dhe me këto ai bënte shantazhe nga më të rëndat, godiste, eliminonte…
Koçi Xoxe: -Unë kërkoj nga trupi gjykues që të hetojë se kur janë bërë këto dosje dhe kush ka dhënë urdhër. Të pyeten Nesti Kerenxhi dhe Vaska nëse unë kam dhënë urdhër për t’i hapur këto dosje. Çështja e Bedriut, është ajo në lidhje me shehlerët(Baballarët)…
VENDIM: Pasi ora kaloi, audienca shtyhet për datën 16.V.1949.
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Revolta e Koçi Xoxes kundër Prokurorit Bedri Spahiu dhe Kryetarit të Gjykatës Frederik Nosi: “Është komplot kundër meje! Jam bir kurve po ju përgjigja pyetjeve që më bëni!”
-Dëshminë e Dr. Omer Nishanit, President i Presidiumit të Kuvendit Popullor: “Si më survejonte dhe provokonte Koçi Xoxe në funksionet shtetërore dhe problemet familjare.”
-Dëshmia e Halim Xhelos, Kryetar i Degës së Brendshme Tiranë: “Pretendimet e Koçi Xoxes për presion në hetime, janë të padrejta!”

Ministria e puneve te brendeshme kishte te drejte me ligj te pyeste nje te burgosur sa here te donte dhe per ke te donte. Te njejten gje ka bere (bile edhe per Xhonsonin) edhe FBI dhe do te beje per Tsranevin sa here te doje. Hetuesia nuk provoi egzistencen e dosjeve per udheheqesit, dhe kjo akuze ishte pa baza.
Pothuajse qe te gjitha akuzat jan te pa baze,ndaj Xoxes!
Ktu esht fjala se Nje i krishtere Ortodoks, nuk ka pas te drejte, jo vetem te mendoje ne politiken e atershme per fatet e Kombit,por nje mendim i tille e conte per lesh,ashtu sic e Coj Enveri bashke me Organizatoret e tij Mehmet Shehun per pushtetin e te cilit e akuzuan si Sherbetor e Agjent te Jugosllaveve Koci Xoxen!
Mendimi im do te ishte,se Koci Xoxe esht treguar i bute,me keta Shkerdhata,kur kishte gjithcka ne dore!
Pra ishte vet fajtor,qe nuk i qeroj me pare, se ta qeronin!
Une keshtu do te veproja,ashtu sic veproj Tito qe ne qender te Europes mos u jepja shancin Muhexhajdinve Islamike me emrin e komunizmit te instalonin sisteme diktatoriale,ashtu si instaloj Enveri!
Ne kete gazete komunistet shkruajne kunder komunisteve, hane gjithmone njeri tjetrin.