Hartohet Kodi i Etikës edhe për mësuesit e arsimit parauniversitar. Konfirmimi është bërë gjatë ditës së djeshme teksa ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur draftin e Kodit të Etikës për mësuesit, nëpërmjet të cilit synohet nxitja e marrëdhënieve më bashkëpunuese ndërmjet mësuesve, prindërve dhe nxënësve në shkollat publike e private të vendit. Ky kod përmban në mënyrë të detajuara të gjitha përcaktimet e duhura të etikës që arsimtarët duhet të përmbushin gjatë zhvillimit të procesit mësimor. Për rastet kur sjellja e tyre është jashtë normave të përcaktuara, atëherë do të merren një sërë penalizimesh. Kështu në varësi të shkeljeve që do të konstatohen penalizimet do të variojnë nga vërejtjet dhe paralajmërimet, në gjoba dhe largime të menjëhershme nga puna.
“Komisioni i etikës dhe i sjelljes i propozon drejtuesit të institucionit për shqyrtimet dhe veprime të mëtejshme në rast kur sjelljet në fjalë konsiderohen shkelje të ligjit apo dispozitave ligjore. Të gjitha masat ndaj mësuesit merren vetëm në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nga institucionet përkatëse”, thuhet në Kodin e Etikës. Pak kohë më parë këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, lidhur me hartimin e këtij kodi pati deklaruar se synon që të rregullojë raportet duke filluar nga drejtori i shkollës, mësuesi, nxënësi e deri tek prindi vetë.