Para nisjes së punimeve të Samitit të NATO-s që do të mbahet në Varshavë të Polonisë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në një bashkëbisedim me gazetarët bëri të ditur axhendën.
“Një nga pikat më kryesore të këtij samiti do të jetë rreziku që vjen nga Lindja, ku do të diskutohet për mënyrën e qasjes ndaj këtij rreziku, për menaxhimin e situatave të krizave, që çdo ditë e më shumë janë prezentë”, tha Kodheli.
Sipas saj, pikë të tjetër që pritet të diskutohet në Samit, do të jetë edhe misioni në Afganistan, si dhe problemi i refugjatëve.
Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë theksoi se një tjetër çështje e rëndësishme pritet të jetë edhe qasja e vendeve të NATO-s në raport me Rusinë, si dhe mbrojtja e kufijve.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Kodheli shtoi se do të diskutohet edhe një mundësi për t’u ulur në tryezë me Rusinë për të diskutuar për çështje madhore globale.
Për sa i përket misionit në Afganistan, Kodheli tha se Shqipëria do të dyfishojë praninë, ndërsa do të marrë pjesë edhe në misionet e NATO-s në detin Egje.
