Në përfundim të stërvitjes “Mirdita 2016”, në Livadhet e Sheshajve u zhvillua Dita e Vizitorëve të Shquar.
Qëllimi i stërvitjes “Mirdita 16” ishte aftësimi dhe koordinimi i strukturave të Komandës Mbështetëse, nëpërmjet veprimtarive të drejtpërdrejta operacionale, rritja e mëtejshme e nivelit të bashkëpunimit me pushtetin lokal në rastet e emergjencave civile.
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Kodheli në fjalën e saj u shpreh: “Ndihem tepër e nderuar dhe mund të them me plot bindje se stërvitja e parë e këtij lloji, pas shumë e shumë vitesh, është thjesht dhe vetëm një sukses i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Ajo tha se kjo stërvitje ishte një mbështetje e mirë edhe për qendrën stërvitore të Bizës, e cila do të mirëpresë në shtator të këtij viti stërvitjen e madhe “Joint Effort 2016” me pjesëmarrjen e FA shqiptare, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s.
Stërvitja “Mirdita 2016” është një stërvitje e kombinuar me trupa, e para e këtij lloji, ku strukturat e Komandës Mbështetëse nën drejtimin e Detashmentit CIMIC, elementët e Batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Furnizimit kombinohen në veprimtari ndihmuese për komunitetin e zonës së Mirditës dhe Matit.
