Kodheli në Spanjë, takon homologun Eulate, thellim bashkëpunimit në trajnim dhe edukim

Dita

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndodhet për një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Spanjës, ku u prit në një takim nga homologu i saj, ministri spanjoll i Mbrojtjes, Pedro Morenés Eulate.

Temat kryesore të diskutimit mes dy homologëve ishin bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, zhvillimet në rajon, si dhe zhvillimet në lidhje me politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në kufijtë lindore e jugorë të Aleancës.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli shprehu vlerësimin e saj për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke nënvizuar gatishmërinë për t’i rritur e forcuar akoma më tej ato, si në fushën e mbrojtjes, ekonomike, kulturore, por dhe në trajnimin dhe edukimin e ushtarakeve tanë.

Kodheli shprehu bindjen se, diskutimi rreth ideve dhe shkëmbimi e mendimeve sa i takon çështjeve të mbrojtjes i shërben konsolidimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve anëtare të Aleancës.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli e njohu homologun e saj spanjoll me vendimin që Shqipëria ka marrë, duke deklaruar pjesëmarrjen e saj në forcën pararojë të NATO-s, veçanërisht për vitin e ardhshëm me Spanjën.

Duke u ndalur tek situata në rajon, ministrja Kodheli nënvizoi se, “Shqipëria mbështet politikën e bashkëpunimit rajonal duke promovuar stabilitet politik, prosperitet dhe zhvillim ekonomik”.

Të dy personalitetet shprehën domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit, sidomos në fushën e trajnimit dhe edukimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *