Ligjvënësit parlamentarë miratuan dje ndryshime të tjera ligjore në sistemin e pagesave. Ky miratim erdhi pas lehtësimit të procedurave të ekzekutimit të kolateralit nga sistemi bankar. Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli, u shpreh dje se “përtej lehtësive ligjore, qeveria duhet të ndikojë në uljen e kredive me probleme, duke u dhënë zgjidhje detyrimeve të papaguara nga kompanitë private që kanë realizuar punime”. Shlyerja e detyrimeve do të sillte edhe uljen e nivelit të kredive me probleme për faktin se kompanitë që kanë marrë kredi do të mund të shlyenin detyrimet që kanë ndaj bankave, cilësoi zonja Kodheli. Ndryshimet ligjore për sistemin e pagesave u vlerësuan edhe nga deputeti Selami Xhepa si pjesë e rëndësishme e masave që duhen marrë në kushtet aktuale kur kërkohet likuiditet dhe efikasitet në transaksione financiare. Megjithatë, sipas Xhepës, për çështjeve të kredive me probleme nevojiten sërish lehtësi të mëtejshme. Ndryshimet në ligjin për sistemin e pagesave parashikojnë një përcaktim më të qartë të rregullave dhe procedurave për kryerjen e pagesave me instrumente që përdoren si mjete pagese. Këto ndryshime, të hartuara nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pritet të sjellin më shumë siguri për kreditë e dhëna nga bankat tregtare. Po ashtu, ndryshimet ligjore përcaktojnë rolin e Bankës së Shqipërisë dhe të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare në fushën e rregullimit dhe mbikëqyrjes së sistemit të pagesave në Shqipëri.