PS sqaron propozimin e saj për taksat, përmes një deklarate për shtyp. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, tha se sipas propozimit të përsëritur të socialistëve, 95 % e shqiptarëve do paguajnë më pak taksa me qeverinë e PS-se dhe kryeministri, ministrat dhe deputetët do paguajnë më shumë. “Rama kryeministër, pas 23 qershorit, do paguajë 2 milionë lekë taksa më shumë në vit se sa paguan sot Sali Berisha në detyrën e kryeministrit”, tha Kodheli. Deputetja socialiste theksoi se propozimi i qeverisë që pritet të votohet në Kuvend nuk është gjë tjetër veçse një kopje gjysmake e asaj që socialistët kanë propozuar prej kohësh.
“Në seancën e të enjtes Kuvendi i Shqipërisë do të votojë propozimin e qeverisë për heqjen e tatimit mbi të ardhurat për rrogat deri në 30 000 lekë; një propozim ky që kopjon në mënyrë gjysmake propozimin e Partisë Socialiste për vendosjen e një taksimi të ndershëm i cili bazohet në parimin se kush fiton më shumë paguan më shumë, e kush fiton më pak paguan më pak; një sistem taksimi nga i cili do të përfitojnë 95% e qytetarëve shqiptarë”, tha Kodheli.
Sipas saj, taksa e sheshtë që mbrohet me kaq zjarr nga pushteti i sotëm ka ndikuar negativisht në buxhetet e familjeve shqiptare.
“Nëse deri në vitin 2007 kur u vendos taksa e sheshtë një polic, mjek, infermier apo mësues paguante rreth ½ e një rroge mujore si tatim mbi të ardhurat, me taksën e sheshtë kjo ka arritur në 1.2 rroga mujore në vit. Ç’është edhe më e papranueshme, me taksën e sheshtë një mësues, mjek, polic, apo infermiere paguan më shumë taksa sesa kryeministri, ministrat apo deputetët”- tha me tej Kodheli.
Kodheli u ndal në disa profesione, të cilat do të taksohen më pak pas ardhjen në pushtet të PS-së.
Një infermiere, falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit plot 378 mijë lekë më tepër, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 rroga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit.
Një polic i thjeshtë falë propozimit do marrë në fund të vitit 408 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 paga në vit por 13 paga e gjysmë në vit, pra një rrogë e gjysmë më shumë në vit.
Një mësues falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit 507 mijë lekë më shumë, ose e thënë ndryshe nuk do të marrë më 12 rroga në vit, por 13 paga e gjysmë, pra një rrogë e gjysmë më shumë në fund të vitit.
Një mjek falë propozimit tonë do të marrë në fund të vitit do të marrë 536 mijë lekë më shumë, pra nuk do të marrë më 12 paga në vit por 13 paga në vit, pra një pagë më shumë në fund të vitit.
Ndërkohë siç jemi angazhuar, kryeministri, deputetët dhe ministrat do të paguajnë më shumë taksa se paguajnë sot, në ndryshim nga 95% e shqiptarëve që do të paguajnë më pak dhe do të fitojnë më shumë.
Pas 23 qershorit Edi Rama kryeministër do të paguajë 2 milionë lekë taksa më shumë çdo vit, se sa paguan sot Sali Berisha.
Partia Socialiste fton Sali Berishën dhe mazhorancën ta mbështesin propozimin tonë, pasi prej tij do të përfitonin pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Por pavarësisht vendimit që do të marrë shumica ditën e enjte, pas 23 qershorit taksa e sheshtë e Saliut do të zëvendësohet me propozimin e tonë”, tha Kodheli.