Më shumë se 103 vjet më parë u botua Kodi i parë etik i gazetarisë shqiptare nga Kristo Dako, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, publicist me titullin “Fuqia dhe detyrat e shtypit”. “Misioni, detyra e shtypit, – shkruante Kristo Dako – “Nuk është që të bëjë qeveriturë, as të luftonjë për të zgjedhur deputetë, as për të goditur kundërshtarët e një partie dhe të lëvdonjë të tjerët. Qëllimi i vërtetë i shtypit është shumë më i lartë: t’i sjellë dobi çështjes që i shërben, të përpiqet të ndritojë, të përfaqësojë e të udhëheqë opinionin publik në çështjet e ditës, të përkrahë gjithnjë drejtësinë edhe të luftonjë padrejtësinë”… me “guxim t’a shpëtojë popullin nga mundimet e poshtëra të njerëzve egoistë, qofshin këta zyrtarë të qeverisë ose të ndonjë shoqërie”.
Prof. Hamit Boriçi
Para më shumë se një shekulli, më 30 janar 1917, Kristo Dako, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, publicist, drejtues e botues mediash në diasporën shqiptare, hartoi dhe publikoi Kodin e parë Etik të Gazetarisë Shqiptare.
Ai, në 24 nene, emërtuar Fuqia dhe detyrat e shtypit, ndërtoi një platformë, sistem parimesh e normash për gazetarët dhe gazetarinë e shkruar, një tërësi rregullash me natyrë ligjore e praktike.
Një “Rregullore” e tillë i mungonte shtypit shqiptar edhe tej oqeanit. Kjo shtrohej si nevojë e domosdoshmëri pasi, krahas gazetës veterane “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare “Vatra”, që prej shkurtit 1909, doli për tri dekada pareshtur dhe vazhdon të botohet edhe në ditët tona, mediat shqiptare po shtoheshin me ritme të shpejta. Vetëm në vitin 1916 dolën në qarkullim 4 organe shtypi: në shkurt 1916 gazeta e përdyjavshme kombëtare “Vullnetari” në Uashington; më 15 mars 1916 e përkohshmja “Illyria” në Boston, organ kombëtar për mbrojtjen e të drejtave shqiptare dhe të Shqipërisë); në qershor 1916 në Nju Jork revista kombëtare “Përparimi”; po në qershor 1916 në Nju Jork e përdyjavshmja ‘Viosa”, organ kombëtar dhe më 30 shtator 1916 në St. Louis (ShBA) e përjavshmja “Mprojtja shqiptare”, organ i Shoqërisë Mprojtja Shqiptare”.
Prandaj Kodi Dako, botuar më 30 janar 1917 në numrin e dytë të revistës “Yll’i Mëngjezit” u mirëprit si këshillues, udhëzues e udhërrëfyes etiko-profesional për fletorarizmin shqiptar në Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nisma e Kristo Dakos për një projekt të tillë motivohej:
Së pari, nga formimi i tij politik, filozofik e kulturor i tij, fillimisht në Fakultetin e Matematikës në Bukuresht (Rumani), në Çikago vijoi për Filozofi dhe u laurua në Universitetin e Oberlinit (ShBA)
Së dyti, nga formimi ideo-politik kombëtar.
Njëzetedyvjeçar ishte Kristo Dako më 1900, kur u zgjodh sekretar i shoqërisë “Shpresa” të mërgatës shqiptare në Bukuresht (Rumani). Më 1902 u sprovua për ligjërime kombëtare në Vjenë, delegat, përfaqësues i shoqërive “Shpresa”, “Drita” dhe “Dituria” të shqiptarëve të Rumanisë në Kongresin e Kombeve të Robëruara nga Turqia, ku paraqiti dhe mbrojti kërkesat e popullit shqiptar. Në vijim të veprimtarisë kombëtare në diasporë, më 1904 themeloi e drejtoi shoqërinë “Djalëria shqiptare” në Braila të Rumanisë.
Së treti, nga përvoja si publicist që nga viti 1905, ku Kristo Dako shkroi e botoi një cikël shkrimesh në revistën “Lajmtari i Shcypenies”, që dilte në Romë. Në dy gjuhë shqip e italisht. Me pseudonimet “Kukumeisha” e “D. A. Kadia” botoi një cikël artikujsh në gazetën “Tomorri” të Elbasanit; me pseudonimin “Kamani” shkroi për të përkohshmen “Bashkimi i Kombit” (Manastir, vjesht’ e tretë 1909) dhe në disa të përkohshme kombëtare të Amerikës, si revista “Yll’ i Mëngjezit”, ku shkroi shumicën e editorialeve. Çështje shqiptare e trajtoi edhe në fletoret e huaja si “The Orient”, “The Times” etj.
***
Kodi, Fuqia dhe detyrat e shtypit, hapet me disa përcaktime të autorit për misionin dhe rolin e shtypit në shoqëri. “Misioni, detyra e shtypit, – shkruante Kristo Dako – “Nuk është që të bëjë qeveriturë, as të luftonjë për të zgjedhur deputetë, as për të goditur kundërshtarët e një partie dhe të lëvdonjë të tjerët. Qëllimi i vërtetë i shtypit është shumë më i lartë: t’i sjellë dobi çështjes që i shërben, të përpiqet të ndritojë, të përfaqësojë e të udhëheqë opinionin publik në çështjet e ditës, të përkrahë gjithënjë drejtësinë edhe të luftonjë padrejtësinë”… me “guxim t’a shpëtojë popullin nga mundimet e poshtëra të njerëzve egoistë, qofshin këta zyrtarë të qeverisë ose të ndonjë shoqërie”… “Shtypi është me të vërtetë një fuqi e madhe, por nuk lipset harruar se është një fuqi që sjell dobi ose dëm. Kjo varet te karakteri i njerëzve që e udhëheqin shtypin”.
Dako vijon me formulimin e “ligjësive” etike, morale dhe profesionale të gazetarit e të gazetarisë, shkrirë në një në të 24 nenet e Kodit. Ndonëse ai në çdo nen i drejtohet kryesisht gazetarit, në të vërtetë shpreh qartë përmbajtjen dhe rolin e i gazetarisë si një fenomen, dukuri historiko-shoqërore, si veprimtari, punë, mjeshtëri, një lloj i caktuar organizimi e shërbimi shoqëror me natyrë krijuese letrare e publicistike. Prandaj, duke karakterizuar profilin e gazetarit rendit tiparet më qenësore të një gazete dhe gazetarie në dobi të shoqërisë.
***
Në këtë trajtesë tiparet dhe veçoritë karakteristike të Kodii Etik Dako i shohim në tre drejtime.
Drejtimi i parë është përmbajtja dhe roli i gazetarisë, që shprehet në tre parime themelore bazë: Vërtetësia, Parimësia dhe Paanshmëria:
“Gazeta duhet të pasqyrojë “lajme të vërteta” (Neni 9) dhe “…mos të goditnjë padrejtësisht karakterin vetiak të ndonjërit”. (Neni 20 ). Fjala është për lajme të besueshëm, të mirëverifikuar në dy e ma shumë burime.
“Të rrënjosë parime morale në ndërgjegjen e popullit.(Neni 11)
“Paanshmëri në të botuarit të lajmeve.
Drejtimi i dytë – përcaktimi i kritereve për politikën editoriale të një gazete:
- “ Politika është subjekti më i interesantçmë që mund të pushtonjë një gazetë… gazeta t’i japë këtij subjekti vendin e parë. (Neni 18)
- “Më të madhin shërbim që mund t’i bëjnë gazetat vendit është të ruajnë (ndjekin) sjelljet (veprimet e qëndrimet), të çfaqë (pasqyrojë) gabimet dhe ligësitë e njerëzve që kanë fuqinë e shtetit në dorë. Qëllimi i politikanëve është të jenë të heshtur, të përgatitin edhe të vënë në veprim planet e tyre fshehurazi; përkundrazi qëllimi i gazetarisë është t’i hapnjë, t’i zbulojë dhe t’i botojë, të thotë të vërtetën”. (Neni 22) Kështu “Populli mbeson se ka vetëm një vegël, që mund t’i japë dritë përmbi natyrën e vërtetë të tiranisë nga e cila populli vuan”. (Neni 21)
- Të zbavitë dhe të interesonjë këndonjësit duke dhënë dije për mbi të gjithë çështjet e ditës. (Neni 10)
- “Shtypi është më shumë zëri i popullit, se sa krijonjës i opinionit publik. Shtypi as nuk mund t’a mbronjë një parti politike, as mund ta shpëtonjë pa patur përkrahjen e popullit. Shtypi mund të vononjë mërzitjen e një partie ose rënien e saj nga fuqia ose mund t’i shpëtonjë këto, por fuqia që mbaron punë është opinioni publik ose zëri i popullit, që gazetari i vërtetë e çquan, e sheh, e përkrah edhe e përfaqëson. Këtu qëndron provimi i gazetarit dhe gazetarisë së vërtetë – fuqia, të shohë drejtësisht dhe shpejtazi të anuarit të opinionit publik, duke e çfaqur dhe duke e përkrahur. Këtë do të mund ta mbaronjë shumë mirë edhe më lehtë po të rrinjë larg partive politike si një shërbëtor besnik i popullit”. (Neni 24) Kështu “Populli mbeson se ka vetëm një vegël, e cila mund t’i japë dritë përmbi natyrën e vërtetë të tiranisë nga e cila populli vuan. (Neni 21)

Drejtimi i tretë është figura, profili, personaliteti dhe mjeshtëria e gazetarit, që Kristo Dako i kushton më shumë se dy të tretat e Kodit të tij.
Profesioni i gazetarit “Është sa i nderuar, aq edhe i përgjegjëshëm përpara lexuesit dhe i vështirë. Ai që ka zgjedhur këtë profesion “për t’i sjellë dobi çështjes, ndaj lipset:
“Të ketë dituri të përgjithshme ose enciklopedike, po lipset të jetë specialist në gjeografinë e vendit edhe në historinë e kombit” (Neni 1); “Të ketë bindje vetiake të vërtetë” (Neni 2); “Të ketë mendje të lirë dhe të hapur për çdo të vërtetë sado e hidhur që të jetë”. (Neni 3); “Të ketë një të këtillë nder për veten e tij se kurrë nuk mund të blihet”. (Neni 4); “Të jetë i lirë, i çliruar nga çfardo poshtërsie” (Neni 5); “Të ketë një të tillë guxim moral, i cili të mos dobësohet përpara asnjë njeriu, përpara asnjë partie”.(Neni 6); “Të jetë i zoti të kuptonjë drejtësisht edhe shpejt t’i japë gazetës drejtimin që e do koha dhe nevoja e çështjes që i shërben”. (Neni 7); “Të dijë që të ruhet nga klikat dhe intrigat politike të partive kundërshtare”.(Neni 8); “Të luftonjë ligësinë me zell, me fuqi, me qëndrim”. (Neni 12) “Të luftonjë rreptësisht çdo formë grabitjeje si dhe hipokritët”. (Neni 13); “Të përkrahë mirësinë edhe drejtësinë gjithë me atë zell, fuqi dhe qëndrim që lufton ligësinë e padrejtësinë”. (Neni 14); “Të ketë guxim të kritikonjë gabimet e miqëve të tij dhe të lëvdonjë veprat e dobishme të kundërshtarëve të tij”. (Neni 15); “Të ketë mendime positive edhe një mënyrë positive për të çfaqur mendimet e tij. Gazetari nuk lipset të thotë vetëm gjërat që janë të dëmshme, po lipset të të tregonjë ç’duhet të bëjmë për të sjellë shërbime dhe dobi duke dhënë hollësira të plota”. (Neni 16); “Gazetari duke folur për çështje publike edhe për njerëzit që merren me to, lipset të mos vërë re as hatër, as miqësi, as frikë, por të thotë gjithnjë të vërtetën, ashtu si e kupton ai vetë, duke vënë re cila anë do të fitonjë nga deklarata e mendimi i tij”. (Neni 17) dhe “Gazetari lipset të përdornjë mënyrën cilën populli mund t’a kuptonjë lehtazi, edhe me gjithë këto me anën e artikujve të tij të mund të jape dritë përmbi çështjet e ditës”. (Neni 23)
* * *
Ndonëse kanë kaluar 103 vjet e disa muaj prej botimit, Kodi Dako, në përmbajtjen e tij, ruan vlerat e një Kodi Etik, të arsyeshëm dhe racional në dobi të shtypit shqiptar të atyre kohëve.

Një shënim i shkurtër
Xhevdet Shehu
Dje, profesori im i gazetarisë, Hamit Boriçi, njëherësh një gazetar i shquar ndër vite, më befasoi me këtë shkrim që po botojmë sot. Është Kodi etik i gazetarit i botuar 103 vite më parë nga një iluminist dhe atdhetar i ditur si Kristo Dako. Një shkrim brilant ngado që ta marrësh për misionin e gazetarit në shoqëri, për rolin që ai duhet të luajë për mbrothësimin e shoqërisë duke qenë misionar i së vërtetës.
Po cili ishte Kristo Dako?
Një emër thuajse i harruar para vitit 1990, (janë ende të panjohura arsyet e këtij diskriminimi ndaj një atdhetari të shquar) ndonëse Instituti i Lartë Bujqësor thirrej atëherë, madje edhe sot e kësaj dite si “Shkolla e Dakos”.
Kristo Dako u lind në Korçë më 24 dhjetor 1876, i biri i Anastas Dakos. Më 1887 Dako emigroi në Bukuresht, Rumani, ku mbaroi shkollën e mesme më 1898, dhe më 1902 Fakultetin e Matematikës. Nga ky vit u u aktivizua në shoqëritë Shpresa dhe Dituria të kryeqytetit rumun. Më pas shkoi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit në vitet 1906-1913.
Më 1908 u kthye në atdhe dhe më 1909 qe pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit. Më 1913 u zgjodh president dhe redaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Mbarëshqiptare Vatra më 1913. Dako mori më vonë pjesë në Konferencën e Paqes së Parisit më 1919. Dako është takuar dy herë me presidentin e Shteteve të Bashkuara Woodrow Wilson, për t’i shpjeguar atij interesat kombëtare të Shqipërisë.
Më 1921-1922 qe deputet i Partisë Përparimtare dhe më pas u bë pjesë e “Bashkimit të Shenjtë”. Më 1921 u caktua ministër i Arsimit në qeverinë pakditore të Hasan Prishtinës gjatë krizës së dhjetorit. Më pas u tërhoq nga politika dhe iu përkushtua arsimit. Më 2 tetor 1922 hapet instituti “Kyriaz”, më 11 prill 1925 iu vendos guri i themelit në godinën e re në Kamëz.
***
Duke parë problematikën e shtypit shqiptar sot, ky Kod i Kristo Dakos tingëllon tejet aktual dhe si një apel për të gjithë ata që janë pjesë e shtypit dhe mediave. Kjo mendoj se është dhe e vetmja arsye që Prof. Hamit Boriçi na e solli për ta botuar në DITA. Dhe arsyeja është vetëm një: gjendja aktuale e shtypit shqiptar sot. Profesor Hamiti vuan shumë kur sheh dilentatizmin e gazetarisë së sotme, mungesën e profesionalizmit dhe sidomos të etikës gazetareske. Unë e di këtë fakt, pasi gjatë gjithë jetës së tij si gazetar ai ka qenë i përkorë dhe një model i gazetarisë së shkruar.
Por le të kthehemi te Kodi i Kristo Dakos.
Është një Kod aq i qartë, sa që nuk ka nevojë për asnjë koment. Lexoni vetëm disa nga nenet e këtij Kodi dhe do të habiteni se sa parashikues ka qenë autori i tyre edhe për zhvillimet pas një shekulli. Ja çfarë këshillon ai për një gazetar:
“Të dijë që të ruhet nga klikat dhe intrigat politike të partive kundërshtare”.(Neni 8); “Të luftonjë ligësinë me zell, me fuqi, me qëndrim”. (Neni 12) “Të luftonjë rreptësisht çdo formë grabitjeje si dhe hipokritët”.
Në kohën që është shkruar ky Kod ishin fare të pakta gazetat në gjuhën shqipe, të cilat botoheshin kryesisht ndër mërgatat e shqiptarëve. Nuk kishte atëherë radio e TV, nuk kishte portale e fejsbuk, nuk kishte panele opinionistësh e analistësh në ekrane. Por Kristo Dakoja shihte larg… Ai do të tmerrohej po të ndiqte ndonjë debat në TV-të tona sot apo të lexonte disa gazeta apo portale. Pa le të merrte vesh se për të ndalur lumin e shpifjeve që vjell përditë shtypi dhe mediat tona, qeveria të detyrohej të nxirrte një ligj antishpifje.
Unë thjesht doja të falënderoja sot Prof. Hamit Boriçin, si ish-student i tij, për këtë prurje të mrekullueshme në gazetën DITA. Kush di të lexojë, le të lexojë, kush ka sy, le të shikojë, e, kush ka vesh le të dëgjojë.

Le te hijeshoje,rrapi i lashte 100 vjecar prof.Hamit Borici.
Sihariq qe qenka gjalle e ne gjendje.
Gazetaret e sotem jane si halabaket e rruges.
Gazetaret e Tiranes shesin silikonin,qe kane ne tru,se kulture nuk kane.Gazetaret e rretheve jane kameramane dasmash.Po gjeten ndonje vic me dy koke,ndonje pule me 4 kembe,bejne buje.Keta i mbajne ne pune aksidentet rrugore.