Letër e nënshkruar,
Xhevdet Cora
Dita, mirëdita! Këtij të Bashkisë i erdhi keq për xhepat e popullatës dhe anulloi, veç përkohësisht ama, koncesionin e famshëm 35 vjeçar për parkimin e makinave në sheshe e rrugë të Tiranës. Sipas llogarive qenka minierë ari, madje, minierën e arit s’ke ç’e do, se ari është nën tokë, e t’i zë galeria punëtorët. E anulloi, por sot për sot, se shqiptarët qenkan të varfër, janë varfëruar keq këtë vit me Ramën kryeministër. Ai la të kuptohet se në një kohë jo fort të largët mund të realizohet ky projekt, atëherë kur banorët të jenë më në gjendje, fjala vjen, pas zgjedhjeve lokale, pra, pas 4-5 muajve. Ai, habisë dhe revoltës që ngjalli ky lajm në popullatë ju përgjigj se praktika të tilla paska edhe gjetkë në Europë, sidoqoftë ai edhe deshi, edhe e anulloi. Sa i mirë, mos voto për të po deshe! Dita, a ja kujtojmë popullatës fabulën “Ujku dhe qengji” të La Fontenit? Kjo farë kodoshërie do na ndjekë nga vatani.
