Shkrimtari dhe intelektuali Moikom Zeqo mendon se beteja për 23 qershorin do të jetë fushata do të jetë e rëndë, fushata më e vrazhdë dhe ndoshta më e kushtueshme. Ai argumenton pse duhet të largohet qeverisja aktuale dhe pse është koha e opozitës për të ardhur në pushtet. Pse rotacioni politik është i domosdoshëm, prurjet e reja në PS, qëndrimi i ndërkombëtarëve dhe pse ka humbur besimi i qytetarëve shqiptarë te drejtësia. Të gjitha këto në intervistën e Moikom Zeqos, dhënë gazetarit Xhevdet Shehu.
– Zoti Moikom, kanë ngelur edhe pak më shumë se tre muaj nga 23 qershori, por fushata realisht ka filluar. Liderët e partive po prezantojnë programe dhe kandidatë, por edhe akuza të forta për kundërshtarët. Si e parashikoni ecurinë e kësaj fushate?
– Fushata do të jetë e rëndë, fushata më e vrazhdë dhe ndoshta më e kushtueshme! Duket kjo që tani. Klima politike është tejet e skajshme, një klimë mbytëse, klima e një urrejtjeje të ndërsjellë, tepër përjashtuese dhe e paqytetëruar. Ky është mendimi im. Qofsha i gabuar! Sinqerisht mendoj se klasa politike shqiptare tregon nivelin provincial të egërsisë tipike shqiptare, të mendësisë së prapambetur të akuzave dhe të kundërakuzave pa asnjë kufi. Çuditërisht, mbas më shumë se 20 vjetësh, në vend që të zhvillohet emancipimi politik, është dëshmuar e kundërta. Kjo duket në ligjërimet mediatike, në makiavelizmin politik. Një gabim kryesor, substancial i politikës është dikotomia (dueli) midis liderëve të partive të mëdha, ku njësohen shembëlltyrat e liderëve me gjithçka, programet, lidershipet, kanditatët e ardhshëm për deputetë, etj. Kjo e kufizon kuptimshmërinë e politikës serioze dhe konkurrencën programore e personalizon tej mase profilet konkretë, kështu individualizohet mjerueshëm politika parimore në rrafshin shoqëror dhe kombëtar.
– Po bëhet shumë zhurmë për tre ligjet e integrimit, ndërkohë që Berisha ka hedhur idenë e një referendumi. Sa të rëndësishme i konsideroni ato ligje dhe a është i mundshëm është ky referendum?
– Çështja e tri ligjeve- është një alibi e dyfishtë edhe për PD edhe për PS. Idea e një referendumi pas zgjedhjeve politike është një ide që nuk do të funksionojë – asnjëri nga kundërshtarët nuk e ka seriozisht këtë gjë, Referendumi nuk e zgjidh këtë katrahurë, sepse referendumi popullor do të ishte më interesant për t’iu përgjigjur pyetjes, gati ekzistenciale , se çfarë mendojnë realisht qytetarët për vetë klasën politike shqiptare, në këtë pikë mendoj se qytetarët do të shpreheshin të pakënaqur dhe të zhgënjyer. Të alambikosh një referendum nuk është zgjidhja fundamentale e problemit!
– Si ju duket qëndrimi i ndërkombëtarëve për 23 qershorin deri tani?
– Qëndrimi i ndërkombëtarëve tregon shenja dhe simbole nervozizmi, padurimi dhe gati shpërfillëse. Dhe kanë të drejtë! Jemi shumë të vonuar për të kapur në stacionin tonë ballkanik trenin e integrimit europian, jo për fajin e tyre por për fajin tonë. Kjo është e vërteta ! Mbas 23 qershorit qëndrimi i ndërkombëtarëve do të jetë më i ashpër, i artikuluar më rreptë. Kështu besoj!
– Kreu i PS-së Edi Rama e la ditët e fundit të hapur shtegun e bashkëpunimit me të gjitha forcat politike që duan rotacionin e pushtetit më 23 qershor. Pse duhet të vijë opozita në pushtet?
– Rotacioni është më se i domosdoshëm. Edhe për PS edhe për PD- dy forcat kryesore kundërshtare. Rotacioni ka një kuptim shumë më të thellë, është e drejtë popullore e të gjitha elektorateve, për kufizimin e mandateve pushtetore në përgjithësi por edhe ne veçanti. Kam shkruar se është koha e opozitës, sepse alternimi i pushteteve krijon një shpresë, jo aq për politikanët se sa për popullin. Ky është thelbi i thelbeve! Një mandat i tretë i qeverisjes aktuale është dhe do të jetë një harxhim akoma më i madh, një konsumim dhe vetvetiu një dobësim dhe shkërmoqje e kredencialeve politike. E di që nuk mendojnë kështu politikanët e së djathtës, por, pavarësisht kësaj, kjo e vërtetë është autoritare në logjikën e thjeshtë të saj. Opozita e sotme kundër maxhorancës ekzekutive është e fragmentuar, ka opozitë të quajtur ta majtë që është PS, partia në fakt më e madhe politike e Shqipërisë, por edhe disa parti të qendrës së djathtë. Kjo duhet kuptuar politikisht dhe profesionalisht. Por, të mos harrojmë se ligji i mbrapsht zgjedhor e denatyron rezultatin. Nëse ky ligj zgjedhor do të ishte maxhoritar kombëtar PS fitonte bindshëm për arësye të elektoratit më të madh. Por ligji është ndryshe dhe ndërlikueshmëria krijon shumë virtualizëm dhe mundësi reale manipulimi. Në plan të parë del kështu struktura e koalicioneve jo me parti fantazma por me parti që këto 20 vjet kanë patur dhe kanë statusin e partive parlamentare me përfaqësim sado të vogël deputetësh, pra aritmetika parlamentare merr një përparësi formale duam apo nuk duam. Nuk besoj se mund të ketë një votim plebishitar popullor.
– Ndërkohë Rama po prezanton prurjet e reja në PS. Cili është gjykimi juaj për këto prurje?
– Është e drejta e tij. Nuk mendoj se nuk duhet të ketë prurje të reja jo vetëm për PS, por për të gjitha partitë politike pa asnjë përjashtim. Pa përmendur emrat- në të vërtetë emrat nuk kanë aq shumë rëndësi, po theksoj teorinë e përfaqësimit politik, të paktën siç e shpjegon Maks Veberi ose Hanah Arendt, që janë marrë përmbajtësisht me këtë subjekt. Përfaqësimi politik institucional , parlamentar i partive politike tregon nivelin kulturor mediokër apo të lartë, vizionin apo mungesën e vizionit të tyre për të ardhmen e vendit por edhe të vetë partive politike. Kjo është pika dhe tehu i arsyetimit të vetëdijshëm. Maks Veberi thotë se politika mjerisht katapulton personazhe mediokër që bëhen mediatikë për shkat të mandateve të përkohshme politike dhe, mbas përfundimit të këtyre mandateve,këta lloj ‘përfaqësuesish’, përgjithësisht klientelistë, harrohen përfundimisht në mediokritetin e tyre. Nuk jam profet, nuk mund të them aktualisht se çfarë personalitetesh do të formësohen apo do të skaliten nga këto prurje te reja. Gjithashtu jam skeptik si qytetar edhe për prurjet e reja të partive të tjera politike pa përjashtim. Mendoj se parlamernti i ri pas 23 qershorit do të ketë shumë emra të rinj – ndoshta midis tyre – le të lusim Zotin, do të dalë ndonjë personalitet i vërtetë, pavarësisht uniformës politike.
Po në ç’raport janë njerëzit e kulturës me vetë politikën dhe më konkretisht me zhvillimin e fushatës zgjedhore të 23 qershorit? Kjo është një pyetje substanciale. Në të dy partitë e mëdha kjo pyetje duket se nuk ekziston. Shihni programet e tyre elektorale, flitet për arsimin etj., por jo konkretisht për njerëzit e kulturës. Po pse vallë ? Kjo është e çuditshme në shumë kuptime , por sidomos në kuptimin e mirëfilltë politik dhe elektoral. Tirana me një popullsi afro 1 milion banorë është dhe kryeqendra ku është grumbulluar shumica dërrmuese e inteligjencës krijuese, shkrimtarët , artistët , aktorët , muzikantët, dijetarët e shkencave shoqërore dhe ekzakte etj. Për politikën serioze kjo kategori njerëzish të elitës kulturore dhe artistike përbën një element tejet të veçantw edhe politik. Këta njerëz janë shumë më të rëndësishëm se sa politikanët me mandate të përkohshme, të cilët harrohen menjëherë mbas skadimit mandator. Njerëzit e kulturës kanë mandate pa kufij kohorë në rrafshin kulturor dhe artistik, por politika nuk i përfill. Por, administrata është mbushur me militantë dhe kjo ka krijuar një situatë plogështie dhe mediokriteti të pafalshëm. Por më skajshëm personalitetet e vërteta mënjanohen edhe nga e drejta e tyre kushtetuese për përfaqësimin politik, sepse moduli i partive politike është shndërruar në konceptin e klubeve të shokëve, enturazhit, pra në vend të hapjes kanë avancuar drejt mbylljes. Raporti i politikës me kulturën është një nga sekretet e emancipimit politik, e lartësimit apo e mangësimit të vlerave reale dhe intelektuale. Kjo është prova historike e vizionit politik të partive përtej çdo vulgariteti dhe populizmi dekorativ të zhurmshëm dhe krejtësisht të kotë. Por shoh me trishtim që ka një prapambetje në këtë pikë.
– Për fitore flet edhe Berisha, pavarësisht se ka konsumuar dy mandate. Mendoni se ai mund ta lerë paqësisht pushtetin?
– Duhet kuptuar se zgjedhjet bëhen ndërmjet partive- nuk ka ligj kushtetues që të ndalojë as PD-në, 8 vjet në pushtet, që ka elektoratin e saj tashmë tradicional të mos konkurrojë, çdo konkurrim mëton fitoren, ndryshe nuk do të kishte kuptim. Jemi në fushën e politikës. Një kryetar partie mund të japë dorëheqje, por nuk mund të ndodhë që të japë dorëheqje një parti e tërë. Fitorja e pushtetit mbas 23 qershorit do të zbardhë vendimin e votave numerikisht. Por jo çdo fitore numerike mund të jetë fitore konceptuale. Shqipëria e sfilitur nga politikokracia ka nevojë jetike për fitore konceptuale. Ky është mendimi dhe bindja ime!
– Një vendim i gjykatës së Tiranës bëri shumë bujë dhe zbehu besimin e njerëzve te drejtësia dhe zbardhja e 21 janarit. Mendoni se drejtësia është e kapur nga politika?
-Po, drejtësia është e kapur nga politika. Këtë e dinë të gjithë. Këtë problem- të përhapur shumë në botë, Maks Veberi e ka quajtur si kontradiktën e vetë elektorateve me vetë partitë përfaqësuese. Sepse ky është një problem madhor ndryshimi dhe emancipimi dhe nuk zgjidhet dot vetëm me mekanikën formale te zgjedhjeve, as me retorika programore. Dukuria Grillo në Itali është komform kësaj pakënaqësie dhe shpërdorimi apo manipulimi të politikanëve ndaj popullit të tyre. Kështu mund të lexohet edhe për politikën europiane në përgjithësi.
-Gazeta ‘DITA’ publikoi një sondazh për rezultatet e 23 qershorit. Cili është mendimi juaj për këtë sondazh?
– Sondazhet japin tregues realë të përafërt, përgjithësisht tregojnë trendin e gjërave, zhvillimit, mundësive dhe të probabilitetit të fituesve të zgjedhjeve. Janë një instrument publik, tashmë i pandashëm nga vetë fushata kombëtare zgjedhore politike. Brenda subjektivitetit të pashmangshëm, në këto sondazhe ka edhe objektivitet dhe kuotat deri diku përkojnë me rezultatet e pritshme. Po them se edhe sondazhet e publikuara kohët e fundit tregojnë atë që e dinë të gjithë se kuotat më të larta të numrit të deputetëve e ka PS, por nën 50 përqindshin. Por problemi qëndron se mandati qeverisës ekzekutiv por edhe parlamentar kërkon detyrimisht mbi 50 përqindshin , pra mbi 70 deputetë. PS i ka mundësitë substanciale për ta arritur këtë gjë, koha dhe momenti punojnë për opozitën, por për këto muaj që kanë mbetur duhet konceptuar detyrimisht koalicioni jetik, koncepti i pashmangshëm i aleancave, si dhe funksionimi maksimal dhe inteligjent i organizimit në tërë Shqipërinë. Kjo është prova dhe sfida e PS-së, e lidershipit të saj, që reflekton dhe vetëdijen e vërtetë politike të PS. Dhe është e mundur për ta arritur, përtej çdo euforie.
Me pelqeu e gjitha, vetem nje kritike. nuk duhet te skllaveroheni ne citimin e maks Veberit ka njemilion argumente qe drejtesia eshte e kapur nga politika. Dhe koha punon per opoziten dhe opozita nuk eshte shume ne kohe ose e thene ndryshe nuk punon per kohen. Uronj rrotacion politik.
Citimi nuk mund te jete skllaveri, eshte dije ne vetvete, nuk kemi pse zhvillojme komplekse nga citimet, pavaresisht shembujve qe jepen. Liria e atij qe shkruan percakton dhe perzgjedhjen personale kah referimeve ne ide.
Z.M.Zeqo citon Veberin se:”Politika mjerisht katapulton personazhe mediokër që bëhen mediatikë për shkat të mandateve të përkohshme politike dhe, mbas përfundimit të këtyre mandateve,këta lloj ‘përfaqësuesish’, përgjithësisht klientelistë, harrohen përfundimisht në mediokritetin e tyre”Atehere mbetet qe opozita te beje diference ne kualitetet e kandidateve te saj qe te fitoj ne menyre plebishitare.zgjidhje tjeter nuk ka po do terhiqet zvarre nga koalicionete matrapazeve te tipit “me bllok ne dore. “