Dërguar me SMS
Në numrin e redaksisë
Koha për përcaktimin e fajtorëve është sosur qysh nga dita e mosndëshkimit në kohë të tyre. Për të vërtetuar fajësinë e akteve kriminale, ajo më e domosdoshmja dhe akutja do të ishte ngritja e padisë së munguar prej vitesh. Nëse persona të veçantë kanë në dorë dosjen e fakteve dhe nuk veprojnë në momentin e duhur, nuk ngrenë kur duhet padi kundër të dyshuarve për krime, ata individë ka shumë gjasa të jenë gurëvënësit e karrocës së drejtësisë, në mos dhe bashkëfajtorë. Dhe këtu unë nuk do të përjashtoja as shërbëtorët e pushtetarëve të punësuar në mediat e varura, të cilët me paturpësinë më të madhe u mundësojnë orë e minutë hapësira mediatike të dyshuarve për krime, duke na i nxjerrë ata si buaj në ekranet televizive dhe faqet e para të gazetave, dhe as militantët, pabukësit dhe veglat qorre me ose pa parti. Të parët janë shkaktarë dhe trashëgimtarë të së keqes, të fundit janë mbajtësit dhe përcjellësit e saj. Shumëkush do të kishte arsye të forta për t’i qëndruar larg specieve bastarde.
