Koha në brazdat e vargjeve të Kadri Tarellit

Ornela

Nga Sejdo Harka

Pas një seri librash në prozë, me histotri dhe kulturë, monografi e vëzhgime letrare, me titujt kuptimplotë: “MisIonarë në udhën e dijes”, “Kur lexoj një libër”, “Hytbiu, mjeshtër i penelit dhe i daltës”, Kadri Tarelli, kohët e fundit shfaqet përsëri me një libër të ri. Por, këtë herë, ndryshe nga herët e tjera shfaqet për herë të parë me një tufë vjershash, të cilat i pagëzon me titullin sinjifikativ “Koha në vargje”. Përmes këtij vëllimi poetik, ai synon të gërvishtë mbi plagët dhe dukuritë negative të shoqërisë së sotshme shqiptare, herë me “thumbin” satirik të hostenit metaforik, herë me dushin e ftohtë, për të zgjuar nga gjumi letargjik dhe ëndrrat e këqija bartësit  e dukurive  negative, dhe herë me kamzhikun sarkastik, për të ndikuar sadopak shërimin e plagëve  dhe veseve të  shoqërisë së kohës dhe të individëve  të veçantë të saj. Edhe pse në udhën e bukur të poezisë, ai shfaqet për herë të parë që në poezitë e para të këtij libri, i akumuluar gjatë në mendjen dhe shpirtin e tij poetik ,erdhi një ditë që do të shpërthente, ashtu thjesht e natyrshëm, pa bujë e krisma. Që të mernin jetë, ato donin dritën e botimit dhe kënaqësinë e lexuesve. Poezitë, thotë autori, më rinojnë dhe më japin forcën e bukurinë e tyre. Ndaj këtë vëllim poetik ai e nis me vargjet, sa të thjeshtë, aq dhe emocionues: “S’di pse vargjet më rrjedhin lumë/më rinojnë, më mbajnë gjallë”. Poezinë, ai e quan fron Perëndie, që “zjarrin e ndez, edhe kur bie shi me gjyma”. Për poetin “Zemra nuk thahet nga pleqëria”. Ajo, edhe në këtë moshë “kullon frymëzim dhe dashuri”. Vendin kryesor në këtë vëllim poetik e zënë vargjet për kohërat që jetojmë dhe plagët e saj, të cilat i gërvisht, jo që ato të mahisin, por për t’i shëruar, përmes humorit, satirës dhe sarkazmës. Koha, është e vërtetë që ecën gjithnjë përpara, por fakteqësisht, ka dhe momente që ajo mund të ndalet në vend, e aq më keq, në periudha të veçanta, mund të kthehet edhe mbrapa. Për këto digresione e zik-zake të kohës, shkaktare është shoqëria dhe njerëzit, që me idetë, bëmat, virtytet dhe veset e tyre, ose e shtyjnë përpara, ose e kthejnë pas. Autori, për të ndihmuar sadopak shërimin e këtyre plagëve shoqërore përdor humorin dhe ironinë, sarkazmën dhe satirën. Armët e kësaj lufte magjike janë të shumta. Por ato që janë përdorur më me mjeshtëri nga autori i këtij vëllimi poetik, janë: herë “pambuku” alegorik; herë “thumbi i hostenit” dhe herë “kamzhiku” metaforiko- sarkastik. Kadri Tarelli, pa mohuar vlerën që kanë partitë në sistemin pluralist për ideimin e zhvillimit dhe frymëzimin e njerëzve për të ecur përpara, fshikullon dëmin që ato i sjellin shoqërisë, kur shtohen si ferrat, jo për të bashkuar idetë e fuqitë, por për të parcelizuar, çjerrë dhe konfliktuar shoqërinë njerëzore, deri në gara me përplasje të marra për para e pushtet, që vrasin jo vetëm ekonominë, por dhe shpirtin e qenieve njerëzore, gjë që shprehet në vargjet: “Na mbinë partitë si ferrat shpërndarë,/në çahiret e tyre kullosin dhelpra dhe gomarë”. Janë këta  mafiozë, sa budallenj aq dhe dinakë, që “atdheun e kanë kthyer në çiflig, ndërsa popullin në hysmeqar”. Në poezinë satirike për “Bejlerët e rinj”, poeti qëllon me “thumba” sarkastikë, ata pushtetarë, gjykatës e prokurë të korruptuar,që në emër të popullit dhe ligjit, duke vjedhur dhe mashtruar, tjetërsohen në “bejlerë të rinj”, më të pasur se të vjetrit. Ja si i fshikullon ata poeti: “Në pushtet, kur u ngjit horri,/prona s’kishte prona mori/Surratin, që i ndrin nga yndyra,/nuk ja njeh as pasqyra/Hiqen si burra të mirë,/qafë trashur, flokë lëpirë /Shqipërinë e bënë lopë ,/fukaran’ e shtinë në gropë’’(17). Figuracioni i vargjeve të tillë pamfletiko-sarkastikë është sa metaforik, aq dhe i drejtpërdrejtë, sa që shpesh s’ka nevojë për komente. Në shënjestër të humorit dhe satirës së këtij vëllimi poetik janë vënë edhe individë të veçantë të shoqërisë së kohës, siç janë hipokritët dhe gënjeshtarët, të cilët populli i thërret me nofkën epitetike “faqezinj”. Ja si i karakterizon vjershëtori ata në vargjet: “O i ziu, faqeziu, vret dhe të vërtetën/Me uj’të fëlliqur,ndot edhe kënetën./Kurrë s’e lë zanatin,kështu e gris jetën/Me blozë qymyri,të nxin edhe jetën’.’(20) Për autorin, mburravecët, egoistët dhe karrieristët, njerëzit e etur për pushtet e para, kur i hipin kalit sëprapi nuk dinë t’i zbresin më. Për t’i goditur ata me thumba sarkastikë, autori shkruan vargjet: “Mos u mburr, kot mbi samar të kalit/Të fort’ nuk të bën, bishti  gjatë i shatit/Pa fuqi dhe vlera,kot i ngjitesh malit’’.(24). Objekt i ironisë, humorit dhe satirës së Kadri Tarellit, janë bërë edhe të paditurët mburravecë, të cilët ai i quan “kokëboshë”, por me marifetet dhe dredhitë e tyre rrëmbejnë poste e funksione të rëndësishme të pushtetit. Për t’i fshikulluar ashpër këta të paaftë e marifetxhinj, poeti përdor vargjet satirikë: “Në do pun’të mos mbarosh,/shko e gjej një kokëbosh,/që e mbledh ujin me shoshë,/dhe mbahet si gjel-kokosh”. Njerëz të tillë, edhe pse të paditur dhe injorantë, hiqen edhe mendjemëdhenj e sqimatarë. “Mbahen rëndë në çdo kuvend/Që të flasin s’lënë askënd’’. Ata e kanë për nder të mburren e krenohen me fjalët: “Edhe pse pa shkollë jami,/plot pushtet e para kami”.

Në poezitë e Kadri Tarellit, krahas stigmatizimit të dukurive nrgative  të ditëve tona, bëhet dhe promovimi i virtyteve dhe dukurive  pozitive të  shoqërisë dhe njerëzve të kohës së djeshme dhe të sotme, siç janë: atdhedashiuria dhe krenaria, heroizmi dhe devotshmëria për t’i shërbyer kombit, atdheut, shoqërisë dhe individit. Si etalon i këtyre virtyteve të rralla shqiptare, vjershëtori Kadri Tarelli bën motrat Qirjazi, për të cilat shkruan vargjet: “Pena juaj grykë dyfeku/flamur për Shqipëri/Fjala juaj, kushtrim lirie/trimat ju patën zili”. Një vend të dukshëm në këtë lloj poezish zë lufta, paqja dhe sakrifica sublime në emër të lirisë e pavarësisë. Për të promovuar këto vlera të rralla,a utori mer shembullin e qëndresës heroike të Adem Jasharit, i cili ra heroikisht në emër të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Është kjo arsyeja që autori i këtij vëllimi poetik, në emër të Kosovës i drejtohet  me vargjet apostrofike: “Ku je komandant, o Adem Jashari/Si shqiponjë u hodhe, ti në luft’ i pari/Nuk të trembi gjylja,as të trembi zjarri’’. Aq e fortë ishte qëndresa e tij në atë luftë, sa që “Gjer në qiell u ngrit pishtari”, përmes të cilit vjershëtori do të thotë se ky Hero, edhe pse u vra, moralisht triumfoi mbi vdekjen. Është kjo arsyeja që Adem Jashari “Hyn në këngë burrash, si një djep lavdie”. Ndërsa luftëtarit Isuf Veseli, që luftoi për mbrojtjen e Kosovës në luftën e vitit 1918, autori i vë në gojë vargjet, sa metaforikë, aq dhe të drejtpërdrejtë: “S’duroj shkiaun të na shkelë/S’duroj sërb e malazes/Për Kosovën luftën ndez /Këmbë pushtuesi të mos mbesë’’!(23) Vargje të tillë, me ngjyrime të thella apostrofike, janë kthyer në çdo kohë “trumbeta” metaforike, që kanë nxitur atdhetarët e vërtetë në luftë kundër pushtuesëve e sundimtarëve të kohëve të ndryshme. Ndërsa, për të lartësuar figurën e artistit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu, si dhe për të fshikulluar mungesën e përgjegjshmërisë së organeve të pushtetit lokal për ruajtjen e monumenteve të kulturës siç janë: bustet, skulpturat dhe pikturat, kushtuar figurave të shquara të luftës, artit dhe kulturës, poeti shkruan dialogun poetik satirik: “O Mojsi artisti,pse qënke mërzitur”?! Ndërsa busti i tij, si të ishte i gjallë, i dëshpërur thellë përgjigjet: “Syrgjunosur mbeta, në pallat i mbyllur/Dua të shoh dritë,shpirti më rri ndrydhur/Me lot po krip detin,me sy po nxij diellin/Me krahë të thyer,po ngjyros dhe qiellin’’.(26)

Me një frymëzim të natyrshëm, sa të drejtpërdrejtë aq dhe metaforik, burojnë nga shpirti poetik i vjershëtorit edhe vargjet: “Shqiponja puth retë,plisi po zbardh malet/Bashkë ndajn’ gëzimet, tok i mbajnë hallet./Flamuri në ballë,gjakun ndez rrufe/Plisi i ngjesh armët,për komb e atdhe”. (39) Një vend të dukshëm në këtë vëllim poetik zënë vargjet që zbulojë dramën e ndarjes së nënës me birin e vetëm dhe të djalit të sapomartuar me vajzën e tij të zemrës pa ja nxjerrë mallin, në kohëra të ashpra luftrash, për liri e pavarësi. Për të për të përçuar këtë mall dhe trishtim të thellë, autori shkruan vargjet me kolorit popullor baladik: “Në luft’ iku djali, nuk dihet ku mbet/U verbua nëna,me Zotin po flet/Lotët si burim ,e mbushën një det/Ktheu bir i nënës,vdekja  më thërret/Pa të par’ me sy, dheu nuk më tret”. Ndërsa, nëpërmjet vargjeve, sa metaforikë aq dhe alegorikë: “Ike burrëziu,mua më le vetëm/Farë kërkon ara,plugun tënd po pret”, shpreh jo vetëm dramën e saj, por edhe mallkimin për ata, që me luftërat e tyre shkaktojnë ndarje të tilla tragjike mes burrit dhe gruas, pa e nxjerrë mirë mallin e martesës.

Dashuria në vjershërimin erotik të këtij autori ka erën dhe shijen e luleve dhe ëmbëlsinë e currilave të mjaltit, të cilat duket sikur kullojnë nga “çezmat” më moderrne të kohërave, siç janë hojet e freskëta të dyllit, të ndërtuara nga bletët punëtore. Për të argumentuar këtë mendim mjafton të shkëpusim disa nga vargjet më pikante të poezisë erotike “Kënga e bilbilit”:  “Gështënj’ e paprerë,/po pëlcet nga zjarri/Dil moj dil në derë,/se të pret beqari/Lëndin’ e pashkelur,/do kositur bari./Shegët duhen mbledhur, i poqi behari”. Për djaloshin, vajza që dashuron është: “mjalt i patretur”, “lëndinq e pashkelur’’, “shegë e ëmbël” dhe me “me faqet e kuqe si mollë”. Vjershërimi i Kadri Tarellit është një vargëzim me kolorit të thellë popullor qytetar që buron natyrshëm, herë si ujët e krojeve dhe herë si valët e detit. Ai është një vjershërim i matur, me një muzikalitet të brendshëm ritmik, i shoqëruar nga një gjuhë të ngrohtë dhe një figuracion sa të thjeshtë aq dhe metaforik, që të bën të ndjesh dhe të meditosh, të shijosh dhe të këndosh i shoqëruar nga vargje sa ritmikë, aq dhe melodiozë.

 

Share This Article
1 Comment
  • Me ju lumte si ARES dhe Fares; Krijuesit te mirenjohir Kadri Tareli sa Penes suaj dimesionale,i nderur Sejdo Harka. Vepra e Kadri Tarrli sa ajo e te paharruari Ytbi Tareli,i vellai i nderur, mjeshter i penelit, deri ne Kosove Shkuar e ngritur lart figuren e Heroit saj sa mbare shqiptareve te pa harruarit Adem Jashari.Mes Torntos jetojme me te ne mendie e ne zemer. Pershednetie te nderuarit Kadri sa ju i pa lodhuri Sejdo Harka,sa na sillni.
    Ne krah kam mbi 80*pasues Veterane*
    Me ju jetojme,MELHEM na sillni.

    85 vjecari *Pasues veteran*
    Toronto02-06 2021. Dh. Xhoga.- Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *