Një kuvertë, shumë sanduiçe e fruta në shportë, një lëndinë dhe një ditë e bukur me diell” – thuhet se kaq duhet për një piknik në fundjavë. A mjafton? Sigurisht, duhet vetëm të organizoheni. Do të thoni ju, ku ta shkojmë, Tirana nuk ka parqe.
Epo duhet të lëvizni pak, brenda vijës së verdhë të kryeqytetit është thuajse e pamundur të gjesh hapësira të tilla, por nëse i afroheni malit të Dajtit, nuk do bënit keq. Kjo është periudha më e mirë kohore që të organizoheni dhe këtë mund ta kenë bërë shumë nga ata që po na lexojnë. Ju që nuk keni kaluar një ditë të tillë ende, ky është momenti.
Për të mësuar më shumë rreth këtyre terreneve, kemi folur me Mikela Kakelin. Ajo na tregon dashurinë e saj për natyrën. Sapo mbaron orarin zyrtar të punës, të premteve ajo mendon që e shtuna ta gjejë në një shteg tjetër natyror. Mikelën nuk mund ta gjejmë asnjë fundjavë në rrugët me asfalt. Ajo udhëton. Aq më tepër tani që pranvera është bërë më miqësore. Ajo, gjithmonë, organizohet me shoqërinë për të dalë jashtë Tiranës.
Një palë këpucë mali apo sandale, në varësi të terrenit, kapele, syze, një çantë shpine me vete dhe është gati për t’u nisur në një vend që nuk e ka shkelur asnjëherë. Me miqtë dhe njerëzit që ndajnë të njëjtin pasion ka gjithmonë një vend, ku takohen mëngjeseve ende pa zbardhur dita. Më pas, mesdita e gjen patjetër në një majë mali. Mikela është personazhi që vjen për të na treguar eksperiencën e saj të udhëtimeve. Ajo është një vajzë që gjithë javën e kalon në zyrë. Ndërsa fundjavës nuk i zënë këmbët “dhe”.
Mikela, si një vajzë që gjatë javës jeni në punë, në institucion, si i organizoni fundjavat tuaja?
Ne udhëtojmë çdo fundjavë, ngado nëpër Shqipëri. Përgjithësisht, organizojmë udhëtime njëditore. Ditën e shtunë, udhëtimet janë shumë të përshtatshme për ata që duan të nisin udhëtimet në natyrë, fillimisht pa shumë ngarkesë fizike, si dhe për fëmijët dhe prindërit që duan t’i nxisin fëmijët e tyre drejt pasionit për malin dhe natyrën. Ndërsa ditën e diel, udhëtimet janë me më shumë ngarkesë fizike. Të dielave shëtisim nga 5-6 orë deri në 8-9 orë. Mund të jetë ecje, ngjitje e zbritje, në vende të ndryshme në natyrë, male, lugina, kanione etj., sipas stinës. Por nga më të veçantat janë udhëtimet dyditore ku flemë me çadra kampingu, ose dhe në bujtina të ndryshme në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug, të cilat i veçoj më shumë ngaqë kalojmë shumë kohë me njëri-tjetrin. Kjo na jep mundësinë të afrohemi e të njihemi më shumë me njëri-tjetrin. Pasi ngremë çadrat e kampingut, ku punojmë të gjithë e ku shihet më mirë dhe fryma pozitive që kemi në grup, mblidhemi rreth zjarrit që ndezim në mbrëmje dhe ndajmë kështu ndërmjet njëri-tjetrit çaste të paharruara. Më pas, diku rreth mesnatës, shpërndahemi nëpër çadra. Orët e mjaftueshme të gjumit, bashkë me përgatitjen fizike, janë shumë të nevojshme në të tilla veprimtari.
Zakonisht, komunikojmë nëpërmjet Facebook-ut. Por tashmë është bërë zakon që çdo të shtunë dhe të diel, të kemi vendin tonë të takimit, i cili është tek stadiumi kombëtar i futbollit, nga ku nisemi në orët e para të mëngjesit, drejt destinacionit të radhës.
Cili është vendi më i veçantë që ke shkuar?
Për mua dhe të gjithë grupin, të gjitha janë vende shumë të veçanta. Madje dhe nëse shkojmë për të disatën herë, pasi çdo herë është ndryshe. Sepse ndryshojnë kushtet e motit, ndryshon stina, ndryshon terreni, madje ndryshon dhe pritshmëria e secilit prej nesh. Por nga të gjitha, ndoshta do të përmendja ngjitjen në majën e Tomorit, fundjavën që shkoi, një nga malet më të bukura në Shqipëri. Dua të përmend edhe ngjitjen në majën e Jezercës, Korabit etj. Veçantia qëndron më shumë në arritjen e synimit, pushtimin e majës, tek kushtet e motit, koha e këndshme që kalojmë me njëri-tjetrin, humori pikant që tashmë ia njohim shumë mirë njëri-tjetrit, apo në ndonjë detaj tjetër që është i veçantë për çdo udhëtim.
Cilat janë gjërat bazë që merr me vete sa herë nisesh për një udhëtim?
Për gjërat bazë që marrim gjithmonë me vete, ndjekim udhëzimet e Nikut, udhërrëfyesit tonë, i cili nuk harron kurrë të na i rikujtojë sa herë që na njofton për udhëtimin e radhës. Të rinjtë që vijnë për herë të parë me grupin tonë mund t’i gjejnë udhëzimet në fund të çdo njoftimi. Ndërsa për grupin e atyre që tashmë janë të rregullt në udhëtimet tona, është bërë e zakonshme që për shembull, çdo herë që ecim në kushte bore apo shiu të marrim një palë këpucë të tjera me vete, një palë ndërresa, përveç atyre që kemi veshur, në mënyrë që të ndërrohemi në kthim, në rast se lagemi gjatë udhëtimit. Gjithashtu, një këshillë për t’u pasur gjithmonë parasysh është që me vete duhet gjithmonë ndonjë gjë për të ngrënë, si çokollata, biskota, fruta të ndryshme, si dhe fruta të thata, pasi ato të japin energji. Nevojitet, gjithashtu, ujë, të paktën 1.5 litra për njeri. Në kohë me diell të fortë, përveç këtyre më sipër, nuk duhen harruar edhe syzet e diellit, kapelat dhe krem për mbrojtje ndaj diellit.
Ju vetë, kur keni filluar të bëheni mike e natyrës?
Unë, që fëmijë, mbaj mend që më kanë pëlqyer daljet në natyrë. Ndërsa, me këtë rendiment pothuajse të përjavshëm, kam filluar, që kur jam njohur me Nikun (Fisnik Muça) dhe Janin (Jani Ziso), Presidentin e Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe grupin e udhëhequr prej tyre “High Albania Mountain Club”, të mos e ndërroja me asgjë në botë!

