Koha për të çrrënjosur berishizmin

anazapta

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë Pajtim Bello, një nga njohësit më të mirë të procesit të privatizimeve në vend, por edhe një nga kritikët më të rreptë të qeverisjes së Berishës në tetë vitet e fundit, në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ thotë se më 23 qershor Berisha u përzu nga zemërimi popullor për shkak të zullumeve të pafundme që ka bërë. Zoti Bello i quan antiligjore të gjitha vendimet që po merr qeveria në ikje, të cilat kanë vetëm një synim: t’i krijojnë sa më shumë vështirësi qeverisë së re. Ndërsa lidhur me dënimin e Berishës për krimet dhe veprat antiligjore, Bello thotë se në radhë të parë duhet punuar për çrrënjosjen e berishizmit si filozofi, plaformë dhe praktikë. Kjo do të bëjë të mundur vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë individëve, përfshi edhe Berishën, që janë autorë të keqbërjeve të mëdha. Çdo të bëhet me privatizimet e paligjshme, shoqëritë koncesionare dhe me Sahit Dollapin…


– Zgjedhjet e 23 qershorit thuhet se ishin një verdikt i fuqishëm i popullit kundër qeverisë Berisha. Ju mendoni kështu?

Është një votim mbarë popullor, që shpreh një mllef të grumbulluar në tetë vitet e keqqeverisjes të Sali Berishës. Pra Z. Sali nuk u mund, por u përzu nga zemërimi popullor dhe ai këtë duhet ta lexojë mirë, sepse rezultati lidhet me paudhësitë e tij personale, të qeveritarëve dhe përfaqësuesve të vet në çdo nivel qeverisës. Shqiptarët nuk mund të duronin më poshtërimin prej politikave Berishiane, varfërimin e shkaktuar nga Sali Berisha, sjelljet pirateske qeveritare të denja për piratët somalezë, korrupsionin e shndërruar në institucion, vjedhjen e votave, vrasjet dhe represionin ndaj shqiptarëve etj… Reagimi me kurajo qytetare ishte një arritje cilësore dhe historike e popullit shqiptar, që do të mbahet mënd.

– Sidoqoftë Berisha nuk ka ikur. Ai vazhdon të jetë kryeministër i vendit deri në shtator dhe si kryeministër merr vendime, shet dhe blen, rrit rroga e pensione etj. A janë të drejta këto vendime të kësaj periudhe?

Kjo do të thotë se Z. Sali nuk ka nxënë mend dhe do të vazhdojë të rëndojë ngarkesën e zullumeve. Ky njeri ka praktikë krijimin e tokës së djegur dhe duket që këtë ëndërr do ta përmbushë edhe në këtë përzënie. Z. Sali në 23 Qershor humbi besimin dhe mbështetjen politike në popull. Kjo nënkupton se ai nuk ka të drejtë të marrë vendime me efekte financiare apo që kanë të bëjnë me shitje të pronës publike. Çdo akt i kësaj natyre është qëllim keq dhe sjell pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, tashmë të shpartalluar. Z.Sali duhet të punojë vetëm për të kaluar pushtetin në kohën e ushtrimit të procedurave standarde ligjore e kushtetuese. Duket që ai po bën të kundërtën dhe kjo është strategjia e tij, për të vënë Qeverinë Rama 1 në pozita të vështira qysh në nisje. Duket që për këtë qëllim destabilizues i ka bërë gabim llogaritë. Me përpjekjen për t’i vënë shkopinj nën rrota Qeverisë se Re, ai po rrit koston e ikjes së vet, gjë kjo që shton edhe përgjegjësitë e tij personale në këtë ikje.

 

– Është hapur një debat nëse duhet çuar apo jo Berisha para drejtësisë për krime të tilla si 21 janari, Gërdeci etj. Ju jeni që Berisha të dalë në gjyq?

Për mua çështja shtrohet a do të luftohet Berishizmi?! Me këtë dua të them se lufta nuk është më çështje personash apo personale, por ballafaqim e luftë filozofish, platformash dhe praktikash. Vetë Berishizmi është filozofi, platformë dhe praktikë qeverisëse dhe nëse arrijmë t’i shkulim si të tilla, në vend që të vemë vetulla do të nxjerrim sytë. Fjala vjen duke luftuar ringritjen e institucioneve dhe të shtetit ligjor do të goditet filozofia e Sali Berishës në këtë fushë të rëndësishme, ndërkohë do të nënvizohen edhe përgjegjësitë e tij. Ose duke bërë një luftë të shenjtë ndaj korrupsionit, do të ndeshemi me filozofinë, platformën dhe praktikat korruptive të Sali Berishës dhe qeverisë së tij; ndërkohë që do të dalin përgjegjësitë personale në këto praktika korruptive. Duke u ndeshur me filozofinë, platformën dhe praktikat e berishizmit për të kufizuar të drejtat e lirinë e qytetarëve, do të ndeshemi me ato zullume që ka shkaktuar berishizmi, Berisha dhe qeveritarët e tyre. Kështu duket se është e pa shmangshme, që përgjegjësia të mos adresohet për ngjarjet konkrete si Vjedhja e shekullit në Rrugën e Kombit, Kataklizmoja e Gërdecit, vrasjet shtetërore të 21 Janarit, shkeljet kushtetuese në deformimin e rezultateve zgjedhore për disa herë rresht, vjedhja dhe grabitja e pasurive publike përmes praktikave korruptive gjoja koncesionare e privatizuese etj.. Pra nisja do të bëhet në çrrënjosjen e filozofisë, platformës dhe praktikave të berishizmit dhe përgjegjësitë patjetër do të adresohen individualisht, duke bërë edhe ndëshkimin e qeveritarëve përfshi edhe Sali Berishën, përmes procedurave ligjore. Këtu nuk kemi të bëjmë me gjueti shtrigash. Përkundrazi, ky është një proces i lidhur ngushtë, i domosdoshëm dhe kusht i suksesit për Mazhorancën e Re.

 

– Ju kini qenë ndër kontestuesit e mëdhenj të kësaj qeverie që po ikën në shumë aspekte të veprimtarisë ekonomike dhe privatizimeve. Mendoni se dëmi i shkaktuar ekonomisë sonë mund të rikuperohet nga qeveria e re?

Unë kam kontestuar vendimet dhe veprimet e menduara e të pa papeshuara të qeverisjes që po ikën. Këtë nuk e kam bërë thjesht si opozitar, por si njohës i fushave respektive dhe i kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e këtyre fushave. Një pjesë e kritikave të mia tashmë janë provuar, shqiptarët dhe ekonomia po vuan e po paguan për gabimet e mëdha të qeverisjes së Sali Berishës. Mjafton të kujtojmë privatizimin e pa përgatitur të ish Operatorit të Shpërndarjes të energjisë elektrike (OSSH sha dhe tashmë ÇEZ Shpërndarje) dhe shtetëzimin e saj të bërë në tetor 2012-shkurt 2013 e në vazhdim, privatizimin e ARMO sha tashmë një privatizim tërësisht i dështuar në qëllimin strategjik, nisjes së privatizimit të Alpetrol sha, privatizimit aspak të drejtë e antiligjor të katër HC-ve gjatë fushatës elektorale maj-qershor 2013 etj.. Edhe këto duhet të jenë objekt i hetimit shtetëror në rrugë administrative dhe penale. Por problemi është se Qeveria e Re jo vetëm se duhet të tregojë çfarë ka ndodhur e të dënojë shkaktarët, por mbi të gjitha duhet të arrijë të ndalojë e të rikuperojë rrjedhën dhe vlerën e dëmit. Kjo është jo tërësisht e mundur dhe do të bëhet për aq sa dhe si duhet.

 

– Drejtori i CEZ, Sahit Dollapi, vazhdon të flasë për histori suksesi të kompanisë që drejton. Ju vazhdoni të jeni i mendimit se Dollapi dhe CEZ vazhdojnë të zhvatin xhepat e shqiptarëve dhe a duhet të vazhdojë Dollapi të administrojë CEZ-in dhe në qeverinë e re?

Nuk ka rëndësi çfarë thotë Z.Sahit Dollapi, por çfarë ndodh në të vërtetë. Për këtë le t’iu referohemi shifrave, fakteve dhe jo fjalëve. Për gjashtë mujorin e parë të viti 2013 humbjet e energjisë elektrike luhaten në kufijtë 50-56 %, tregues ky katastrofik. Për gjashtë mujorin e parë të viti 2013 janë arkëtuar 0.825 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e viti 2012, pra administrimi duket se ka rënie të ndjeshme. Blerja e mallrave, e shërbimeve dhe kryerja e investimeve është bërë pa zbatuar kontratat e parashikuara nga Ligji Për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet e Vendimet e ERE-s, bëhet fjalë për abuzime me miliona euro të kësaj shoqërie. Rekrutimin e punonjësve në nivel qendror dhe lokal e ka bërë me kritere thellësisht nepotike familjare e politike dhe gjithë shoqërinë e përfshiu në fushatë elektorale për PD-në. Unë mendoj se Qeveria e Re nuk mendon të lejojë vazhdimësinë e një administrimi që është shembëlltyra më e shëmtuar e një administrimi shtetëror, por si e kur të rregullojë situatën teknike, operacionale dhe financiare të kësaj kompanie me rëndësi strategjike për të gjithë shqiptarët dhe ekonominë e vendit. Ky është një mision i rëndësishëm dhe jo i lehtë, i cili nuk arrihet me një ditë; po Qeveria Rama 1 do ta bëjë pa hezitim.

 

– PS ka kundërshtuar procesin e privatizimin e HEC-ve dhe koncesionet e disa minierave si dhe lotarinë kombëtare. A duhen rishikuar dhe anuluar ato?

Me njohjen time unë mendoj se janë mundësitë për t’i rishikuar dhe anuluar këto koncesione e privatizime dhe kjo do të bëhet. Ka arsye të forta ekonomike dhe ligjore që krijojnë shkas për fillimin e procedurave të anulimit, për këto koncesione e privatizime që Qeveria Berisha i bëri në ikje e sipër!.. Kjo do të bëhet për këto koncesione e privatizime të “shënuara” dhe nuk do të hezitohet të bëhet edhe për të tjera raste të ngjashme, ku janë dëmtuar interesat e shqiptarëve gjatë dhënies së koncesioneve e privatizimit apo gjatë ushtrimit të së drejtës koncesionare apo edhe pronësore.

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Te gjithe Hajdutet me ne krye Sahit Dollapin duhen derguar para drejtesise.Hajduteria eshte ne permasa katastrofike.Do te cuditeni shume nese ne CEZ dergohet nje grup auditi.Jane te gjithe genjeshtra shifrat qe jep Dollapi.Z Bello ceshtja ne lidhje me kompanine CEZ duhet marre shume shume seriozisht se situata eshte shume e rende!

  • Është një votim mbarë popullor, që shpreh një mllef të grumbulluar në tetë vitet e keqqeverisjes të Sali Berishës-thote Bello.

    Po ky mllef mbare pallallore,cfar lloj mllefi paska pasur kur e la PS-ne ne vend numero e paska votuar gjithe mllef Levizjen Socialiste per te na Integruar.

    Levizja Socialiste e cila ishte e kryeakuzuara e Partise Socialiste deri ne kufirin e zevendeskryeministrit per korrupsion,.

    Per te cilen u dogj Tirana,u masakruan forcat e rendit u sulmua e u thye porta e Kryeministrise se Shtetit Shqiptar,qe per pak desh e bene si ne Libi qe hyne ne ambasaden amerikane e bene hatane.

    Pra e kryeakuzuara e vete Partise Socialiste qe kish qendruar ne pushtet 1370 dite,pra ne Berishizem sic thote z Bello.

    Do crrenjoskan Berishizmin me 9 jave opopopopzite.

    Pasi nga 4 deputete e qe nga populli nuk do te merte as dhe nje na doli me 16 kembe,pra na qenka votuar nga copa e mishit me dy sy populli 1400% me shume.

    Jo zoteri,ju tani do e forconi Berishizmin,por ti nuk e kupton dot tani,por me pak se gjysme viti do kuptoni.

    Pasi ka ikur koha e perallave me kukulla humoristike.

    Sepse trupin e Berishes e keni brenda(LSI-ne),qe nga bebiopozite 9 javeshe,na qenka votuar me 1400% me shume.

    Qe i bie,sikur Hena na qenka me e madhe dhe me e rendesishme se vete Toka.

    Po a bie shi ne shretetire qe ta besojme nje gje te tille?????

    • O Fleks-o,mos i qaj hallin dashit se po i BIEN BOLET,JOOOOO???
      Ilirin e mbajtet vete per te SUNDUAR ,vjedhur e vrare,ndersa tani nuk keni goje ta shani!!!
      Ju KERMAT E Berishes,duhet te mbyllni HALETE se qelbet dynjane!!!
      Ne BURG do vene te gjithe,qe nga Berisha e ju kelyshet e tjere te tij!!

  • CRRENJOSJA E BERISHIZMIT VJEN DUKE NDESHKUAR ME PARE BERISHEN.

    dhe jo anapolla me fillozofi albaneze. Por crrenjosja e berishizmit nuk mund te vije pa bere crrenjosjen e enverizmit si nje fare e KEQE qe ka hedhur rrenje kudo ne trojet shqyptare qe nga vitet e largeta 44 te shekullit te kaluar. Ne Kroaci nuk bene fillozofi shume me kryeministrin e tyre Sanader, por e kerkuan dhe e gjeten ne brimen e miut ku ishte fshehur ne Austri dhe e nxorren para Drejtesise fet e fet dhe e denuan me burg te gjate. Perse thua ti o zoti Bello qe fillozofon kaq shume per ndeshkimin e Sali Berishes? Per shperdorime te fondeve publike o zoti Bello qe do te crrenjosesh berishizmin kur shqyptaret akoma nuk kane crrenjosur enverizmin dhe e mbajne Enver Hoxhen si HERO te popullit dhe te punes socialiste. Qysh keshtu po kush e mban? cuditesh ti more zoti Bello. Ta thote nastradini: Nga Parlamenti shqyptar i Jozefines dhe i sigurmisave te Partise se Punes para saj.

  • Ky Sahit Dollapi mos eshte fare e fis me Dem Dollapin qe i mbushte hambarin Berishes, nga leke te pista?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *