Librat ishin një nga prurjet më origjinale dhe më bajate të 2012’s në Shqipëri.
Origjinale për aq sa pati libra që sollën risi. Bajate për aq sa pati libra thellësisht
të këqinj jo veç në të shkruar, por të turpshëm në brendësi për shkak të
cektisë së tyre, të punës kërkimore (kur duhej) joekzistuese, dhe për shkak
të shfrytëzimit në mënyrën më amatore të mundur që mund t’i bëjë dikush që
di shkrim e këndim burimeve historike apo të dhënave bashkohore. Besoj se
gjatë këtij viti ne pamë se në Shqipëri kushdo di mesatarisht shkrim e këndim
mund të bejë liber, por duke shkruar pa pas lexuar gjatë jetës së vet asnjë gjë
të qenësishme, përjashto ndonjë libër shkolle/universiteti, ndonjë biografi,
ndonjë çikë letersi dhe copa artikujsh. Meqë librat e studiuesve profesionistë,
publicistëve fort të lexuar e intellektualëve me horizonte të thella marrin kohë
e s’mund të dalin si vezët e pulës çdo mëngjes, tregu u mbush me gjithfarë
prodhimesh që nuk kishin shumë alternativa më të mira për t’i sfiduar në
fushat përkatëse, prandaj në tërësi përsa i përket botimeve qemë dëshmitarë të
përballjes së shkeleshkove me shkeleshkotë të cilët i thurnin lavde njëri-tjetri, po
ashtu shkeleshko.
Në fund të fundit dhe më thënë të drejtën, për një klasë shkrimkënduese të
vetquajtur intelektuale, oksigjeni, arësyeja e ekzistencës, bashkëpunëtorja
në korrupsion e mashtrim e një lexuesi që nuk e prek fjala, një mendjeje
të pamundur të kalojë limitet e impozuara mendimit nga totalitarianizmi,
një depozitë të enciklopedike e riprodhues djallëzish që mban karrigen e
kryeministrit nuk është se pritej ndonjë gjë më shumë. Gjithsesi, është e
habitshme prodhimtaria e fjalëve boshe, fjalive koti e paragrafëve pamendim me
të cilat këto mbushën faqe të tëra. Nga ana tjetër është i pamohueshëm fakti se
në furinë e librave që na u hodhën përpara nga gjithfarësoj shtëpiash botuese,
kishte disa, duke përfshirë poezinë veçanërisht letërsi, një pjesë përkthim, apo
përkthim shkencor, ndonjë shkencor dhe disa publicistikë të cilët shpalosnin
mendimin shqiptar i cili është thellësisht ndryshe nga të sipërpërmendurit,
veçanërisht përsa i përket thellësisë së mendimit dhe shqipes së përdorur.
Personalisht më dhemb koha e dhënë autorëve mediokër kur ka kaq shumë të
tjerë, jo veç në shqip e kam fjalën, për t’u lexuar. Por, në çdo rast dhe këto do
të ishin më të dobishme në fakt se orë të tëra bisedash në kafene, a gjithfarëlloj
aktvitetesh të padetyrueshme a të shpeshta “fastfood” që mbushin një boshllëk
të momentit ndërsa çorodisin organizmin në afat të gjatë e të shkurtër. Se në
fakt, problem ynë, nuk janë këto libra, por mosleximi në tërësi. Mosleximi nga
fillimi në fund dhe leximi i kujdesshëm, leximi ndërrjeshta, nënrrjeshta, përtej
rrjeshtave, leximi i thellë. Çdo libër është punë me durimin, thotë një intelektual i
njohur, por mesa duket për dhjetra arësye, disa legjitime, shoqëria shqiptare nuk
po e tregon këtë durim. Në fakt po të lexonim do bënim shumë më mirë ndarjen
mes autorëve që mbushin faqe dhe atyre që thonë diçka, mes atyre që na shiten
si intellektualë dhe atyre që janë të tillë, por nuk i lexojmë mirë as njërën pale as
tjetrën. Duke mos i lexuar ne vemë shpejt shenja barazimi mes atyre që s’janë të
njejtë. Duke mos i lexuar ne na shitet për i ditur çdokush me një libër a disa.
Mungesa e leximit që s’ka lidhje me shfletim faqesh a kalim sysh rrjesht për
rrjesht na ka dënuar veçanërisht në aspektin e përfaqësimit politik. Çdokush “i
ditur fort me gjithë ato libra” na ka shitur si të vlefshëm fort çdokënd, por dhe
duke mos i venë rendësi fjalës, duke mos lexuar mirë atë çfarë thotë njeri a tjetri
ne jemi përfaqësuar me gjithëkënd. Për më tepër, duke lexuar sipërfaqësisht
ne kemi pranuar nje shtet, qoftë dhe rënë viktime e impozimit të një shteti
thellësisht fukara në ligjërim. Akoma pranojmë a jemi viktima të ministrave
gjuha e të cilëve është një fyerje për çdo qenie që di normalisht shkrim e këndim
e ka një ndërgjegje mesatare. Mund të jetë prodhimi në bashkim tingujsh i qarkut
të thive të pushtetit që na ka neveritur nga fjala, por me gjithe fjalët boshe të
shkruara e thëna në 2012, e me gjithë dhunën verbale që na e përplas në fytyrë
çdo ditë si bajgë pushteti ndërsa këta “intelektualët “ e vet na e “analizojnë” si
spërkatje parfumi mrekullie të lirisë, them se ka ardhur koha të ndalemi tek fjala.
Të ndalesh tek fjala, do të thotë të lexosh, të dëgjosh pa paragjykime, të ndjekësh
fjalën, të shohësh si formohet fjalia, si rrjedh mendimi nga fjalia në fjali, çfarë
i thotë ky i fundit mendjes, shpirtit, mundit, respektit për veten, gjuhën sa e
pasuron, gjuhën si e përdor, sa e respekton… Kjo nuk është aspak të merresh
me fjalë e jo me punë, është pikërisht e kundërta, të kuptosh se fjala është
prodhimi i një pune, jo me llafe, por me mëndje, me shpirt, me mund, me orë të
tëra aktiviteti profesional e intelektual. Cilësia e fjalës, fjalisë tregon cilësinë e atij
aktiviteti dhe atij mundi dhe kurrë s’ka ndodhur që dikush me thellësi mendimi,
artikulim të pasur e respekt për gjuhën të jetë jo cilësor në punën që bën a ka
marrë përsipër të bejë. Në fakt është duke na ç’vlerësuar fjalën që na presin në
besë, s’na japin fjalën, por japin premtime, s’mbajnë fjalën, por mbajnë fjalime.
Në fakt është duke na ç’vlerësuar gjuhën që na kanë çvlerësuar dhe si qytetar.
Nuk e emociohen para nesh, thjesht na hedhin fjalinë e radhës, sepse ne jemi të
mbyllur për t’i dashur a për t’u revoltuar nga fjalët e asaj fjalie.
Prandaj nëse diçkaje i ka ardhur koha në 2013 ai është leximi, ndjekja e fjalës,
marrja e saj seriozisht për të mos pranuar bashkime tingujsht si fjalë, as mullare
fjalësh si fjali, as kapica fjalish si mendim, sepse mendimi rrjedh nga puna, dhe
vërtetë ne kemi nevojë tashme më shumë se kurrë për njerëz puntorë. Për aq
sa nuk kemi lexuar si lexohet në 2012, për aq sa na kanë neveritur leximin tash
sa vjet, për aq sa jemi vetdënuar të dëgjojmë këdo dosido e si rrjedhim të na
drejtojnë, sundojnë, marrin poste e bëhen çdo gjë dosidotë e shkeleshkotë, është
koha për t’i kthyer respektin e munguar fjalës, domethënë vetvetes se tek fjala
fillojmë secili. 2013 është një mundësi unikale për të rigjetur fjalën, besën tonë të
humbur. Mundësia e vetme tashmë ndoshta, prandaj është koha për të lexuar…