Koha të flasim për Poçemin

redaktor

Parkimi nëntokësor bëhet në periferi të qendrës së qytetit dhe qytetarët ecin të shpenguar pedonaleve drejt qendrës, tha pak a shumë z.Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës në një takim me disa aktivistë për temën e parkimit nëntokësor tek Parku Rinia. Por u përball me pasthirmat refuzuese të pjesëmarrësve kur vuri gishtin tek Parku Rinia si zona periferike. Keqardhje për ata çuna dhe goca të Bashkisë që pranojnë apo nuk kuptojnë që ky nënparkim në qendër të Tiranës jo vetëm që nuk rregullon por shkatërron më tej Tiranën, e që është thjesht një skllavërim koncesionar.

Me djemtë e vajzat e Mjaftit në avanguardë “Reagimi Qytetar” ja doli të zmbrapsë koncesionin e plehrave që do t’i sillte Beçhetti nga Italia në 2004 për t’i vendosur mijrat e tonelatave në Kashar, e gjoja do prodhonte aty energji nga plehrat, që do të ishte forma më e shëmtuar e skllavërimit të Shqipërisë. Ja doli paq edhe me anullimin e ligjit të importit të plehrave, në fushatën 2010-2013. Por përsëri Beçheti e mban të skllavëruar Qeverinë Shqiptare me koncesionin e dhënë nga Nano qysh në 1998 për ndërtimin e HEC të Kalivaçit në Vjosë. Rama ka thënë para publikut në Qershor të 2013 se do punojmë që Vjosa të bëhet Park Kombëtar pa diga, dhe për HEC të Lengaricës pat thënë se nuk kemi para për ta hedhur në erë, që përkthehet se e meriton të hidhet në erë. Cudia është se 1 muaj më vonë pas këtyre prononcimeve, Qeveria ka dhënë bonus për HEC në Poçem mbi Vjosë.

Tashmë edhe populli e ka të qartë se do të kish aq të mira nga HEC-et e Kalivaçit e Poçemit, të Nivicës e Lengaricës sa ka pasur nga TEC-i i Vlorës apo koncesioni i Petroliferës, ku tani Rama do të ndërtojë port Jahtesh (shumë mirë) pranë terminalit të naftës së Petroliferës (shumë keq), që të vijnë bosët e jahteve për të thithur ajrin e naftës së Petroliferës. Dhe Petrolifera, që ka rrjepur lekët e shqiptarëve me TVSH që i di ajo si i ka deklaruae, si dhe ka rrjepur kodrat e Rradhimës, e vetmja punë që bën tani është të ndihmojë rrjepjen e naftës shqiptare nga një tjetër koncesionar rrjepës, Bankers Petrolium.

Skllavërimi koncesionar më elegant është ai i aeroportit të Rinasit, ku mund të fluturohej vetëm nëpërmjet Rinasit. Dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë si gjithë qytetarët europianë çmime më të lira për fluturimet e tyre, por duhet të udhëtojnë në Shkup, Selanik, Podgoricë etj.

Për arsye të gabimeve, fajeve, krimeve që janë bërë me koncesionet këto 2-3 dekada, nuk mund të lejohet të përsëriten. “Ilacin” e ka gjetur bota demokratike. “Pjesëmarrja e Publikut në Vendimmarrje”. Kjo po mungon në Shqipëri.

Raste të koncesioneve të gabuara të dhëna, dhe që janë gati për t’u dhënë janë të shumta. Në ndryshim nga koncesionet e karakterit të menaxhimit, që janë përgjithësisht me impakte afatshkurtra, koncesionet që kanë impakt në ambient janë shumë afatgjata me impakte negative të pakthyeshme.

Është koha sot të flasim për Poçemin. Po para se të flasim duhe menjëherë të ngrijë çdo procedurë tenderimi për Poçemin. Të ndajmë ç’është Zhvillim e c’është Yrysh.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *