Kohë e pa kohë, të kesh një dashuri (cikël poetik)

Leda Hysa

 

Kohë tjetër

Nuk janë më dëbornat e dikurshme,

hejet e zgjatur nuk ngrijnë më nën strehë,

erërat e murlanit janë zbutur,

vijnë rrotull natën si zonjusha budallaqe,

shirat bien mërzitshëm

si të mbështjellë nën çarçafë hiri,

i ftohti nuk të ngrin faqet…

 

Edhe fjalët e mia janë tmerrësisht të qeta,

kot e bind veten se është koha e tillë.

Vajmedet,

po mbesim larg njëri-tjetrit

si lumenj të tharë

në këtë kohë të bërë tjetër

ku fjalët nuk ngjisin,

ku asgjë nuk është si më parë!…

 

 

Ah, dimrat e ftohtë që panë

si e sillnin duart tona pranverën!..

 

 

PËRSËRITJE

Historia përsëritet pambarimisht
miku im,
në një skaj të pyjeve
unë jam stërgjyshi im,
druvar, i zbardhur nga motet,
djalë i ri, në natën e martesës,
prek brumin që ka bërë fisin tim
gjyshi im jam,
mbështetur në gardhishtet e lista,
dyzimi i së djeshmes,
rikthim i të parëve,
prag i së ardhmes,
kumti pagan i natës së zjarreve..

ditëfundi i tim eti,
koka e mbështetur në shkëmb,
ndjekur nga hijet dhe ëndrrat,
askund nuk jam dhe gjithkund jam.

Nesër, a pas një shekulli
një tjetër si unë do të vijë,
i butë,çamarrok, inatçi, i dashur,
dashuronjës si fëmijë,
i tradhtuar, tradhtonjës,
i heshtur, zhurmonjës,
bujk a poet,
shkapetësh dyersh a përkdhelës ëndrrash,
puhizë a dallgë mbi det,

unë do e mbaj atë
si më mbajtën mua,
qetësisht,pa zhurmë..
ai do të mbajë një tjetër,
si e mbajta unë…

 

KOHË E PA KOHË

As kohën dhe as hapësirën
nuk e kuptuam,

rrënonjat e tyre
na mbështollën
nën mjegullën e viteve,

nuk e ngritëm deri në fund
tempullin që donim,
megjithatë,
me emërin tënd e thirra botën,

Sonte, nën shiun vjenez,
e bind veten
Ti ishe arsyeja
unë isha fjala,

çfarë është thënë,
do e themi përsëri…

emrat nuk na duhen më,
Lëvizim sëbashku

biem
si ky shi…

Vjenë, buzëmbrëmje…

 

 

KUR TË KTHEHESH

Kur te kthehesh kësaj nate në shtëpi
do të gjesh nga unë
lulet e blirit të vjetër
në oborrin e shtëpisë së ëndrrave…

Këmbanëzat e argjëndta të fjalëve
do të tringëllijnë
si notat e harpës së vjetër..
ndërsa
nata kalon përmes syrit tënd,

do të doja të isha aty,
të të dashuroja deri në fundin e shpirtit
dhe përmes drithërimit
të të thoja
atë që e di prej një shekulli..

Pastaj, përmes puthjes së
Natës së mirë
të mos rikujtoja asgjë
veç mrekullisë së ardhjes tënde…

kujtimet lëvizin përmes luleve të blirit…

 

E VËRTETË

E vërtetë, kam dashuruar me shpirt,
Nuk ka asnjë nënkuptim, të fshehtë a përçartje…
Të duash me shpirt nuk është mëkat,
Megjithëse koha ish e mëkateve…

Nuk jam vërvitur pa shpresë,zhuritur nga largësia
Penduar nuk jam për asgjë,gjithçka është brenda meje,
Zotin me flatra e pashë , nga dashuria,
Pendimi nuk më vinte nga pas si një qerre..

Me shpirt kam dashur, si i marrë, e vërtetë,
Jam dehur nga fjalët, kam plasur si gur,
Nëse kohrat do të shtyheshin prapa në jetë
Do doja përsëri si dikur…

Mars,2017.

 

NËNA

Nëna ime,
si mjellmë e lashtë
po qan në shi.

Për pak iki unë
pa një ditë kthimi…

Në cilin prag,
nën cilin qiell,
në cilën kohë
të shkuar,
të sotme,
të ardhshme,
në cilën vetmi

një nënë tjetër
a mijëra nëna,
për ikjen e bijve
po qajnë në shi?

 

MBRËMJE

Në mbrëmjen e shtrirë
mbi çetinat e vjetra
duke pritur erërat e detit
nuk harrova dot vjeshtën e shkuar,
skuqjen e mollëve,
dhe trëndafilin e bardhë,
rënë pikëllueshëm
në një fillim rruge…..

Ende sot,
me duken
petalet e trëndafilit
si dallgët që më erdhën
tek këmbët
dhe shkuan
së bashku me mëngjesin…

erërat e detit,
si kujtimet,
është e pamundur

t’i qetësosh…
as t’i mbash në vete

përmes tyre mund të shkërmoqet
gjumi yt i brishtë
si një ëndërr vjeshte…

 

UJRAT E VJESHTËS

 

Ujrat drithëruese të vjeshtës

Si ëndrra të bardha

Lëvizin mes erës,

Cikatin në zhurmën e viteve që ikën.

Koralet e heshtura të zemrës

Si ëndrra fëmijërie

Vetmojnë dhe dremiten,

 

Vizioni dhe Ëndrra

Përplasen shkëmbinjve…

 

Nga çdo pikë, lindje a perëndim

Vijnë ujrat drithëruese të vjeshtës,

Mes tyre, copra të bardha të ditëve që shkuan

Mbeten ëndrrat e shuara të pranverës…

 

Siç mbetet pak pluhur…

 

Në tërthoren e ujrave të vjeshtës,

Lëvizim në varkën e pranverës së humbur…

 

 

TË KESH NJË DASHURI!

Të kesh një dashuri do të thotë
të të bjerë në mend një dritë e gjatë dhe e bukur,
nën qiellin që derdhet nëpër djerrinat e kohës
dhe heshtja të ketë në mbrëmje ngjyrë flutur.

do të thotë të kapërcehen mëngjeset,
pa fund të ulesh si i çmendur në shkallinat e shpresës
të jetosh ëndrrën dhe të kërkosh kujtimin
edhe në një fletë trëndafili nën bulëzat e vesës…

të kesh një dashuri do të thotë
të jetosh më shumë se të vdekurit që shkuan,
i mundur të biesh në gjunjë dhe të falesh,
në të gjithë gjuhët e atyre që dashuruan.

 

DRERI I PLAGOSUR

poetit Frederik Reshpja

Kam parë drerin e plagosur në luginën e hënës,
lotët si qelq i kishin ngrirë në sytë e bukur,
rreth tij – lulëkuqet e shkelura nga kalorës të çoroditur
si ëndrra të mundura,
dhe muzgu i një kohe tjetër po binte.

Duart e mia lëvizën mbi shpindën e drerit të gjakosur,
nuk e dita kurrë se çfarë kishte ndodhur,
pas meje lëviznin vitet që kurrë nuk i ndjeva
pikërisht si ky drer i plagosur…

Kush do i përkdhelë plagët e tij?

Askush nuk mundet,
medet, nëna iku….
vdekja i erdhi nga heshtja,
nga ëndrra e të vdekurve të kahershëm…

hëna e vetmisë së madhe
u ul mbi mëkatet tona..

E SHKRUAR

MË 29 MARS, 1999

 

Hordhitë dhe korbat serbë

iu sulën Kosovës…

 

Të gjallët

po i fusin në dhe për së gjalli,

të vdekurit

për t’i rivrarë,

po i nxjerrin nga varri

 

 

DËBIMI

 

Dëboi mëkatarët, o zot nga tempulli yt,

na kthyen në grigjë pa eshtra mendimi!

Dëboi ata që na mashtruan me parajsën

dhe nuk i vret pendimi,

ata që na lanë mes frikës

dhe shpresës

nën imazhin e gënjeshtërt të jetës!

 

Mos na bëj të besojmë në njerëz

që kurrë nuk besuan te njerëzit!…

 

Kaq vite, oh

zot,

ngjitim Golgotën,

bartim kryqin e ëndrrës së thyer,

nuk mund të durojmë më dhimbjen,

nën këtë qiell – kob të përlyer.

 

Nën hënën e besimit të humbur kemi ftohtë,

kurrfarë dielli nuk po nxen.*

Kaq kohë mes vdekjes dhe jetës,

ajri po duket si lartim i mureve

të burgut të vetes…

 

Dëboi mëkatarët, oh zot!

 

Paçavrat e politikës, të epshit,

parasë, gjakut,

po na dëbojnë nga tempujt!

 

Kur të mos mbetet këmbë prej nesh

ç’do të të duhen tempujt?…

11 qershor, 2016

* ngroh, nxeh

 

ËNDËRR PARAJSORE

 

Pashë në ëndërr

Parajsën.

 

Hapej koha si rrathët

mbi lumin ku hidhet një gur.

S‘di ç‘mrekulli shfaqej mes valëve,

pashë veten si dikur,

pamjet më iknin mes fjalëve…

 

Dëgjova këngët në Fillimin e Gjërave,,

pashë korije me lisa

që digjeshin nga vjeshta në muzg

dhe në dorë,

e mbaj mend mirë,

kisha një gonxhe trëndafili të kuq…

 

 

Ishte ende errësirë

kur u zgjova,

nata lëvizte mes mjegullës

mbi lumin e kërkundtë të vetes.

Në dorë kisha

ende një trëndafil të kuq,

me petalet rënë

në çarçafin e zhubravitur të jetës…

 

RINGJALLJA

 

Kur dashuria të shuhet

unë do të jem dashuria!

Asnjë lidhje gjaku nuk kam me perënditë.

Mbi vete do të mbaj pezmin e ikjes,

gjithë ditët do të jem hije,

gjithë netët do të jem dritë.

 

Do t’i shkul gozhdët që e kryqëzuan

besomëni,

do të ringjallet nga fryma ime

pas tri ditësh!

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *