Kohë lamtumirash te PSG. Tërhiqet Motta, ikën edhe Emery

DITA Online

 

Te Paris Saint Germain ka ardhur momenti i lamtumirave. Klubi parizien dhe tifozët e tij përshëndetën për herë të fundit Thiago Mottën, i cili vendosi që të tërhiqej nga futbolli i luajtur pas 510 ndeshjeve të zhvilluara në karrierë, me 40 gola të shënuara.

Në moshën 36-vjeçare, braziliani i natyralizuar si italian “vari këpucët në gozhdë”, por ai nuk do të largohet nga transalpinët. Në fakt, Thiago Motta do të drejtojë skuadrën e U19-s të Parisit.

Pas ndeshjes së fundit të kampionatit, mesfushorit iu dedikua një “standing ovation” i madh nga ana e të pranishmëve në stadium, ndërkohë që klubi i përgatiti një video përshëndetëse, ku nuk kanë munguar mesazhet e ardhura nga trajnerë e futbollistë të ndryshëm.

Por, mbrëmja e së shtunës ishte edhe e përshëndetjes së fundit të trajnerit Unai Emery.

Spanjolli e kishte deklaruar më herët largimin e tij nga Paris SG, me të cilin arriti të fitojë 7 tituj, ndërkohë që pengu i madh ishte eliminimi në Champions League.

Ai që do të qëndrojë është braziliani Neymar. Të paktën kjo është ajo që ka deklaruar presidenti i Parisit, Nasser Al-Khelaifi, që theksoi se është 2000% i sigurtë se braziliani nuk do ta braktisë skuadrën e tij.

Pas zërave se Manchester United dhe Real Madrid kërkojnë sulmuesin brazilian Neymar, të gatshme për të shpenzuar shifra marramendëse, ai që i ka vënë kapak çdo thashethemi është presidenti i skuadrës së PSG, Nasser Al Khelaifi.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Marca”, ai ka konfirmuar se 26-vjeçari nuk do të largohet nga Parisi. “Neymar, me 2000% do të vazhdojë të luajë për skuadrën e PSG-së dhe nuk do të largohet”, tha Al Khelaifi.

“Mediat spanjolle kanë që nga tetori që flasin për këtë argument, duke e çuar Neymar te Reali, që shkruajnë se ai nuk është i lumtur. Por të gjitha këto janë të pavërteta, lajme të pabaza. Neymar ka një kontratë me ne dhe do të qëndrojë këtu. Unë nuk mund t’i përgjigjem gjithnjë këtyre thashethemeve, por jam i bindur se ai do të luajë me ne edhe vitin tjetër”, tha Al Khelaifi.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *