Kohë videoskandalesh

redaktor

Ka disa ditë që media është mbërthyer pas një videoskandali të ndodhur në QSUT, nëpërmjet të cilit shihen nja dy çunakër duke ngacmuar shoqen e tyre pa ndjenja. Natyrisht është një gjë tepër e shëmtuar, me të cilën duhet të merren strukturat përkatëse për të hetuar deri në fund atë që ka ndodhur. Por, që të mbash të mbërthyer tërë opinionin për ditë të tëra me komente llafollogësh, me idera psikologësh e me analiza të mëdha politologësh, që mezi e paskan pritur plasjen e kësaj gjëme, është më tepër se mjerim. Dhe ca më i madh bëhet ky mjerim kur kërkohet që me gjëra të tilla të shpifura të fitohet edhe kapital politik! E tërë media, e shkruar dhe elektronike, tjerr pa pushim ditë e natë lloj-lloj broçkullash për tymin që shohin, pa u interesuar për zjarrin prej nga vjen ky tym. Vajza adoleshente që ka humbur vetëdijen dhe ka përfunduar deri në spital, nuk zbriti nga qielli. Ajo ka përshkuar një rrugë e shoqëruar nga moshatarët e saj, të cilët janë palluar duke lozur me të, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër. Sa kohë janë zdërhallur ata të rinj me njëri-tjetrin dhe ku kanë qenë tërë natën, që nga mbrëmja e deri në orën katër të mëngjesit, kur vajza humbi ndjenjat prej atyre që ka pirë dhe ndjeu nevojën e ndihmës së mjekut? Dhe për të shkuar më tej akoma, është hera e parë që kjo vajzë me shokët e vetë rrinë tërë natën jashtë familjes? Në çfarë lokali kanë qenë dhe sa moshatarë të tyre ka nga ata që rrinë tërë natën jashtë shtëpisë, duke u zhgërryer nëpër mjedise të pista? Nuk është hera e parë që ne shohim raste të tilla të shëmtuara, të cilat janë publikuar në media dhe janë bërë objekt diskutimesh për mbarë opinionin. Para disa vjetësh u publikua një video-porno e një të ashtuquajturi Vip, siç u cilësua atëhere, dhe, si për ta fashitur disi atë, doli edhe një video-porno gjimnazistësh, të cilët demonstronin seks oral përpara moshatarëve të tyre të shkollës. Shumëkush u tmerrua prej atyre që shihte e dëgjonte dhe ishte gati të shkonte e t’ua priste kokën atyre të rinjve-copa mishi pa tru. Por, tek e fundit, çfarë do të fitohej nga kjo? A do të pastrohej kështu shoqëria? Jo. Sepse, në fund të fundit, kjo është pasojë e një shthurjeje të përgjithshme dhe një degradimi që ka nisur prej kohësh. Si një tumor që rritet përditë, ai ka prekur pjesët më vitale të shoqërisë dhe konkretisht brezin e ri, i cili, (përjashtuar një pjesë të shëndoshë të tij), gjendet në një krizë totale morale dhe identiteti. Pa asnjë busull orientimi, ky brez ecën kuturu, pa ditur se për ku. Të joshur nga jeta e qejfeve dhe dëfrimeve, një pjesë jo e pakët e të rinjve e konceptojnë gjithçka si seks e hashash, disko e pub-e, makina luksoze e udhëtime turistike. Veçanërisht mosha e shkollës së mesme, pa përjashtuar as ato të shkollave 9-vjeçare, është më e papërgjegjshmja, pasi nuk e ka formimin e duhur për t’u drejtorientuar. Sipas parimit çdo “zog që fluturon hahet”, ajo imiton çdo gjë që sheh e dëgjon. Dhe, shembulli i keq përcillet tek të tjerë, sidomos ata më të vegjlit. Teksa prisja autobusin në stacion, matanë rrugës zhurmonin disa çupërlina të moshës 10-12 vjeçare, të cilat kishin ndezur një cigare dhe e kalonin gojë më gojë, duke e thithur gjithë qejf. Pas pak u afrua një djalë moshatar i tyre, të cilin e zhvatën, e shqyen, duke iu vërsulur njëra më shumë se tjetra. Ishin gati ta zhvishnin në mes të rrugës djalin e gjorë!… Çfarë t’u thoshe atyre vajzave kalamake, që qenë pushtuar nga euforia dhe nuk donin t’ia dinin nga askush prej atyre kalimtarëve që i shihnin me habi. Një pjesë e të rinjve të kësaj moshe duket se nuk e kanë idenë e dallimit të turpit nga nderi, pasi vetë ne po i mësojmë kështu. Koha që jetojmë po na imponon dhunshëm humbjen e kufijve ndarës mes të moralshmes dhe të pamoralshmes. Dhe ndikimin më të madh këtu e jep media. Mendja e shqiptarëve bombardohet pa pushim me lajme e informacione absurde. Gara e ethshme e lajmeve BUM nuk ndalet as përpara mënxyrave më të shëmtuara, të cilat njeriu as nëpër mend nuk ka dëshirë t’i shkojë, e jo më t’i lexojë apo t’i shohë nëpër ekrane. Nuk ka një sitë kontrolli të asaj që duhet dhënë dhe asaj që nuk duhet dhënë për publikun. Kamerat dhe mikrofonat drejtohen gjithë qejf nga politikëbërësit e vendit teksa i vërsulen njeri-tjetrit me një fjalor agresiv e pa norma, aq sa mund të çuditen edhe gurë e drurë teksa i dëgjojnë. Ka një vrapim të medias pas aksidenteve, vrasjeve për hakmarrje e armiqësi, të cilat zënë vendin e parë të lajmeve. Po del në plan të parë krimi brenda familjes, inçesti, pedofilia dhe shëmtira të tjera, të cilat të kallin krupë dhe frikë. Nëpër ekrane shihen lloj-lloj programesh e filmash të mbledhura nëpër skutat e pista të botës. Televizionet shqiptare kanë zbuluar Amerikën me telenovelat limonatë, ku i tërë shqetësimi i autorëve vërtitet tek numri i dashnorëve, tek inçesti brenda fisit e ndyrësira të tjera. Për 24 orë pa pushim i këndohet seksit dhe orgazmës (Jo dashurisë, sepse nuk mund të identifikohet seksi me dashurinë). Dhe çdo gjë që shihet në ekrane apo lexohet në gazeta e sheh të imituar nëpër rrugë e mjedise publike, ku femrat kapardisen duke ekspozuar pjesët më intime të trupit ose duke u puthur e ndukur si qentë me partnerët e tyre. A nuk është emëruesi i përbashkët ose deduksioni i të gjitha këtyre hynereve edhe akti i turpshëm i të rinjve të mësipërm? Pa dyshim që po. Në moshën e tyre më delikate dhe jashtë proçesit të edukimit, ata bëhen pre e spontanitetit të mbushur me vese. Të rritur fizikisht, por të mbetur karabushë mendërisht të rinjtë e kësaj moshe preken më lehtë nga deliret e të fortit dhe nuk pyesin për këshillat e më të mëdhenjve, të prindërve apo të mësuesve të shkollës. Ata krenohen para moshatarëve të tyre me numrin e dashnorëve ose dashnoreve, me mospërgatitjen e mësimeve, me mungesën e edukatës ndaj të tjerëve, madje edhe me fyerjen ndaj mësuesve. Nëse ndokush tenton t’u kërkojë rregull e disiplinë, ata ngrenë zërin për cënim të lirisë apo të drejtave të tyre. “Mos e ngri zërin, se kam jetën time, – i thoshte të atit një gjimnazist i vitit të parë në kryeqytet. – Vi në shtëpi kur të dua dhe mësoj sa të dua”. Duke e konsideruar lirinë si të drejtë për të bërë çdo gjë që i lind në tru, ky kacidhjar i vogël rebelohet, nëse i kërkohet të bëjë detyrat që i takojnë ose, të paktën, të mblidhet në mbrëmje në shtëpi. Madje, trimëria e tyre shkon edhe më tej, duke i ngulur thikën babait apo nënës që i kërkon llogari për veprime të pahijshme.

Kush mund t’i thotë “ndal!” këtij turravrapi pa fre që kemi marrë ne të gjithë, e sidomos, brezi i ri, që sot nuk mendon për asgjë tjetër, veç të dëfrehet nëpër lokale e disko, duke përdorur lloj-lloj pijesh, drogash e medikamentesh? Ngacmimet e atyre çunakëve të papërgjegjshëm tek Spitali janë pika e fundit, me të cilën nuk ja vlen të merresh, derisa puna ka arritur deri aty.

Prandaj, duhet menduar se çfarë mund të bëhet sot me brezin e ri, i cili ka mbetur në mëshirë të fatit. Si do të ecë shoqëria jonë më tej, nëse nuk zgjohet nga tingujt e kambanave të alarmit që bien prej vitesh dhe nuk i dëgjon kush.

Tri janë hallkat kryesore, mbi të cilat bie përgjegjësia: Familja, Shkolla, Shoqëria. Kjo e fundit, pra, ndikimi i shoqërisë, sot është zero. Nuk guxon kush që t’i flasë një të riu që kryen një veprim antiqytetar, sepse, do të bjerë pre e dhunës psikologjike, më e pakta, dhe më e keqja, e dhunës fizike. Kjo e step qytetarin e ndershëm dhe e bën të kthehet në një sehirxhi përpara kujtdo që shkel normat e etikës qytetare. Në këto kushte mbeten dy vatrat kryesore të edukimit dhe formimit të brezit të ri: Familja dhe Shkolla. Mirëpo, të pafuqishme për të bërë atë që u takon, një pjesë jo e vogël e familjeve shqiptare janë dorëzuar gati totalisht, duke i lënë fëmijët të ecin pa orientim. Kurse shkolla nuk mund të quhet dot më tempulli i dijes. Autoriteti i saj ka rënë, figura e mësuesit nuk vlerësohet as sa ajo e një mballomaxhiu, nxënësi që kërkon të mësojë, qeshet dhe injorohet nga ata që i ka mundur vesi. Mos ndoshta e kërkuam demokracinë për të humbur edhe emrin shqiptar? Çfarë shoqërie do të kemi nesër me individë të tillë dhe çfarë mund të bëjmë?

Unë mendoj se këtu duhen forca dhe vendosmëri për të mos u dorëzuar. Është e vështirë, sepse sot mungojnë ato struktura të shoqërisë, të cilat dikur e vinin individin përpara përgjegjësisë. Ishin disa organizma shoqërore, që nga pallati ku banoje, këshilli i bllokut apo lagjes, Organizata e Frontit, Organizata e Rinisë, e Gruas, e Bashkimeve Profesionale etj, të cilat, kush më shumë e kush më pak, bënin punë bindëse dhe edukuese me individin, e veçanërisht me rininë. Duke mos e njohur realitetin, ne e merrnim thjeshtë si propagandë, kur na thuhej se “në vendet borgjezo-revizioniste rinia tërhiqej e joshej nëpër dëfrime e argëtime, për ta larguar nga problemet e mprehta të shoqërisë”. Sot po e shohim realisht se si rinia jonë nuk do që të dijë fare për probleme të shoqërisë, madje as të familjes, por vetëm se si të dëfrehet.

Në kushte të tilla, është e nevojshme që puna kryesore të jetë në familje dhe në shkollë. Nuk duhet të thyhet familja nga presioni i fëmijëve të papërgjegjshëm, por të punojë pa u lodhur me ta për të fituar mbi të keqen. Duhet kuptuar që kjo luftë nuk është detyrë vetëm e kryefamiljarit, por e të gjithë pjesëtarëve të familjes, të cilët duhet të mbështesin njëri-tjetrin për ta fituar një njeri problematik. Secili duhet të preokupohet për djalin apo vajzën që del në mëngjes për të shkuar në shkollë dhe përfundon në ndonjë vend tjetër. Ka vajza të reja që ulen që në mëngjes nëpër lokale, duke u kapardisur me cigare e kafe, për të mos thënë edhe ndonjë gjë tjetër. Nuk janë të pakta edhe ato që hipin nëpër makina e përfundojnë moteleve, derisa vjen koha e drekës, kur kthehen në shtëpi, gjoja të lodhura nga orët e mësimeve. Shkujdesja dhe besimi i tepruar ndaj fëmijëve të tillë, është miopi, ose pajtim me të keqen.

Fëmija duhet të shohë në familje modelin e shembujve të mirë, të marrëdhënies korrekte mes prindërve apo pjesëtarëve të tjerë. Kur të dy prindërit komunikojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin, atëherë edhe ndikimi mbi fëmijët është më i madh. Shembulli i mirë nuk përcillet vetëm duke folur apo duke bërë moral, por sidomos duke e treguar atë me veprime konkrete. Kështu, fëmija, qoftë ky edhe në moshë madhore, e imiton më lehtë atë që shikon.

Gjithashtu, edhe shkolla duhet të jetë aleatja e ngushtë e familjes dhe duhet që të luajë rolin e vet si një vatër edukimi për brezin e ri. Mësuesi nuk duhet të jetë thjesht rrogëtar, por modeli i edukatës dhe kulturës qytetare. Ai duhet të imponohet tek nxënësi, jo vetëm me dijet e tij, por edhe me paraqitjen, me sjelljen, me figurën morale dhe autoritetin si edukator.

Në ndihmë të këtyre dy vatrave duhet të vijë edhe një aleat tjetër. Aparati i televizorit në shtëpi luan një rol të jashtëzakonshëm. Prandaj duhet që çdo program i transmetuar prej tij të përcjellë vlera etiko-morale dhe qytetare. Jo për të çensuruar, por për të dhënë programe edukuese dhe argëtuese. Sepse jo pak programe kanë si motiv kryesor vetëm argëtimin. Njeriu ka dëshirë të argëtohet e të qeshë, madje ai qesh edhe nëse sheh dikë që zhvishet lakuriq në mes të rrugës dhe përdor fjalë nga më të ulëtat ndaj të tjerëve. Por, nuk mund t’i servirësh nëpër programet televizive apo radiofonike, sepse qeshka publiku! Publiku ka nevojë edhe për orientim dhe edukim shijesh dhe programet radiotelevizive duhet të udhëhiqen nga ky parim. Para se gazetarët të vrapojnë pas kronikave të zeza, pas të ashtuquajturave “sensacione”, le të ndërtojnë programe edukuese për shoqërinë, e sidomos për brezin e ri. Le ta orientojë media shijen dhe preferencat e publikut e jo publiku i pamësuar t’i diktojë medias shije të rëndomta. Duke punuar kështu, unë besoj se do të kemi më pak video-skandale dhe do të përgatisim më shumë qytetarë të denjë për shoqërinë e nesërme.

Share This Article
7 Comments
  • Ky shkrim eshte nje nga me te miret dhe me me shume vlera qe kam lexuar deri tani ne faqet e kesaj gazete. Urimet e mija z. Xhelil Aliu. Do te shtoja se, kur shohin sot femijet tane ndonje film edukativ te kohes se Shqiperise se paster, u duket se ne kemi jetuar ne nje planet tjeter. Kjo, as me shume e as me pak, eshte fatkeqesi per ate qe po perjeton brezi i ri.

  • Nje Analize brilante ,
    me konkluzione dhe nje kritike konstruktive!
    Falemnderit Xhelua yne!
    Te pershendes dhe shkruaj keshtu sidomos ketu tek DITA !…
    Publiku i gjere ka nevoje per mendimin tend, ashtu sic je bere i njohur me Zerin tend te mrekullueshem!….
    U gezova pa mase kur te lexova,pas FB, edhe ketu, tek kjo gazete qe shume shpejt u kthye ne Gjeneralin e Vertet te Opinionit Publik Shqiptar!

  • Te lumte dora dhe mendja. Je vzhgues shume i vemendeshem i degradimiot moral te brezit te ri, fatkeqesisht nen bekimin e vet shoqerise e sidomos te isnstitucioneve e medias.

  • Absolutisht dakord me sa keni thene ne kete artikull, Z. Aliu.
    Kjo eshte nje permbledhje e te gjithe asaj qe mendojme dhe diskutojme cdo dite lidhur me problematiken e brezit te ri sot tek ne.
    Sot do t’ia lexoj kete artikull edhe tim biri adoleshent.

  • Pergezime Z Aliu .
    Kjo eshte tema me e nxehte qe duhet te trajtojne shtypi , kanalet Tv po kryesorja Shteti .
    Tani e dime te gjithe qe kjo qe quajme ” Demokraci ” gjithcka mund te jete po nuk eshte per ne
    Pasqyra kryesore eshte Parlamenti jone nga ku presim qe te mesojme se sa mire dhe me dinjitet debatojne forcat politike per te ardhmen e popullit por jo ne atje shofim cfaqjen me nivel me te ulet se ata qe ne I kemi quajtur RUGACE .
    Per deri sa shembullin konkret e jepte Saliu me fjalet qe ai pa tjeter I perdor dhe ne shtepine e vet se I eshte mesuar goja dhe e ka per kulture .
    Se nuk shpjegohet ndryshe qe nje njeri I edukuar dhe serjoz te mos i skuqet fytyra kur I thote nje prokurore ” per me shume Femer ” lavire duke e ditie shume mire qe Bucet I ka ne shtepi
    Bej pergjegjes kryesor Shtetin se ai duhet te vere kufi ne shtypin , Tv dhe mos lejoje qe te cfaqen ne cdo kohe porno , gazetat te mos lejohen te bejne ( gjoja lajme ) me ngjarje qe jane krime te shemtuara si brenda familjes ashtu dhe jashte saj , ato nuk na ndihmojne po vetem na mesojne qe mund ta bejme dhe keshtu .
    Te denohen ata qe jane pergjegjes kur sherbejne alkol Moshave minore po ashtu cigare
    Motelet te denohen ne qofte se strehojne Vajza dhe djem mitur .
    Le te pellasin ata qe thone e drejta njeriut , njeriu eshte majmun mvaret si e drejton
    Le te pellase edhe Evropa . Duhet o sot o kure te vihet dore mbi kete plage qe e ka degjeneruar
    brezin e Ri .
    Temen qe kini trajtuar sot Z Ali e kini zberthyer me se miri po ishalla dikush tju ndigjoje

  • Kushdo ka fole per videoskandalin, por prindet e ketyre te rinjve nuk kna thene asgje. Kot presim te thone sepse ata kane vite qe nuk e dine kun jane femijte e tyre. Kjo eshte me renda per shoqerine qe neser do te kete ne rolin e prinderve keta te rinj dhe te tjere qe po rriten ne shkolla te blera nga prinderit, ne vende pune te blera nga prinderit, ne parti te kalbta apo ne njerez anafalbete funksionale ne te gjitha drejtimet. Ky eshte suksese qe po rritim perdite me duart tona. Te gezojme qe sot per te ardhemen e ndritur te atdheut te dashur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *