FATMIR MINGULI
(Një vështrim kritik mbi librin “Moikom Zeqo, Centauri i poezisë moderne, WestPrint, 2019, Tiranë”
Miniera moikomiane ka “minerale” jo vetëm për ne por edhe për brezat që po vijnë./ Vangjush Ziko
Jam shkëndia e diamantit mbi borë
Jam Dielli që ndriçon mbi grurin e pjekur
Jam shiu i lehtë i vjeshtës
Jam fluturimi shigjetë i zogjve që fluturojnë në rreth
Jam ylli mbrojtës që ndriçon natën.
( Nga këngët e indianëve Navajo)
Të shfletosh duke studjuar librin më të ri të Vangjush Zikos, “Moikom Zeqo, Centauri i poezisë moderne” vihesh në një lloj dileme sepse që në fillim ai thotë për poezinë e Moikomit:
“ Risija e tij ka të bёjё me proçesin e perceptimit dhe të mishërimit konceptual të realitetit dhe me “rimagnetizimin” e figurave artistike, të metaforës dhe të alegorisë.”
Por nuk është kollaj të ndryshosh vijat e forcës në fushat manjetike të hemisferit poetik, por që Moikom Zeqo e kryen këtë madje pa vështirësi.
I gjithë libri i Vangjush Zikos mëton të vërtetojë pikërisht këto shmangje nga eksperiencat e deritanishme të krijimeve poetike në Shqipëri e në mbarë botën.
Ai përpiqet të komentojë dhe të interpretojë Kozmogoninë Poetike të Moikom Zeqos.
Duke lexuar analizat e çuditshme të poetit Vangjush Ziko për poezinë e poetit Moikom Zeqo të duket sikur ke përpara syve një simbiozë, një simbiozë të dy poetëve që koha i bashkoi virtualisht në kohë të ndryshme.
Me fjalë më konkrete duke lexuar librin “Moikom Zeqo, Centauri i poezisë moderne” unë ndodhem përpara dy poetëve që në vetevete secili prej tyre përbën centaurin e personalizuar jo vetëm poetik.
Vangjush Ziko, ky poet i brezit ë viteve ’60, që lulëzoi me poezitë e tij në një kohë me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin etj, ky poet që tejkaloi fazat e vështira të poetëve të viteve ‘70- ’80, është poeti që hyri në Mileniumin e Tretë me guximin e një djali të ri.
Nëse për Moikomin ai shkruan se ai është një “Centaur sui generis” duke i dhënë dy fytyrat, atë të poetit dhe atë të shkencëtarit, çka shfaqen analitikisht nën vëzhgimin e Vangjush Zikos në këtë libër, ai nuk e thotё se edhe ai vetё ёshtё njё lloj Centuari i kohёve nё jetёn e tij.
Por e përbashkëta e dy poetëve është se ata të dy krejt ndryshe nga poetë të tjerë, madje dhe prozatorë, realizuan “kapërcimin e kataraktit të vitit 1990” dhe tani lundrojnë me vela të fryra kundra erës me sukses duke pasur forcё lёvizёse ambicjen e arritjes së kufinjve “të pakapshëm” të poezive të kohëve të sotme në botë.
Të shkruash një libёr për veprën e Moikomit nuk është e lehtë, sepse duke qenë vepër kozmogonike duhet që dhe analizat vrojtuese për këtë vepër të jenë po ashtu kozmogonike.
Prandaj Vangjush Ziko si askush tjetër analizon “cep e më cep” poezinë e Moikom Zeqos duke rreshtuar Pindarizmin e poezive dhe të prozës, stilin e jashtëzakonshëm, metaforën moikomiane, meta-poetikën, lirizmin dhe erosin njerëzor, abstraksionin si rikonceptim të gjuhës poetike, mitologemën e jetës, sinkretizimin konceptual, Futurizmin Majakovskian, etj.
Dhe si një befasi me nuanca poetike vjen në këtë libёr biseda e Moikom Zeqos me autorin Vangjush Ziko lidhur me lirikёn në poezi.
Kjo bisedë është transkripti i një traktati mbi poezinë dhe shpirtin e poetit, ku “Lirika është klithma e epërme e një jorealiteti të çuditshëm”.
Sot në literaturën e freskët dhe jo të freskët të botimeve shqipe mbi poezinë, zor se gjen këto përsiatje madhore mbi poezinë e sotme ku poezia e kaluar vjen e mbimbulohet nga e sotmja.
Bie në sy pyetja e Vangjush Zikos në këtë bisedë:
“ Paradigma thotë se në poezinë lirike, ajo, e cila është shkruar me shekuj, “kryqëzohet” me atë për të cilën nuk është thenë asgjë ende. Cili është mendimi juaj për këto “Kryqëzime” të (pa) ndodhura në poezinë tonë?
Dhe Centauri Moikom i përgjigjet: “ Shpesh një poezi moderne është si një ëndërr klandestine në mendjen e njerëzimit ose si një Hyjni e Panjohur ende e mbyllur në një kriptë.”
Dhe më tej po në përgjigje të kësaj pyetje të fuqishme ai shkruan:
“Poetët modernë kanë etje dhe epsh të krijojnë Arkivat e Edenit për të gjetur Poezitë e Panjohura,- për shkak se janë neveritur për vdekje nga mandarinët ritualiste të pseudopoetizmit.”
A nuk përputhet kjo përgjigje – sentencë kundrejt parodive poezive të facebookut të autorve shqiptarë!?
***
Por sa larg është portreti i Vangjush Zikos nga tufa e poetëve facebookas!
Aq larg sa që në emrin e tij figurojnë Urdhëri i Klasit të Parë “Naim Frashëri” dhe Kurorën e Krijimtarisë” nga Klubi i Shkrimtarëve dhe artistëve “ Bota e re “ Korçë, çmimin dhe dekoratёn “Pushkin” akorduar nga Lidhja e shkrimtarëve të Rusisë.
Në jetën e tij Vangjush Ziko ka katër shtylla të krijimtarisë së tij ku shtylla kryesore është poezia dhe pastaj vine dramat (përfshirë skenarë e librete), përkthime e prozë.
Që nga studimet e plota në Institutin “Maksim Gorki” të Moskës e gjer në hapësirat poetike mes liqenjve e rrepëve të Kanadasë ku jeton sot, jeta e tij ka kaluar katarakte e kthesa të befta por ku thepsijet i ka lëmuar me vullnetin e një djali të ri, ku mosha nëntëdhjetë vjeçare nuk e pengon dhe nuk i shkakton ndalesa.
Le të kthehemi në librin e sapo botuar “Moikom Zeqo, Centauri i poezisë moderne.”
Vangjush Ziko me këtë libër analitik, si pak kush ka dhënë portretin gjenial të Moikomit poet e prozator.
Ai e sjell Moikomin si krijuesin që theu digat midis tregimit dhe esesë, midis poezisë tradicionale dhe poezisё të metaforave moikomiane, midis faktit dhe realitetit, midis shkencës dhe poezisë.
Të gjitha këto thuren në rrjetën e kuadrit narrative dhe refleksioneve kozmogonike shoqëruar me figura të një letërsie tjetër, të pandeshur më parё.
Ai vepron ashtu siç thotë Robert Musil “Ka përzjerë kartat e botës së vjetër mbi tavolinën e krizës në një lojë të dendur të rifigurimit dhe kërkimit simulues dhe kërkues.”
Por në se Musil e shkroi këtë konstatim në fillim të viteve 900, Moikomi rilind si një feniks e është pikërisht në fillim të viteve 2000.
Eshtë koha e rifigurimit dhe kërkimit të një letërsie të re.
Pikërisht këtë kërkon të thotë edhe Vangjush Ziko tek shkruan:
“ Poeti Moikom Zeqo me korpusin e krijimtarisë së vet poetike, në mënyrë të ndërgjegjshme dhe me një frymëzim të jashtëzakonshëm e ka nxjerrë tashmë poezinë tonë në rrugën e madhe të përgjithësimit artistik dhe të shijes universale estetike. “
Por në të gjitha shkrimet e librit “Moikom Zeqo, Centauri i poezisë moderne” ndeshemi me përsiatje më shumë se shkencore në drejtim të përcaktimit të strukturës dhe modeleve të poezisë së Moikomit.
Në vend të parë qëndron shkrimi tejet analitik “Sinkretizmi konceptual”, ku shkruhet: “ Me shumë vështirësi do të mund të gjeni poezi monotematike!
Në ligjërimin e tij strofik poetik mpleksen me njera tjetrën koncepte të ndryshme mbi jetën, mbi vdekjen, dashurinë, përjetësinë, natyrën dhe hapësirën kozmike, me gjithçka konkrete dhe abstrakte, që trajton ai në poezitë e tij.”
***
Vangjush Ziko me këtë libër hedh themele të reja në ndërtesën e kritikës letrare duke u bërë një kritik me nivel të lartë, falë vetë krijimtarisë së tij jo vetëm poetike, por në radhë të parë të diturisë së tij shumë të gjerë e sidomos ajo që lidhet me kritikën e sotme perëndimore.
Këtu është vendi të theksoj edhe një lloj kapërcimi katarakti në krijimtarinë e këtij poeti shumë të njohur që për të cilin Moikomi ka shkruar se “është personalitet i letrave shqipe”.
Deri vonë ai ka përkthyer shumë poezi nga autorë rusë, me në krye Pushkinin e madh, duke bërë katër volume me përkthime nga poezia ruse.
\ Por mbas viteve ‘90 ai ambientohet shumё me studimet perëndimore, kryesisht të karakterit të kritikës letrae.
Pa tjetër që nuk është e lehtë.
Dihet se Vangjush Ziko shkoi në emigracion në Kanada në vitin 2000, ku vazhdon edhe sot.
Eshtë ky kapërcim katarakti që ngjizi studimet e tij me poezinë dhe prozën e Moikom Zeqos, një ngjizje e veçantë e paparashikuar.
Eshtë kjo ngjizje që ai e shkruajti me artikujt e tij dinitozё jo vetëm në shtypin e Tiranës, jo vetëm në librin e tij “Përsiatje – Tradita, Ese, Analiza, Komente” por edhe me këtë libër që po analizoj.
Vangjush Ziko ka marrë në analizë librat e Moikomit, si “Letrat për Makabe Zaharinë”, “Përkthimet e kohës”, “ I padukshmi”, “Laboratori i Endrrës”, “Golgotë fluturash”, “ Përjetësi me qira”, “Centauri i Fundit”, “ Vladimir Majakovski- Poezi futuriste” – përkthime të poezive të Majakovskit, “Lasgushi i panjohur”, “ Grifonë në shishe”.
Për sa i përket përkthimeve të poezive të Vladimir Majakovskit, Vangjush Ziko, ky njohës i rrallë i poezisë ruse thotë se “ Rimat e Majakovskit janë rima disonante dhe të larmishme. Ato janë të jashtëzakonshme.
Ato janë të lidhura ngushtë me ritmin e vargut.
Ai shkruan (Majakovski, shënimi im):
“Rima është fucia me barut/ vargu fitili i saj/ vargu frymon/ fucia shpërthen/ qyteti/ fluturon në erë/ bashkë me strofën.” ( Këto shënime i kam nxjerrё nga mesazhet e këmbyera me Vangjush Zikon kur u botua libri iMoikomit me përkthimet e Majakovskit.)
Një nga vrojtimet e rëndësishme bërë nga poeti Vanghush Ziko është dhe metafora moikomiane. E për të cilën ai në shkrimin elegant “Mjeshtëria metaforike” shkruan:
“ Moikomit i intereson metafora artistike me natyrë racionale, e cila krijon figura “super të ndjeshme”, që pasurojnë në pafundësi kuptueshmërinë e mendimit artistik duke transmetuar mendime universale kozmike, raportin eterik të kohës me dimensionet e saj të së tashmës, të së shkuarës, gërshetuar me të ardhmen.”
Ndërsa vrojtimi tjetër është ai për simbiozitetet e metaforave të Moikomit të cilat sipas Zikos janë simbioza të së madhërishmes me më të zakonshmen, simbioza të abstragimeve filozofike me logjikën e thjeshtë jetësore, gërshetimi i supermetaforave kozmike me minimetaforat tokësore.
Por jo më pak të rëndësishme janë dhe vrojtimet e spikatura mbi rimën dhe ritmin e strofës së Moikomit, apo rikonceptimin e gjuhës poetike nëpërmjet abstraksionit, imagjinatës, lirizmin e çuditshëm, lirizëm që e kemi ndeshur që në poezitë e Moikomit që në vitet ‘70.
Vangjush Ziko me këtë libër shkruan edhe për mitologjinë që shfaqet herë e dukshme dhe herë e maskuar mes vargjeve të poezisë së Moikom Zeqos.
Ai shkruan shkurt dhe saktë:
“ Parimi i mitologjizmit është pjesë përbërëse e Kozmogonisë Poetike Moikomiane.”
Ndonëse shkrimin për mitologjinë në poezinë e Moikomit e titullon “Dy fjalë mbi mitologjinë” ai ka bërë gati udhёn pёr një libër të ri me këtë sinops të gjerë e plot të dhëna analitike.
Për mendimin tim kjo temë ka vend për vrojtime të thelluara lidhur me mitin e së shkuarës dhe të tashmes por edhe të ardhmes, një teori që mund të na çojë në nivele të larta e krejt origjinale mbi mitet shqiptare të sotme, e si të thuash “Si ta shpik një mitologji të re?” sipas një vargu të poezisë së Moikomit.
Po i këtij karakteri është dhe tema mbi lirikat poetike në përgjithësi të cilat i gjejmë të shpërthyera cep më cep në kapitullin e fundit të këtij libri të Vangjush Zikos titulluar “Bisedë e Moikom Zeqos” me Vangjush Zikon për poezinë.”
Kemi të bëjmë me një lloj traktati mbi lirikën. Kemi të bëjmë me pyetje tepër të sofistikuara të Vangjushit, Këtu duhet theksuar dhe fakti se angazhimi i vazhdueshëm i Zikos në analizat e tij ndaj librave të Moikomit është e një rëndësie shumë të madhe sepse një poet flet për një poet, e ç’të folur!
Kjo bisedë mbi poezinë e vecanarisht për lirikën hap diskutime të gjera konceptuale lidhur me cilësitë e saj, me evoluimin e saj në kohë e për shumë çështje të tjera të cilat marrin përgjigje absolute nga Moikom Zeqo.
Dy poetë mbi një temë!
Një bashkëbisedim profesional me nivele të larta mbi konceptet e poezisë së sotme në botë.
Jo më kot Moikomi tek flet për Vangjush Zikon, thotë për të se është shumë e habitshme që në moshën nëntëdhjetëvjecare ai shkruan si një djalë i ri, me konceptet e freskëta jo vetëm për poezinë por edhe të lidhura ngushtësisht me mendimet më të avancuara të kritikës botërore.
Durrës 24. 01. 2020

Nje lloj te shkruari,teper i sterzgjatur, i merzitshem dhe banal,qe fyen se pari,ata per te cilet ai eshte ropatur te shkruaj.
Krijimtaria besohet se eshte thellesisht individuale…
Kur ndodh qe mezi dallohen autoret, vetja duket sikur shkruan per Veten, dhe kritika bashke me to shembellen se lindet e vdes ne te njejtin djep…