Koka: 4 milionë dollarë për zhvillimin dhe inventarizimin e pyjeve

Elton Tafaruci

Ministria e Mjedisit prezantoi të premten grantet konkurruese për zhvillimin e pyjeve, si dhe inventarizimin e tyre, projekt ky prej 4 milionë dollarësh financuar nga Banka Botërore si dhe qeveria suedeze.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i pranishëm në ceremoninë e prezantimit të projektit, theksoi se ky grant prej 4 milionë dollarësh do të jetë në mbështetje të moratoriumit të pyjeve. Sipas ministrit Koka, moratoriumi i pyjeve bëri të mundur që të mos priten rreth 5 mijë metër kub dru në ditë.

“Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por ndërgjegjësimi i tyre për mos prerjen e asnjë peme. Sot nuk kemi shifra të sakta të regjistrimit e inventarizimit të pyjeve. Nuk kemi pse heshtim e gënjejmë mbi shifrat e pyjeve. Ndaj në këtë program është përfshirë i inventarizimi i pyjeve”, deklaroi ministri i mjedisit Koka.

Grantet konkurruese për zhvillimin e inventarizimin e pyjeve me një total vlere prej 4 milionë dollarësh janë financuar nga Banka Botërore dhe qeveria suedeze, u shpreh Koka, duke shtuar se përfitues potenciale janë 260 shoqata pyjesh e 200 individë përdorues tradicional apo fermerë pyjesh.

“Procesi i grantit për shtimin e pyjeve kërkon të jemi sa më transparent dhe të kemi kontroll rigoroz. Duhet t’u tregojmë donatorëve se ne jemi qeveri e qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe se çdo qindarkë që ata japin të shkojë në destinacionin e tij”, deklaroi Koka.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *