Një pikturë, një mister. Një vepër e shkollës së Leonardo da Vinçit me titullin “koka e Krishtit” që të bën të mendosh se në të është dora e mjeshtrit të madh të shekullit XVI. Në fund të pikturës shkruhet “Fe Salai 1511 Dino”, që lidhet me emrin e autorit Gian Giacomo, ndryshe Salai, një ndër studentët e Da Vinçit, ndoshta edhe më shumë se kaq.
Por pas restaurimit, ekspertët kanë zbuluar se shënimi në fund të pikturës është shkruar mbi diçka tjetër që është fshirë më parë, me shumë gjasa një dedikim. Stili i Leonardos dominon në portret: ka të njëjtën lojë me sfumaturat e ngjyrave, të njëjtën forcë që transmetohet përmes vështrimit dhe që të kujton Mona Lizën. Kjo i ka bërë specialistët të dyshojnë se autori i vërtetë mund të jetë vetë Da Vinçi, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që personazhi i pikturuar të jetë vetë Salai, por për këtë pritet fjala e specialistëve.
