E vendosur përbri detrave dhe e përshkruar nga rrugë që lidhin shtete e kontinente, Shqipëria, përveçse mundësonte kalimin transit të heroinës afgane, krijon mundësi të mëdha për furnizimin me marijuanë, kurse shqiptarët si etni po forcojnë pozitat në transportin e kokainës nga Amerika Latine. Në pjesën e parë të raportit të Zyrës Kundër Krimeve dhe drogës në Kombet e Bashkuara, gazeta “Dita” publikoi linjat e heroinës apo bllokimet e kësaj droge deri në vitin 2012, ndërsa në pjesën e 2-të e të fundit renditen pozicionet e bashkëkombasve tanë në trafikun e kokainës dhe marijuanës. Në raportin e UNOCD, publikuar zyrtarisht nga OKB në fund të marsit të këtij viti, thuhet se kokaina është droga e dytë më problematike në mbarë botën, pas heroinës në aspektin e ndikimeve negative të shëndetit, etj, teksa në vit prodhohet mbi 1 mijë ton, por është vënë re se tregjet e kokainës janë në rënie. Europa mbetet tregu kryesor me 4.2 milionë përdorues që kërkojnë 124 ton për konsum, teksa Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar konsumojnë 60 për qind të totalit.
Shqiptarët dhe kokaina
Në raportin e OBK thuhet se grupet shqiptare kanë qenë gjithashtu kohët e fundit të lidhura me trafikimin transatlantik të kokainës. Raportet e antidrogës italiane kanë raportuar se në trafikun e kokainës janë implikuar shtetas nga Shqipëria dhe Nigeria. Disa grupe nga Serbia dhe Bullgaria thuhet se kanë pastruar miliarda euro nga të ardhurat e kokainës. Shqiptarët po përfitojnë nga rënia e pozicionit strategjik të serbëve në sjelljen e kokainës. Greqia duket të jetë një pikë e nxehtë dhe e veçantë për hyrjen e kokainës në Europën Juglindore, por konfiskimet greke kanë qenë në rënie. Kokaina gjithashtu hyn portet e Detit të Zi direkt për transportim transit për në Evropën Perëndimore. Kokaina ka burim një numër të vogël shtetesh në Amerikën e Jugut, kryesisht në Kolumbi, Peru dhe Bolivi. Nga vendet burimore në Amerikën e Jugut, kokaina është transportuar në Europë kryesisht me anije, ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet Spanjës, ose nga Afrika Perëndimore. Sipas SELEC , pothuajse 98 për qind e konfiskimit të kokainës në Evropën Juglindore në vitin 2011 ishte lidhur me trafikimin detar, kurse 2 për qind janë bërë në aeroporte. Një tjetër rrugë e përdorur nga trafikantët, është e ashtuquajtura “rruga e aeroportit”, ku trafikantët kanë kontrabanduar sasi të vogla përmes aeroporteve rajonale, duke përfshirë edhe ato të Sofjes dhe Bukureshtit dhe në aeroportet e Evropës Perëndimore. Rruga nga Ballkani mbetet relativisht e vogël dhe e luhatshme për trafikimin e kokainës në tregjet e Evropës Perëndimore. Në vitet e fundit, marinarë bullgarë, serbë dhe malazezë kanë qenë shpesh të implikuar në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në portet e Antwerpit dhe Hamburgut. Tri ton kokainë u zbulua në mars 2013 nga autoritetet spanjolle.
