Partia ZGJIDHJA u bëri thirrje sërish votuesve shqiptarë që të bojkotojnë dhe refuzojnë zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Në një fletëpalosje të shpërndarë online dhe që do t’u jepet qytetarëve edhe dorazi, udhëzohen se si të mos marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, duke i bojkotuar ato, ndërsa ata që janë të shtrënguar të votojnë duhet t’i vënë një ‘Z’ fletës së votimit.
Në statusin e shpërndarë në Facebook, Kokëdhima shkruan: “Bojkotoni zgjedhjet e 25 qershorit! Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme. Elita politike nuk përtërihet. N.q.s. je i shtrënguar nga represioni i qeverisë të shkosh. në zgjedhje, vendosi një Z të madhe gjithë fletës së votimit dhe kthejë votën tënde në refuzim për këtë klasë politike të diskredituar!”
Idenë për bojkotimin dhe refuzimin e zgjedhjeve, Kokëdhima e hodhi një javë më parë, gjatë takimit me banorët e partisë ZGJIDHJA në Qeparo.
Partia e themeluar dhe drejtuar nga Kokëdhima vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje, të cilat nuk janë as të ndershme, as demokratike, ku nuk u bë reforma zgjedhore, nuk u mundësua votimi dhe numërimi elektronik, ku votat sërish do t’i numërojnë komisionerët e PS-PD, ndërsa kandidatët për deputetë i emëruan kryetarët, duke shmangur përzgjedhjen e tyre nga baza.

