Ndryshimet ligjore që thjeshtojnë procedurat e ekzekutimit të kolateralit nga sistemi bankar pritet të shqyrtohen në komisionet parlamentare javen tjetër. Këto ndryshime sipas qeverisë shqiptare pritet t’i japin zgjidhje problematikës së krijuar me kreditë me probleme dhe vështirësive që sistemi bankar ka hasur me gjykatat për ekzekutimin e kolateralit. Këto ndryshime, sipas ekzekutivit, i japin në mënyrë përfundimtare zgjidhje këtyre problemeve duke vendosur si praktikë të pandryshueshme që në rastet e mosshlyerjes së kredive, bankat do të mund të ekzekutojnë kolateralin e vendosur si garanci, konform marrëveshjeve klient-bankë. Edhe dy ditë më parë në takimin me investitorët, kryeministri tha se në kushtet aktuale të ekonomisë së vendit, nuk mund të ketë negociime me kreditorët e këqinj por duhet ekzekutim i shpejtë i kolateralit. Në rast se në parlament gjendet konsensusi për miratimin e ndryshimeve ligjore, atëhere procedurat e reja për ekzekutimin e kolateralit do të mund të aplikohen në muajin prill, pas dekretimit të ndryshimeve nga kreu i shtetit dhe pas botimit të ndryshimeve në Fletoren Zyrtare.