Kolaterali për 15 ditë, ligji i ri frenon kreditë e këqija

anazapta

Ekzekutimi i menjëhershëm i kolateralit, pas vendimit të gjykatës nëpërmjet përmbaruesve privatë, pritet të ulë nivelin e kredive me probleme. Ekspertët e bankingut mendojnë se konfiskimi i pasurive të lëna peng për marrjen e një të kredie, pa të drejtë ankimimi të vendimit të gjykatës, do të përmirësojë situatën e likujditetit në bankat e nivelit të dytë.

“Në paketën e propozimeve mendoj që dy janë më kryesoret. Së pari, ndërhyrja në kodin Penal dhe në kodin Civil të Shqipërisë,për të krijuar mundësi që vendimi i gjykatës të ekzekutohet sa më shpejt, të zvogëlohet shumë distanca në kohë nga njëri proces në tjetrin dhe në rastin e ankandit të tretë, vlera e kolateralit mund të bjerë 50 për qind në krahasim me ankandin e parë. Natyrisht kjo do të ndikojë në uljen e kredive të këqija, sepse një pjesë e këtyre kredive vazhdojnë prej vitesh, të ngelen peng vetëm nga mosekzekutimi i kolateralit”,-thotë Ardian Civici, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së.

Këto janë nene që përmirësojnë procedurën për ekzekutimin e kolateralit nga bankat përmes përmbaruesve privatë. Nëse më parë duheshin tre muaj për ekzekutimin e kolateralit me ndryshimet e propozuara kjo kryhet për 15 ditë. Civici thotë se paketa e BSH-së për nxitjen e kredititmit që pritet të miratohet në Kuvend, do të jetë efikase.

“Thelbi i propozimit të Bankës së Shqipërisë dhe i masës që u mor, ishte një lloj lehtësimi i bankave për sa i përket provigjoneve duke u krijuar atyre më shumë fonde të lira, për të dhënë më shumë kredi. Natyrisht, e shoqëruar kjo me disa ulje të vazhdueshme të normës bazë të interesit për uljen e kostos së lekut”,-thekson ai.

Nga fillimi i këtij viti, në Gjykatën e Tiranës janë paraqitur mbi 7 mijë kërkesa për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit dhe në një pjesë të madhe i takojnë bankave tregtare. Sipas Kodit në fuqi, përmbaruesit privat, për llogari të bankave, nxjerrin në ankand me jo më pak se 80 për qind të vlerës pronën e konfiskuar. Në rast të dështimit të shitjes zhvillohet ankandi i dytë, i cili e zbret çmimin me 20 për qind të tjera./AS

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *