Kollitet Ristani, vendi në kaos

Alqi Kociko

Grabitje dyqanesh, zjarrvënie dhe rrëmujë masive. Gojët e liga raportojnë se kjo është situata në Shqipëri ditët e fundit, kur një infeksion i lehtë grykësh e detyroi sekretarin e përgjithshëm të PD Arben Ristani të humbasë tonin e tij qetësues e të sigurtë gjatë një fjalimi që transmetohej në gjithë vendin.

“Bashkëkombasit e mi (kollitje) shqiptarë. Në këto kohë të vështira, ju lutem (sërish kollitje) të protestojmë me dinjitet”, e nisi fjalimin e vet Ristani, duke shkaktuar në sekondë një rënie pingulthi të indeksit Dow Jones dhe burses së Londrës me 50 pikë pas çdo kolle dhe tërheqje hundësh.

Kur dëgjuesit panë se nuk ishin më të mbrojtur nga toni i rrjedhshëm, gati poetik i fjalimeve brilante të ish kreut brilant të KQZ-së, mes tyre nisi një panik dhe histeri ngjitëse, që shpejt përfshiu gjithë vendin i cili ndjeu se pa fjalën e ngrohtë të Ristanit, e ardhmja nuk ekzistonte më.

Filloi vjedhja e makinave, dyqaneve dhe supermarketeve, përplasja me policinë dhe grabitja e bankave.

“Vraponi, të shpëtojë kush të mundet! Benua nuk i zotëron më ato fjalimet brilante që ja kanë shkruar kohë më parë, por që duken sikur i sajon në çast me fjalë që i dalin nga shpirti. S’ka më shpresë, na pret veç errësira!”, bërtisnin shtetasit nëpër rrugë, qytete e fshatra anembanë vendit.

Raportime të orëve të fundit pohojnë se në mungesë të elokuencës shëronjëse të Ristanit, mbi 85% e shqiptarëve kanë lëvizur familjarisht drejt pikave më të larta të terrenit, ose janë ngujuar nëpër bunkerë dhe tunele, të armatosur deri në dhëmbë. Ata kanë marrë me vete radio të vjetra të Luftës së Dytë, për të dëgjuar të rejat mbi shëndetin e deputetit famoz.

“Ristani është ngjirur dhe ka kollë. Si t’ja bëjmë me organizimin e PD-së, forcimin e rradhëve, angazhimin e rinisë demokrate për të mos u martuar me socialistët, kur ai mezi e mbaron fjalinë?”, bërtiste i merakosur Lulzim Basha, kryetari të cilit Ristani i preu krahët.

Megjithëse mjekët demokratë, po ata që deklaruan se protestuesit karagjozë të 21 janarit ishin vrarë nga afër me pistoletë, tentuan ta qetësojnë publikun dhe thënë se një e ftohur e lehtë është dhe do kalojë për katër ditë, dreqi ta marrë, ekspertët pohuan se deri atëherë do të jetë shumë vonë.

“Pse nuk u kujtuan më herët për ndonjë çaj të ngrohtë, vitaminë C dhe aspirina?”, tha profesori Kallash Biçaku, “deri javën tjetër ky vend ka shkuar për lesh!”.

Share This Article
5 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *