“Adem Jashari ishte trim i vendosur. Njohuritë dhe përgatitjen ushtarake në Tiranë, ai e reflektoi në drejtimin e UÇK-së në luftë kundër pushtuesve serbë për çlirimin e Kosovës”
Adem Jashari, ‘Komandanti Legjendar’ dhe ‘Heroi i Kosovës’, bashkë me djem të tjerë kosovarë, është stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, për të fituar aftësitë fizike e komanduese për drejtimin e formacioneve luftarake të UÇK-së në luftë kundër ushtrisë serbe… Sipas Kolonel Hysen Ymerit, një nga oficerët zbulues më të mirë të vendit, stërvitja e Adem Jasharit dhe djemve të tjerë nga Kosova ka nisur në Tiranë në shtator të vitit 1991. Në intervistën e tij, Ymeri pohon se ‘Adem Jashari ishte i zellshëm e këmbëngulës në stërvitje, por mbi të gjitha njeri i mrekullueshëm dhe me vendosmëri për të dhënë dhe jetën(siç edhe e dha) për lirinë e Kosovës”…
Zoti Hysen! Në karrierën tuaj të gjatë si specialist i Zbulimit, zë vend dhe përgatitje e djemve nga Kosova, të cilët më pas do të drejtonin reparte e njësi për çlirimin e trevave të saj?
-Po. Periudhë e paharruar në tërë karrierën time ushtarake do të mbetet ajo e përgjegjësisë që m’u dha nga komanda e Akademisë për përgatitjen e djemve nga Kosova… Ishte një detyrë e vështirë në një situatë delikate, një detyrë me përgjegjësi, të cilën unë dhe kolegët e mijë u përpoqëm ta kryenim sa më mirë, duke mos kursyer të gjitha energjitë fizike e mendore në funksion të sajë…
Kur ka filluar stërvitja e tyre në Shqipëri?
-Në shtator të vitit 1991, pra 7 vjet para se të niste luftën Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në të cilën, shumë nga këta djem që ne i stërvitëm në Shqipëri, u bënë udhëheqës të saj apo ranë dëshmorë në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo, siç e thash dhe më lart, ishte një detyrë shumë e vështirë, si për ne, ashtu dhe për këtë kontigjent djemsh që do të përgatiteshin për të çliruar Kosovën martire nga pushtuesit serbë… Veçanërisht për ardhjen e tyre ilegale në Shqipëri….
Cilat ishin këto vështirësi?
-Për mua dhe ata pak njerëz që kanë dijeni për këtë detyrë, e ritheksoj se ishte shumë e vështirë dhe me rreziqe ekstreme. Qëllimi i djemve kosovarë që do të stërviteshin ushtarakisht, qe i lartë dhe kalimi nën hundën e serbit për të ardhur në Shqipëri, ishte heroik. Kishin ardhur ilegalisht për të fituar jo një profesion, por për t’u stërvitur për luftë, për të dhënë jetën…
Ju ishit një nga drejtuesit kryesor që realizuar përgatitjen psikologjike dhe luftarake të djemve nga Kosova që më pas u bënë luftëtarë të vijës së parë e komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
-Po. Por nuk isha i vetëm. Jemi shumë krenar që mua, Kastriotit, Yllit, Agronit, Lakës, Maksi Jaupit e të tjerëve, na u besua detyra të jemi mësuesit e parë ushtarakë të këtyre bijve të zgjedhur të Kosovës. Portretet e këtyre djemve na mbetën të paharruar. Besimi në idealin e tyre, për të filluar luftën e për ta fituar atë, ishte i patundur.
Të rikthemi tek pohimi i mësipërm; ju keni stërvitur dhe Legjendën e Kosovës, trimin Adem Jashari?
-Po. Dua të theksoj që në fillim, se Adem Jashari, bir i një familje patriote e të njohur në Kosovë, ishte trim, por mbi të gjitha ai ishte një njeri i mrekullueshëm… Këtë e kam parë dhe e kam fiksuar në detaje, pasi kontaktet tona ishin të vazhdueshme gjatë kohës së përgatitjes luftarake që bënim. Ai dallohej për impenjim tepër të veçantë e maksimal, duke e konsideruar stërvitjen si fushë reale lufte”.
Si paraqiteshin Adem Jashari dhe shokët e tij si ‘nxënës’ në përgatitjen ushtarake që ju u bënit?
-Adem Jasharit e të tjerëve u dridhej i tërë trupi kur kryenin stërvitje për veprime taktike, kur u duhej të vepronin në afrimet e fshehta taktike, apo në kapjet e kundër kapjet e sambos. Kur zbrisnin me litar në shkëmb, kishim frikë tek vrulli, nxitimi e pasioni i tyre. Ndonjëri, nga pasioni i të mësuarit për luftë kundër serbit, mund të na shkëputej nga lartësia. Një sulm objekti natën shkonte dhe 4-5 orë për të realizuar befasi sa më të plotë lufte, pavarësisht se grupit i qe përcaktuar në urdhër koha e sulmit. E kishin vështirë të harronin, se ishin në stërvitje dhe jo në luftë.
Çfarë programi stërvitor zhvillohej me djemtë e Kosovës?
-Ishte një program i ngjeshur me të gjithë elementët e domosdoshëm që mund të aplikoheshin në situata reale luftarake… Pra, ishte një program kompleks, i hartuar nga specialistët më të mirë që kishte Ministria e Mbrojtjes, i cili kryesisht përmbante përvetësimin e elementëve të luftës në prapavija, veprimet individuale zbuluese, maskimin, përdorimin e armëve të ndryshme, veprimet taktike në vijën e parë të frontit, veprimet në rrethim, rritjen e aftësive fizike, e sigurisht, dhe përgatitjen psikologjike në përballimin e situatave konkrete në një luftë reale…
Mund të na thoni diçka konkrete për Adem Jasharin gjatë stërvitjes që ju bënit me ‘të e grupin ku ai bënte pjesë?
-Ka shumë për të treguar, por një moment do ta veçoj. Është ai kur Adem Jashari rrëshqiste në brezin e minipoligonit taktik të aplikimit të garave të rrëshqitjeve të fshehta, sa më pranë shokut, në largësi të kufizuara në çdo pesë metra me flamuj të vegjël. Pesëmetërshi i fundit ishte plotësimi i detyrës, ishte mundësia për ta kapur me një kërcim shokun, që ishte në rol të rojës serbe, ose dështim në këtë detyrë, ushtrim.
Por jo çdo provë stërvitore në këtë aspekt mund të ishte e arrirë, pasi kishte dhe dështim… Por për Adem Jasharin, kjo e dyta nuk mund të mendohej…
Si konkretisht?
-Ai, Adem Jashari, s’mund të pranonte dështimin, kurrën e kurrës. Motivimi i brendshëm i tij qe i jashtëzakonshëm. Gjethet e thata thuajse e tradhtonin në çdo 5 cm përparim. Dridhej i tërë trupi i tij nga tendosja e muskujve, dhe djersa në 5 metrat e fundit i shkonte çurk nga gusha e mjekra. Pra, këmbëngulja e tij për të realizuar këtë mision stërvitor ishte mbinjerëzore. Fytyra e tij e ashpër e buza e nxirë dëshmonin që atëherë se ky burrë nuk do të ishte një luftëtarë i zakonshëm… Megjithëse në këtë rast, pra kur unë e stërvitja, ai nuk e kishte atë mjekrën e madhe të atij legjendari, që njohim ne sot në portretet e bustet në nderim të këtij heroi të Kosovës e të Kombit Shqiptar.
Si e mbani mend Adem Jasharin si nxënës-ushtar kur ju e stërvitnit për situata reale lufte?
-Mjekër nuk kishte, por mustaqet i kishte shumë të gjata, vesh më vesh. Tek u mësonim formate maskimit, grupi që u caktua të “zhdukej” nën rrjedhën e ujit të një rrëkeje, e realizoi në nivel arti, fshehjen. Edhe maskimi i një grupi, që aplikoi fshehjen rreth e brenda elementeve të një burimi artificial uji, të qëndisur me pasion e mençuri nga luftëtarët e ardhshëm, solli kënaqësi fitoreje në zemrat e tyre. Adem Jashari e shokët e tij(përfshi dhe djem nga trevat shqiptare në Maqedoni), ishin ushtarë të bindur, të ndërgjegjshëm, që bënin maksimumin për të përfituar sa më shumë në orët e stërvitjes… Ndërsa jashtë saj, ata ishin shokë të mirë, me ideale e ëndrra që ndonëse ishin tepër të bukura, do të duhej kohë të bëheshin realitet.
Çfarë bisedonit në kohën e lirë me Adem Jasharin dhe shokët e tij?
-Shumë gjëra, ku sigurisht, stërvitja e tyre, misioni që ata kishin ndërmarrë, zinte një vend kryesorë… “Ja, që edhe lufta, e cila kërkon jetë njeriu, është e bukur, kur e bën bukur me mjeshtri”, -më thoshte gjatë bisedës në darkë, Fatmir Fejzullahu nga Shkupi, mësues gjeografie që pati rastin të luftojë përballë serbit në Malin e Pashtrikut e afër qaf Morinës. “Ai maskim ishte mjeshtri e vërtetë”,- shtoi Fadil Begolli, inxhinier elektronik në luftë e pas saj, shef teknike i Forcave të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Qenia pedagog i studentëve ushtarakë për disa vite, ka lënë gjurmët e veta në kujtesën time, por qenia mësues ushtarak luftëtarësh çlirimtarë, mbetet për mua kujtimi më i madh dhe i pashlyeshëm në tërë karrierën time ushtarake dhe në tërë jetën time…
Këta djem që ju stërvitët në Tiranë, më pas u bënë luftëtarë të denjë dhe drejtues të aftë të formacioneve të ushtrisë së Kosovës në luftën për çlirim?
-Po. Janë me dhjetëra, e unë, kolegët e mi, ndjejmë kënaqësinë më të madhe se duke bërë detyrën, dhamë kontribut për përgatitjen e këtyre djemve që do të sillnin disa vite më vonë çlirimin nga pushtuesi serb dhe Kosovën e lirë, ëndrrën e brezave për shqiptarët… Kam kujtime e raste të shumta në këtë luftë, pasi unë e shumë kolegë nga Shqipëria, patën fatin të ishim pjesë aktive në këtë luftë…
Jeni takuar pas luftës me djemtë-ushtarë nga Kosova e trojet e tjera shqiptare që stërvitët vite më parë?
-Po. Pas çlirimit të Kosovës, pata mundësinë e nderin të kem takime me ‘ta dhe në salla mbledhjesh e konferencash përkujtimore, ku jo pak herë kam mbajtur kumtesa e fjalime. Ndjehesha disi më mirë kur dëshmoja ndonjë veprim të karakterit luftarak, që kish ndodhur gjatë drejtimit si komandant i batalionit special “Delta” të Ushtrisë Shqiptare në përmbushje të detyrave të zbulimit, diktimit dhe pengimit të ndonjë formacioni serb në provokimet, që bënin në brezin kufitar, në zonën e Zogajt, të Pacit, të Zherkës e fshatit Xhuxh të Hasit në vitin 1999… Siç ua thash pak më parë, edhe mua më takoi të kryeja një detyrë të rëndësishme luftarake, në kuadrin e Luftës Çlirimtare të Kosovës, në prapavijat e saj, që ishte zona e Hasit dhe e Tropojës…
Folët për stërvitjen e djemve nga Kosova në Shqipëri, luftën që bënë e takimet pas lufte; keni ndonjë peng gjatë kësaj kohe?
-Po, kam një peng… Ndërkohë që politika ua pati mbyllur derën djemve të Kosovës, për të mos u stërvitur në Shqipëri, disa kohë më pas, dhe mua më erdhi urdhri i transferimit. Ishte shkurti i viti 1993 kur u lajmërova të largohesha nga Akademia dhe të kaloja në dispozicion të Divizionit të Tiranës, me komandant Agim Lalën, i cili më kaloj në dispozicion të Brigadës së Këmbësorisë në Vaun e Dejës. Jo aq për arsye të moshës, sa për të ruajtur dinjitetin, si Dekan i Fakultetit Gjitharmësh në shkollën e lartë ushtarake, këmbëngula të largohesha nga ushtria. Nuk mund të pranoja të shkoja në detyrën më të ultë të oficerit, pas një karriere aq të gjatë dhe aq të suksesshme ushtarake. Kuptohej lehtazi se po largohesha për motive politike, me motivacionin e shkurtimeve në kuadrin e “reformës në ushtri”… Por ajo që bëmë me djemtë e Kosovës, për mua dhe kolegët e tjerë pedagogë të Akademisë ushtarake, mbetet një nga gjërat e vlefshme dhe ndër më të bukurat e karrierës sime të gjatë ushtarake….(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Rrëfimin e Kolonel Hysen Ymerit për detyrat specifike të Batalionit të Zbulimit që ai komandonte gjatë luftës së UÇK-së kundër ushtrisë serbe për çlirimin e Kosovës.
-Si sigurohej informacion dhe si bëheshin ndërhyrjet e zbuluesve në front dhe prapavija të ushtrisë serbe.
-Si rrethuan dhe neutralizuan 30 ushtarë serbë në fshatin Xhuxh të Hasit, që kishin mision vrasjen e banorëve dhe djegien e fshatit.
KUSH ËSHTË LEGJENDA ADEM JASHARI
Adem Jashari u lind në Prekaz, në rajonin e Drenicës së Kosovës, më 28 nëntor 1955. Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Së bashku me të vëllanë e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundra forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së”. Titulli “Hero i Kosovës” u dha atij në vitin 2008. Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit. Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbo-sllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë. Adem Jashari, në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998. Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore.
Një rrethim e dytë u bë për të pamundësuar çdo shpëtim jete. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mijë trupa. Sulmi zgjati dy ditë. Forcat policore kërkuan së pari që Adem Jashari të dorëzohet, pasi se kjo nuk ndodhi, ata i dhanë 2 orë afat për të shqyrtuar ofertën. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotsjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi. Adem Jashari, së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Pedagog Hysen Ymeri ose siç i therrisnim ne pedagog Ceni ,kur ishim student tek Shkolla e Bashkuar e Oficereve , mbetet nje nder kampjonet e rralle qe ka Shqiperia ne drejtim te mesim dhenjes , demonstrimit individual dhe ne pergatitjen e luftimit trup me trup ose ne sampo siç i thoshnim ne ate kohe. Ushtaret pare te UÇk-se kane patur fatin e madhe qe jane stervituar dhe kulifikuar nga pedagoget me te shkelqyer qe ka patur ushtria ,vleren e tyre e kuptuam vetem kur shkuam ne specializime ne akademite e huaja ushtarake.
kush ka qene ushtarak e njeh pedagog Hysenin ,qe me doren e vrare ,me gishta manget ,i kryente te gjitha veprimet me mitre se ne q
hallall qumshti i nenes per oficeret e shtetit shqiptar qe ka stervitur djemte e kosoves per ti dalur zort vatanit pa ndihmen e shtetit shqiptar kosove nuk dot kishte rofte populli shqiptar
njerez te shkelqyer pasandaj oficera shembull si Ceni dhe te ter oficerat e fakultetit te kembesoris te shkolles bashkuar si katedra e zjarrit dhe ajo e taktikes edhe e zbulimit.