Ushtarakët nga Shqipëria në luftën e Kosovës
Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve: Në mars 1998-n u takuam ilegalisht me Xhavit Halitin e Fatmir Limajn. Në misionin tonë na kanë ndihmuar Pandeli Majko, Rexhep Mejdani dhe Sabit Brokaj”
Ushtarakët nga Shqipëria kanë qenë aktivë që në momentet e krijimit të UÇK-së dhe gjatë gjithë luftës që u bë përkrah forcave të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, ndërkohë, Shoqata Kombëtare në Rezervë, në bashkëpunim me drejtuesit kosovarë të UÇK-së ka punuar me përkushtim për sensibilizimin e domosdoshmërisë së kësaj lufte dhe dërgimin në të, të qindra ushtarakëve në rezervë nga Shqipëria. Sipas kolonel Zyhdi Krojit, ky mision realizohej fillimisht në ilegalitet, ndërsa më vonë dhe hapur fare… “Janë me dhjetëra e qindra ish-ushtarakë që drejtuan formacionet luftarake të UÇK-së, ndërkohë, që me gjithë specifikën e çështjes, dua të përmend për kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim dhe drejtuesit e shtetit shqiptar, Pandeli Majko, Rexhep Mejdani e Sabit Brokaj” -pohon për ‘Dita” kolonel Kroji, President Nderi i kësaj shoqate…
Zoti Kroj! Ju keni drejtuar prej vitesh Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë dhe sot jeni President Nderi i kësaj shoqate. Shumë anëtarë të kësaj shoqate kanë dhënë kontribut të rëndësishëm që në ditët e krijimit të UÇK-së e deri në çlirimin e Kosovës?
-Tashmë ky është një fakt historik. Luftëtarët nga Shqipëria, disa prej të cilëve dhanë dhe jetën për çlirimin e trojeve kosovare nga pushtuesi serb, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë luftë, si ushtarë të thjeshtë e deri në drejtues në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Më saktë, kontributi i ushtarakëve shqiptarë dhe shoqatës sonë në këtë drejtim, e ka zanafillën shumë kohë para fillimit të luftës, bile, ende pa u krijuar UÇK si strukturë luftarake… E theksoj që në fillim, se ky mision i ushtarakëve dhe shoqatës sonë, për vetë kushtet e kohës, ishte i vështirë dhe i anatemuar nga shumë krahë, nga jashtë e nga brenda vendit…
Më konkretisht në këtë drejtim?
-Dua të theksoj se ne, prej vitesh, e kam fjalën këtu pas vitit 1990, dinim e njihnim revoltën e brendshme në Kosovë e faktorit kosovar në emigracion karshi shtypjes së pushtetit të Milosheviçit dhe dëshirën e gatishmërinë për të fituar lirinë e shumë ëndërruar dhe me luftë. Kështu, shumë djem kosovarë, që shumë vite para se të fillonte lufta në vitin 1999, janë përgatitur fizikisht e ushtarakisht në vendin tonë, në njësi e reparte të veçanta të ushtrisë tonë. Një ndër ta është dhe legjenda e luftës në Kosovë, Adem Jashari…
Të kthehemi tek kontaktet e para të shoqatës suaj me UÇK-në apo përfaqësues të saj?
-Të bëjmë një korrigjim këtu. Në atë kohë, nuk ishte krijuar UÇK si formacion, por kontaktet tona të para për përgatitjen e afërt për luftë konkrete janë marrë me përfaqësuesit e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës… Ishin përfaqësuesit e saj(Drejtues të këtij Këshilli) që erdhën në Tiranë, morën kontakt me ne drejtuesit e shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e në Lirim, duke na sjellë dhe Komunikatën e parë dhe vendimet kryesore që kishte miratuar ky Këshill…
Kur ka ndodhur kjo?
-Pra, në këto rrethana, në mars të vitit 1998, pak ditë pas miratimit të Komunikatës së Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës nis angazhimi konkret në ndihmë të luftës së pritshme në Kosovë. Ishte pasdite dhe sapo isha kthyer nga zyra në shtëpi. Bie zilja e telefonit, e një nga kolegët më fton për të pirë një kafe, ku do të takonim dhe një person që kishte ardhur për të na takuar nga Kosova. E lemë takimin tek një kafene përballë Bibliotekës Kombëtare(Tirana qe pushtuar nga kioskat atëherë) që menaxhohej nga A. Xheka. Ulemi me kolegun në tavolinë. Ndërkohë, na afrohet një person dhe na prezantohet (J.K). Takohemi me dashamirësi, ndërkohë që miku nga Kosova më jep një material me firmë e me vulë, që ishte Komunikata e Parë e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, që sapo ishte krijuar. Miku priti të lexojmë komunikatën, i gatshëm për të na dhënë shpjegime të tjera dhe për të na sqaruar dhe misionin e ardhjes së tij në Tiranë dhe kërkesat për ndihmën që do të kërkonte…
Çfarë thuhej në këtë komunikatë dhe kush ishte organi që e kishte lëshuar atë?
-Përmenda më sipër që Komunikatën e lëshonte Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, i vetëquajtur strukturë ushtarako-politike, i organizuar që nga viti 1996 dhe kishte si mision “plotësimin e vakuumit konstitucional dhe institucional të lënë nga Parlamenti i mos konstituuar, Presidenti, Kryeministri dhe subjektet politike në lëmin e mbrojtjes dhe sigurisë Kombëtare. Në mbledhjen e tij, ky Këshill, kishte marrë dhe tre vendime të rëndësishme: 1-Formimin e Forcave të Armatosura, 2-Përgatitjen për luftë mbrojtëse, 3-Zhvillimin e luftës për çlirimin e vendit. Komunikata mbante datën 17 mars 1998.
Çfarë biseduat rreth saj e më tej me mikun nga Kosova?
-Ai na tha se drejtuesit e këtij Këshilli i kishin të qarta tre objektivat kryesore, se kishin mbështetje të madhe në popull e faktorët e tjerë në Kosovë dhe se ishin të vendosur për luftë të armatosur për çlirimin e trojeve nën pushtimin serb… Këmbënguli që në fillim dhe na e bëri të qartë se ky formacion (Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës), nuk kishte asnjë lidhje me FARK-un e Rugovës e Bukoshit… “Ushtria e re që do krijojmë, nuk ka asnjë lidhje me FARK-un. Ne kërkojmë nga ju së pari njohjen e këtij organizmi dhe mbështetjen e tij. Kuptohet, në fillim të na ndihmoni me publikimin e komunikatës dhe me mbështetje publike…” -na kërkoi ai… Sigurisht, që biseduam gjatë dhe për fazat e tjera, deri në përballjen luftarake të pritshme të ushtrisë së re(që u emërtua UÇK) me pushtuesin serb… Thirrja u publikua disa herë edhe në TVSH shqiptar…
Si vepruat më tej?
-Për të sqaruar hapat tona të mëtejshme pas kësaj komunikate e takimit të zhvilluar, dua të ndalem pak. Mendova që të mbledh Këshillin e Përgjithshëm Drejtues të Shoqatës(organi më i lartë vendimmarrës i saj). Përgatita një projekt-deklaratë dhe më datë 26.03.1998 në një nga sallat e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë(ESKU), u zhvillua takimi. Pati solidarizim me Komunikatën e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës si dhe me projekt-deklaratën e paraqitur, por për miratimin e kësaj të fundit, pati një hezitim me argumentin se ‘shteti shqiptar nuk e ka njohur ende një lëvizje të tillë politike-ushtarake në Kosovë’. Më vonë, kjo pendesë u korrigjua shumë shpejt në formën e autokritikës me vepra, ku unë do të përmend ndër kolegët dhe Veli Llakajn, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë. Pra ne si ish-ushtarakë karriere, u bëmë pjesë e përpjekjeve për sensibilizim rreth kësaj lëvizje, që ende nuk kishte krijuar formacionin luftarak UÇK… Në këtë aspekt, ashtu si dhe më vonë kur nisi e vazhdonte lufta në Kosovë, ne kërkuam dhe mbështetjen e shtetit shqiptar, Kryeministrit e Presidentit të Republikës, të cilët dhe i takuam…
Diçka për takimet me Kryeministrin dhe Presidentin e Republikës?
-Pas mbledhjes me kryesinë e shoqatës sonë, lidhur me këtë problem, morëm takim me Kryeministrin Pandeli Majko dhe me Presidentin e Republikës Rexhep Mejdani. Takimi me Pandeli Majkon u realizua më 31 mars të vitit 1999, ndërsa takimi me Rexhep Mejdanin u realizua më 1 prill të këtij viti. Kujtojmë këtu se kishte nisur represioni serb ndaj popullsisë së pa mbrojtur në këtë kohë dhe largimi i saj me dhunë nga vendbanimet…
Çfarë i parashtruat Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës?
-I parashtruam gatishmërinë e ushtarakëve në lirim, atyre të Mbrojtjes, të Policisë e të SHIK-ut, për t’u vënë në shërbim të strukturave shtetërore në ndihmë të popullit e rezistencës në Kosovë përballë genocidit të armatosur të serbëve…
Cili ishte reagimi i tyre?
-Na mirëpritën, na mirëkuptuan dhe na vunë në dijeni dhe për elementë të tjerë të situatës në Kosovë si dhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar… Ata na rekomanduan: 1-Takimin me ministrin e Mbrojtjes dhe drejtues të pushtetit lokal për t’u vënë në dispozicion oficerë me përvojë për pritjen dhe sistemimin e të dëbuarve nga Kosova. Mes të tjerave, për këtë porosi, unë u takova me ministrin Demeti, ndërkohë, që po për këtë qëllim, takime u organizuan dhe me drejtues të bashkive, komunave dhe prefekturave në 12 qarqet e vendit… 2- Personat (ushtarakët) që dëshirojnë mund të bashkohen me UÇK-në duke na sugjeruar dhe mënyrat konkrete se si duhej realizuar kjo. Sqaroj këtu se pavarësisht situatës së krijuar në këtë kohë, shteti shqiptar mbajti një qëndrim të kujdesshëm, me qëllim për të mos u implikuar publikisht në atë ngjarje… Këto takime, i dhanë impuls pjesëmarrjes e kontributit konkret të ushtarakëve tanë në luftë për çlirimin e Kosovës… Por ka shumë detaje të tjera, takime me drejtues e ministra të Kosovës para e gjatë luftës që ndihmuan misionin tonë në luftën e Kosovës…
Shkurtimisht disa nga këto?
-Përmend këtu takimin në Tiranë me Xhavit Halitin e Fatmir Limajn në Tiranë… Ishte një pasdite e muajit tetor të vitit 1998, para ministrisë së Mbrojtjes, më vjen e më takon një i panjohur. Më prezantohet dhe më thotë se kërkon të më takojë një person që është përfaqësues i Kosovës në Shqipëri. Vajtëm në ish-Bllok, përkatësisht në ish-vilën e Enver Hoxhës. Aty u takova me Xhavit Halitin. Ai më sqaroi situatën në UÇK e atë në përgjithësi në front e në Kosovë. Më rekomandoi po atë çast, që për nevojat konkrete, të takoja përfaqësuesit e UÇK-së në Tiranë. Kështu bëra që atë ditë…
Ku dhe kë takuat konkretisht?
-Me korrierin shkojmë në një godinë tre kate prapa ‘Shkollës së Kuqe” në Tiranë. Takoj një djalë të ri, 35-40 vjeç që më prezantohet se ishte zëvendësministri i Mbrojtjes së Kosovës. Ishte pra Fatmir Limaj. Biseduam gjatë për problemet e situatën. U futëm në një zyrë ku ishin dy ushtarakë të lartë, ku punuam mbi hartat(plane të veprimeve luftarake)të vendosura mbi tavolinë. Fatmir Limaj dhe dy ushtarakët e lartë të Shtabit të UÇK-së, njëri Drejtor Operativ dhe tjetri i Logjistikës(dhe për armatim-municionet) më parashtrojnë kërkesat më emergjente të tyre…
Cilat ishin ato?
-Konkretisht, ata kishin nevojë për oficerë të specialiteteve si zbulues, xhenierë dhe oficerë specialistë të artilerisë për armët e artilerisë së kalibrit të vogël… Kuptohet, ata kishin dhe nevoja të tjera, kryesisht për armatime… Po kishte dhe rrugë të tjera për plotësimin e këtyre nevojave… Unë po përqendrohem në disa aspekte të aktivitetit të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë për mbështetjen aktive të luftës për çlirimin e Kosovës…
Si vepruat lidhur me kërkesën e drejtuesve të UÇK-së për dërgimin e ushtarakëve specialistë në frontin e luftës?
-Sigurisht punuam me të gjitha mundësitë tona. Janë me dhjetëra e qindra ushtarakë specialistë që u dërguan në formacionet e UÇK-së ku dhanë kontribut të çmuar për arritjen e fitores… Ne i njihnim kolegët tanë, u sugjeronim përse duheshin në frontin e luftës. Unë, së bashku me shokët e kryesisë, i merrnim kolegët që niseshin në frontin e luftës dhe i shoqëronim në bazën e UÇK-së… Po dua të nënvizoj këtu, që përveç punës tonë si shoqatë e mbështetjes së strukturave të shtetit të kohës(mes shumë të tjerëve dua të veçoj Sabit Brokajn), është për t’u evidentuar gatishmëria e madhe e ish-ushtarakëve që sfiduan rrezikun e luftës, shprehën gatishmëri masive për të shkuar, drejtuar, komanduar e luftuar në formacionet e UÇK-së…
Në luftën e Kosovës, roli parësor qe i NATO-s. Kontaktet e shoqatës suaj me strukturat e saj?
-Janë të shumta. Unë po përmend një rast këtu, atë pas Konferencës së Rambujesë dhe të bombardimeve të para të NATO-s… Ne u kërkuam tashmë zyrtarisht pjesëmarrjen tonë në frontin e luftës në Kosovë. Ne dërguam një letër-kërkesë urgjente si shoqatë…
Çfarë kërkese i bëtë NATO-s?
-Pasi e falënderonim për ndërhyrjen e saj për lirinë e vëllezërve tanë në tokat e tyre jashtë kufijve të shtetit amë, i shprehnim gatishmërinë tonë konkrete. “Ne jemi të gatshëm që ashtu si në Luftën e II-të Botërore dhe tani, të rreshtohemi përkrah forcave të NATO-s për të ndihmuar në shkatërrimin përfundimtar të diktatorit Milosheviç dhe vendosjen e paqes e demokracisë në Ballkan”.
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Kolonel Hysen Ymeri: Si i përgatitëm fizikisht dhe ushtarakisht në Tiranë, Adem Jasharin dhe djem të tjerë të UÇK-së në shtator të vitit 1991.
-Cilat ishin vlerësimet për Adem Jasharin në përgatitje ushtarake dhe si e reflektoi ai këtë përgatitje në luftën heroike për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
-Takimet e kolonel Ymerit në frontin e luftës në Kosovë me ish-kursantët e dikurshëm dhe bashkëveprimi për suksese në operacionet luftarake kundër ushtrisë serbe.