Kryetarja e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin e Shqipërisë Arta Dade ka kryesuar një ceremonial nderimi në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris.
Ceremoniali është mbajtur në Kolonjë ku ishte duke u zhvilluar një konferencë rajonale me pjesëmarrjen e deputetëve, të pushtetit lokal dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Në një letër drejtuar ambasadorit francez në Tiranë, znj.Dade shkruan ndër të tjera:
I dashur ambasador! Më lejoni të shpreh pikëllimin tim më të përzemërt për jetët e pafajshme të humbura, si dhe solidaritetin me ju, autoritetet franceze dhe popullin francez, që ka admirimin e shqiptarëve dhe botës mbarë për vlerat e lirisë, demokracisë dhe solidaritetit. Isha në Korçë me ambasadorin e OSBE kur dëgjuam lajmet e tmerrshme që na shokuan. Sot në mengjes pjesëmarrësit në konferencën që po mbahet këtu në Kolonjë, anëtarë të Parlamentit, të pushtetit lokal në Korçë dhe ambasadori i OSBE bashkë me stafin u bashkuam me shumë qytetarë në momente heshtjeje dhe dënuam aktet terroriste duke shprehur mbështetjen tonë për Francën dhe angazhimin në luftën e përbashkët ndaj terrorizmit. / Dita /
