Kolosi Dionis Bubani në librat e shkollës

redaktor

Në rrjetet sociale doli këto ditë dikush i shqetësuar dhe i indinjuar, duke u bërë thirrje prindërve “të bëjnë kujdes e të mos lejojnë t’u bien në dorë fëmijëve të tyre” disa tekste shkollore, por mua më ra në sy dhe më bëri përshtypje (me qenë se kam nipin në klasën e dytë) ajo çka shkruhej për tekstin “Gjuha shqipe 2”. Problemi qe ngrihet qëndron me tregimin “Shkumësi magjik”, të cilin “të indinjuarit” jo vetëm e kishin “lexuar” vetëm në faqen e parë të tij, pra të paplotë, por edhe e paraqisnin ne rrjetet sociale me figurë, duke dhënë, po vetëm faqen e parë dhe jo të gjithë tregimin. Natyrisht të “indinjuarit” u rritën shpejt, pasi nuk kishin tekstin në dorë (unë vetë e kam parë se e ka në duar nipi im) dhe lexonin vetëm një pjesë të tregimit. Tekstin në dorë e pati vetëm ai dikushi që “hodhi farën së keqes në diskutim”. Dhe sigurisht, që në Shqipërinë e sotme kur gjithçkaje që s’ka bisht i venë një të tillë dhe për buajtë e mëdhenj, që kalojnë ditë e natë përpara syve tanë, nuk kujtohet njeri… Ndaj dyshoj seriozisht se është ndonjë “mercenar” me ose pa pagesë në “garën e shfrenuar” të ndonjë shtëpie botuese për të zaptuar pjesë sa më të madhe të tregut të shitjes së librit shkollor, aq më shumë kur prej kohe është deklaruar se reforma e Altertekstit, do të ribëhet…

Por mjaft me kaq! Unë ju lutem shumë që të lexoni krejt tregimin së bashku me aparatin pedagogjik prapa, para se të flisni dhe të merrni mundimin të harxhoni kohën tuaj të vyer, që mund ta shpenzoni për të kryer punë të dobishme. Autoret kanë menduar që në faqen 23 të këtij teksti, për të ilustruar programin kurrikular, të sjellin tregimin “Shkumësi magjik” të autorit të mirënjohur shqiptar, z.Dionis Bubani. Pjesa e zgjedhur “Shkumësi magjik” prej autorëve të hartimit të librit, shkon në mënyrë tejet funksionale me disa elementë të moshës, kur përbashkohen brenda saj fjalë kyçe si, shkumësi, tabela e zezë, babai, dhe prirja e kësaj moshe për “aventura”. Dhe morali i pjesës është goditja e aventurës. Theksojmë këtu, se z.Dionis Bubani, për këdo që nuk ka dijenitë e duhura në këtë fushë, radhitet një prej shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe jo vetëm. Dionis Bubani është prej atyre që ka njohur nga afër Çajupin, Asdrenin, Kutelin, Poradecin, Luarasin, Kadarenë, Agollin e deri edhe Man-in. Redaktor i Revistës “Hosteni” për vite të tëra, autor i një sërë teksteve këngësh fituese në festivale dhe autor i disa komedive. Ndaj na duket e tepërt t’ju sqarojmë më shumë se si Dionis Bubani nuk paska shkruar një tregim ashtu siç duhet për fëmijët, me moralin dhe mësimin që duhet nxjerrë prej fenomenit që përshkruhet aty! A, vetëm nëse dikush kërkon që t’i bëjë gjyqin sot zotit Dionis Bubani “në mungesë”! Nuk ju duket pak për të qeshur?

Me sa di, prej përvojës së hartimit të teksteve, teksti “Gjuha shqipe 2” si dhe shumë të tjerë, përveç se ka kaluar kontrollin profesional të recenzentëve dhe redaktorit shkencor mjaft profesional dhe me emër në këtë fushë, ka kaluar dhe në filtrin e komisioneve kualifikuese të konkurseve të Ministrisë së Arsimit që në vitin 2011. Ajo pjesëz nuk ka asnjë arsye të keqinterpretohet, kur në dorë, pikë së pari e ka dhe do ta ketë mësuesi për interpretim në klasë, ne prindërit dhe gjyshërit, përpara fëmijëve tanë, dhe krijimi i metodologjisë interpretuese duke marrë të kundërtën e moralit që përcjell, nuk bën gjë tjetër vetëm se krijon një përshtjellim të keq dhe tjerrja kaq gjatë e këtij problemi, të sjell një qasje negative, ku aventura e mashtrimit të merret për një realitet të zbatueshëm. Dionis Bubanit vetë, kjo do t’i dukej një absurditet i gjallë.

Share This Article
2 Comments
  • Mos valle behet fjale per te njejtat komisione qe kane kaluar ne filtrin e tyre perzgjedhes studentin qe bie nga humnera per te matur shpejtesine e renies, apo ariu qe ndjek djalin ne peme me qellim qe ky i fundit ge gjeje ngjyren e tij te gezofit etj etj.

    Tregimi i shkumesit mund edhe te jete i padrejte, por ne nje stive me aq shume “drunj te shtrember”, ato pak “te drejte” duken edhe me te shtrember!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *