Nga Marista Urru
Një tablo rrënqethëse e fatit të mijëra fëmijëve afrikanë që përdoren si skllevër për të gjetur Koltanin, metalin e domosdoshëm për kompanitë perëndimore të teknologjisë Hi Tech. Trafiku i këtij elementi të çmuar sa vetë diamanti ka vrarë mbi 4 milionë njerëz vetëm në Kongo. Ndërkohë banda të shteteve fqinje luftojnë midis tyre dhe me ato vendase për zotërimin e tregut ilegal
Protestat e atyre që e perceptojnë si pushtim territori ardhjen e emigrantëve dhe nga ana tjetër propozimet pa fund e krye të mbështetësve të emigracionit, siç ishte marrëzia për ta propozuar Lampeduzën për çmimin Nobel të Paqes, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mbushin faqe të kota gazetash dhe prodhojnë debate të padobishme në “talk-show” televizivë po aq të padobishëm e të shtrenjtë. Pas qetësimit të ndërgjegjeve të turbulluara, mund të vazhdohet të Heshtet.
Mbi çfarë heshtet?
Mbi Koltanin. Dija shumë pak dhe pyesja veten, si ka mundësi që tragetet dhe gomonet që vijnë nga Saharaja e poshtme janë të mbushura me fëmijë, për më tepër të pashoqëruar. Nga kush apo nga çfarë i largojnë aq me ngut? Roberto Fico i Lëvizjes 5 Yjet (M5S) e shtroi çështjen në emisionin e Fabio Fazio-s, i cili lëkundej me siklet në poltronën e tij, duke u përpjekur që ta kthente diskutimin mbi çështjen shumë të debatuar në Itali të bashkëpunimit të mundshëm të M5S-së me Pd-në. Natyrisht që Fico nuk është nga ata që i devijojnë temat që nisin dhe nga ai mora shtysën të shkruaj pas një kërkimi që kam bërë së fundi.
Për informacion: “Çfarë është Koltani (Coltan)? Shumë mendojnë se shkaku kryesor i luftërave në Afrikë janë konfliktet tribale, nuk është kështu. Askush nuk e di, por Koltani është shkaku kryesor i konflikteve në Kongo, i cili që nga viti 1998 e deri më sot ka vrarë më shumë se 4 milionë persona vetëm në këtë shtet. Koltani është një nga përbërësit kryesorë të celularëve tanë, një metal më i çmuar se vetë diamantët. Në përbërjen e tij kombinohen dy minerale: Colombite dhe Tantalite, përqindja e kësaj të fundit është pikërisht ajo që përcakton edhe çmimin.
Nga Koltani nxirret Tantalite, element i pazëvendësueshëm për aparaturat tona teknologjike. Ka pamjen e rërës së zezë dhe përfaqëson një pjesë thelbësore për videokamerat, telefonët, playstation-at dhe për të gjitha pajisjet e teknologjisë së lartë (Hi Tech). Shërben për të optimizuar konsumin e elektricitetit në qark, duke mundësuar kështu një kursim të madh energjie.
Kompanitë e telefonisë, që e shtrijnë aktivitetin e tyre në shtete të ndryshme të botës, e blejnë këtë material duke negociuar me trafikantët e biznesit në të zezë më të pasur të Kongos. Por, nga vendet fqinje si Uganda dhe Ruanda mbërrijnë të tjerë luftëtarë, të cilët duan të kenë gjithashtu pjesë në këtë tregti. Dhe është pikërisht nga kjo që burojnë luftërat e pafundme në rajon. Por gjejeni pak se nga mbërrijnë armët që i ushqejnë këto konflikte? Perëndimi është i pandjeshëm edhe ndaj fenomenit të fëmijëve-ushtarë, të cilët janë të detyruar të nxjerrin Koltanin, që ndër të tjera është material radioaktiv. Me duar të zhveshura gërmojnë tokën fëmijë të moshës 8-9 vjeç, të dënuar në sëmundje dhe vdekje të sigurt. Mijëra prej tyre iu janë rrëmbyer familjeve për t’u skllavëruar, të tjerë shiten nga vetë familjarët. Vendi është shumë i varfër edhe pse nëntoka e tij është një minierë e vërtetë. Të ardhurat shkojnë kryesisht për blerjen e armëve për të vazhduar pafund luftëra që shfarrosin popullsinë sikur të mos mjaftonin uria e përgjithshme dhe sëmundjet. Në Perëndim askush nuk ka interes t’i ndalojë, aq më pak ata që shesin armë.
Ja përse gomonet që vijnë nga ana tjetër e botës janë plot me fëmijë. Por, nuk na informojnë dhe paqeruajtësit e rremë heshtin, pushteti nuk preket, po e provojmë edhe në lëkurën tonë “evropiane”. Është pushteti i kompanive shumëkombëshe të telefonisë, të armëve, të pastrimit të parave… kështu që heshtin. Këta njerëz që sot nuk ju tregojnë asgjë, nesër do të jenë gati t’iu skllavërojnë edhe ju./Përktheu: Dorina Gjuzi
Ne Shqiperi Coltanin, e ka zevendesuar KROMI i Bulqizes.
,,,///”’ Greetings from you in new world with new mILLENNIUm MAN:BaracKHObamA
TURP PO NUK MUND TE LUFTOHET NGA NJEREZIT E THJESHTE
Jam i trishtuar, sepse kjo gjë nuk ka për të ndryshuar kurrë. Tashmë “ligji i xhunglës” ka fituar të drejtën e qytetarisë. Në këtë botë, sundon PARAJA DHE VETËM PARAJA!!! Sado të lodhemi ne “idealistët” kudo në botë, gjithnjë paraja do gjejë treg për tu shitur…Kjo është fatkeqësia e pandalshme që do na ndjekë në këtë jetë…