Rishfaqen “Komandot” grabitës. Katër persona të veshur me rroba ushtrie dhe policie, kanë mësyrë orët e para të mëngjesit të djeshëm te kompleksi “AML”, në një restorant dhe lokal bastesh sportive afër zonës së Kombinatit në Tiranë, për të cilin mendohet se është në pronësi të biznesmenit Arben Frroku. Dhe pasi kërcënuan punonjësit, kanë marrë të paktën 10 mijë euro nga xhiroja ditore. Skema ka qenë e njëjtë me grabitjen spektakolare të dy kambistëve në Durrës gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për 4 persona, të cilët kanë përdorur këto uniforma për këtë krim, ku dy ishin veshur me uniformë kamuflazhi dhe dy të tjerë me uniformën e Policisë së Shtetit. Pak momente pas ngjarjes, makina u gjet e shkrumbuar nga autorët e paidentifikuar afër liqenit të Kasharit për të humbur gjurmët. Kjo skemë u përdor edhe në grabitjen e Kambistëve, ku “Roveri” luksoz u gjet i djegur në Adriatik të Laçit, dhe në grabitjen te TEG-u, ku vetura “Benz” që i ishte grabitur babait të kreut të PS-së Prezë, u zbulua e djegur afër Paskuqanit nga autorët.
Ngjarja është shënuar rreth orës 10:30 të ditës së djeshme në zonën e rrugës “Misto Mame”, ku nën kërcënimin e armëve të katër personat kanë marrë një shumë të konsiderueshme parash, ku zyrtarisht thuhet 10 mijë euro, por nuk përjashtohet që shuma të jetë disa herë më e madhe. Autorët mendohet se kanë pasur informacione të sakta për këtë shumë. Madje nën zë policia thotë se pika e basteve ishte në pronësi të Arben Frrokut, i cili aktualisht ndodhet në burg, nën akuzën e vrasjes së komisar Dritan Lamaj, por kjo nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Menjëherë pas kësaj, të katër personat me një automjet të llojit “Opel”, me targa italiane, janë larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët. Kanë marrë rrugën e zonës së Yzberishtit, që e kanë njohur mirë duke kaluar nëpër rrugica dhe dalë në periferi në pak minuta. Në ndjekje të tyre janë vënë forca të shumta policie, por pa mundur t’i ndalojnë. Disa minuta më vonë në zonën e Kasharit është gjetur edhe mjeti i djegur, ndërsa aty grabitësit i priste një automjet tjetër.
Ekspertët e policisë së Tiranës po këqyrin të dy vendngjarjet si pika që u grabit ashtu edhe makina e djegur. Ndërkaq një kamera e një biznesi në vendin ku u dogj makina, pritet të zbardhë detaje më tepër, ashtu sikurse edhe kamerat tek pika e basteve që u sulmua. Punonjësit kanë dhënë dëshmitë e para, duke thënë se ishin të maskuar. Paraprakisht mendohet se autorët kanë pasur informacione se në pikë do dilte një shumë e konsiderueshme e xhiros nga bastet e ditës së diel. Kjo grabitje spektakolare ngjan edhe me të tjera ngjarje të tilla, si grabitja e një Qendre Tregtare natën e Krishtlindjeve në zonën e Farkës, apo ajo e grabitjes së kambistëve në Durrës, ku u morën 100 milionë lekë. Dyshohet se bëhet fjalë për të njëjtin grup nga teknika, mjetet dhe skema e përdorur.

Di qe me ligj deputeti nuk ka objekte ne pronesi ose ne ka patur duhet ti shese kur merr mandatin e deputetit.
zodiac : eshte vellai i deputetit ai qe ka biznesin *aml*,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!!!
edhe ajo i duhet Zenit te ngeli pa pune
Vetem dua te di a kan ikur ne drejtim te pa ditur.Deri kur nuk do gjindet kjo rruge enigmatike,menduam se skuadra qeverisese do bejn dicka po kjo e ka humbur si xhaferi simitin.