Kombëtare “full option”, kthehen Bakaj e Vangjeli

anazapta

De Biazi ka alternativa të plota, thërret Balajn e Vajushin, lë pushim Salihin, Hykën e Bogdanin

 

Prekni diçka me dorë: Kombëtarja nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar dhe Xhani De Biazi tani ka vetëm vështirësi zgjedhjeje! Trajneri italian i Shqipërisë ka bërë gati listën e emrave për miqësoren kundër Kamerunit dhe në të ka disa hyrje të reja, krahasuar me takimet eliminatore kundër Islandës e Sllovenisë. Rikthehen Elis Bakaj e Kristi Vangjeli, “gradohen” Armando Vajushi e Bekim Balaj, ndërkohë që janë lënë pushim disa prej senatorëve, si Erjon Bogdani, Hamdi Salihi e Ansi Agolli, por edhe portieri i Skënderbeut, Orges Shehi.

 

Rikthimet

Elis Bakaj vjen me autoritetin e një goli që bëri xhiron e botës pak javë më parë, duke tërhequr mbi vete elozhe dhe epitete si kurrë më parë. Kthimi i tij ishte paralajmëruar që nga momenti që u aktivizua në kampionatin ukrainas, por tani nga Elisi pritet të japë atë që i kërkohet prej kohësh, fantazinë ekstra në sulmin kuqezi. Në këtë kontekst, goli kundër Tavrias është një argument shtesë, që tregon se Bakaj është në gjendje të bëjë gjëra të mëdha. Kthimi i tij vjen në momentin më të përshtatshëm për të forcuar konkurrencën në “repartin” e fantazisë, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i Ervin Skelës. Një barrë që në eliminatore iu ngarkua Alban Mehës dhe duhet thënë se kosovari nuk ka zhgënjyer, por së fundmi ai e ka humbur vendin në formacionin e Paderbornit.

 

Pak konkurrencë më tepër, sidomos nga një lojtar si Bakaj, do ta mobilizonte sigurisht më tepër. Kristi Vangjeli nuk ka luajtur asnjë ndeshjen me De Biazin, për shkak të dëmtimit të rëndë të pësuar në “derbin” shqiptar në Ukrainë, midis Çernomorets dhe Vorsklës. Ishte spektator edhe italiani, i cili pa me hidhërim dëmtimin e mbrojtësit, që më në fund do ta ketë kundër Kamerunit. Vangjeli nuk ka minuta loje, megjithatë i ofron trajnerit alternativa për prapavijën, sidomos duke pasur parasysh edhe paraqitjen jo të mjaftueshme të Dallkut nga e djathta. Hyrja e korçaret në skuadër mund të çojë Lilën nga e djathta, në vendin ku jep maksimumin.

 

Gradimet

Vajushi dhe Balaj kanë shkëlqyer me klubet e tyre, por edhe me kombëtaren U-21. Dy shkodranët e kanë merituar thirrjen në kombëtare dhe “gradimi” i tyre ishte diçka e pritshme. Vajushi është një alternativë e mirë për krahët e mesfushës, ndërkohë që mund të luajë edhe në sulm, ku nuk do të jenë Bogdani e Salihi, të cilët De Biazi ka vendosur t’i lërë pushim, ashtu si dhe Jahmir Hykën. Dy lojtarët më të pritur të momentit do të jenë Armando Sadiku dhe Edgar Çani, për shkak të interesimit në merkato rreth tyre, por edhe portieri Etrit Berisha, për të cilin interesohen Fulhami në Angli dhe Anderlehti në Belgjikë.

 

 

Kuqezinjtë

“Tkurret” përfaqësia e kampionatit

Vetëm tre lojtarë janë thirrur nga Xhani De Biazi nga kampionati shqiptar. Tefik Osmani i Vllaznisë dhe Renato Arapi e Sabien Lilaj të Skënderbeut do të përfaqësojnë Kategorinë Superiore në Gjenevë, ndërkohë që mungojnë portieri Orges Shehi, Franc Veliu dhe Gilman Lika.

 

Të thirrurit nga De Biazi

 

Portierë

Samir Ujkani (Palermo)

Etrit Berisha (Kalmar)

 

Mbrojtës

Lorik Cana (Lacio)

Armend Dallku (Vorskla)

Tefik Osmani (Vllaznia)

Andi Lila (Janina)

Mërgim Mavraj (G. Fürth)

Kristi Vangjeli (Çernomorets)

Renato Arapi (Skënderbeu)

 

Mesfushorë

Debatik Curri (Gençlerbirligi)

Sabien Lilaj (Skënderbeu)

Emiljano Vila (Janina)

Burim Kukeli (Zyrih)

Alban Meha (Paderborn)

Ervin Bulku (Sepahan)

Elis Bakaj (Çernomorets)

Odise Roshi (Frankfurt)

 

Sulmues

Edgar Çani (Polonia)

Armando Sadiku (Lugano)

Armando Vajushi (Liteks)

Bekim Balaj (Sparta)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *