Drejtuesit e skuadrave kosovare e cilësojnë si të dëmshëm largimin e kosovarëve nga kuqezinjtë
Shqipëria dhe Kosova mund të kenë kombëtare të ndryshme në një të ardhme të afërt, çka mund të thotë largim i lojtarëve kosovarë që luajnë aktualisht me skuadrën e De Biazit. Megjithatë, trajnerët e klubeve kryesore në Kosovë mbështesin aktivizimin e kosovarëve në skuadrën kuqezi dhe nuk e përkrahin variantin që Shqipëria gradualisht të ndërtojë një kombëtare vetëm me futbollistë nga Republika e Shqipërisë. Teknikët në fjalë këmbëngulin se kosovarët aktualisht janë një faktor në skuadrën e Xhani De Biazit, por jo vetëm kaq; edhe tifozët kanë një zë të fuqishëm në “Qemal Stafa” apo në çdo vend tjetër ku kuqezinjtë kanë luajtur së fundmi. Këto komente kanë ardhur pas deklaratës së trajnerit kuqezi Xhani De Biazi, i cili ka thënë se ka nisur të krijojë një Shqipëri të re, duke u përqendruar te lojtarët brenda kufijve shtetërorë. Kjo ide e tij ka ardhur për faktin se Kosova është afër pranimit në arenën ndërkombëtare dhe mund të ndodhë që kosovarët të largohen nga Shqipëria për t’iu bashkuar Kosovës, edhe pse deri në këto momente asnjë kuqezi nuk ka deklaruar se do ta ndërrojë skuadrën në një të ardhme. “Në ndeshjen e fundit miqësore me Kamerunin ne kemi pasur vetëm tre kosovarë në kombëtare. Kjo tregon se tashmë kemi shumë më shumë lojtarë të Shqipërisë në skuadër. Unë shpresoj të mos ndodhë largimi i kosovarëve, por ne kemi menduar edhe për zëvendësimin e tyre”, tha De Biazi. Për trajnerin e klubit kosovar Drita, Arbnor Morina, nëse ka një mision të tillë do të ishte i dëmshëm për kombëtaren tonë. “Ai reduktim është bërë vetëm në një ndeshje miqësore, dhe nuk besoj se tashmë ka nisur reduktimi, pasi në ndeshjet zyrtare kombëtarja e Shqipërisë në këto momente nuk mund të bëjë shumë pa kosovarët. Sido që të jetë, unë them se do të ishte shumë e dëmshme. E para, kosovarët luajnë rol kyç në ekip, e dyta, shumica e tifozëve në stadium janë kosovarë dhe e treta, më kryesorja, shumë lojtarë të kategorive të reja të Kombëtares janë kosovarë. Kjo në këtë moment do të ishte e dëmshme për kombëtaren”, tha Morina. Edhe për trajnerin e Prishtinës, Afrim Tovërlani, nëse diçka e tillë ndodh, dëmi do të ishte i madh për Shqipërinë. “Është e drejtë e trajnerit të vendosë se kush do të luajë, por kjo do të ishte shumë e dëmshme për vetë kombëtaren. De Biazi nuk ka gjak shqiptari dhe nuk mund të mendojë si ne, por nëse ndodh të mendohet një kombëtare pa kosovarë, atëherë Shqipëria do të humbë shumë në cilësi si dhe në tifozeri”, tha Tovërlani, i cili shton se do të donte të shihte një trajner kosovar duke drejtuar një nga përfaqësueset e moshave të Shqipërisë. “Ata nuk na vlerësojnë, prandaj nuk na afrojnë asnjë skuadër. Nëse do të më jepnin një kombëtare U-19 apo U-21, brenda dy cikleve do ta kualifikoja në një fazë finale evropiani ose botërori”.
