Kombëtarja bën përgatitjet e fundit, De Biasi teston sulmin

redaktor

Ky është momenti i së vërtetës. Pavarësisht entuziazmit që solli fitorja në Portugali, tashmë Kombëtarja Shqiptare ka mbi shpatullat e saj barrën e madhe të presionit për të konfirmuar atë 3-pikësh të marrë në Aveiro që ndoshta për kundërshtarët e grupit konsiderohet aksidental, një nga ato fishekzjarre në qiellin e errët që shuhen shpejt.

Të jesh në qendër të vëmendjes ndoshta nuk ndihmon, por djemtë e De Biasit kërkojnë ta shikojnë realitetin në sy. Danimarka ashtu si kuqezinjtë vjen në “Elbasan Arena” si kryesuese e grupit dhe ky është dueli ku të gjithë duan gjithçka ose asgjë.

Në këtë aspekt, Kombëtarja Kuqezi duket e fokusuar tërësisht në testin e radhës, një ndeshje që ndryshon nga gjithë pasardhëset, sepse ndoshta në ndeshjen e dytë eliminatore vallen do të përpiqen ta udhëheqin edhe Cana & CO.

Në kompleksin “Tropikal”, kuqezinjtë kanë zbritur sërish në fushë për të qartësuar idetë dhe si për të konfirmuar rëndësinë e madhe të kësaj sfide, ata janë vizituar edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që për të hequr disi tensionin nuk i ka kursyer batutat me trajnerin De Biasi.

Ajo që ra në sy gjatë seancës stërvitore është vëmendja që tekniku italian i kushtoi sulmuesve që ka në dispozicion, pasi nëse nuk shënon, atëherë nuk mund të shpresosh për një fitore dhe ndoshta ky është momenti që Kombëtarja të guxojë më shumë.

Danimarka vuan nga hemorragjia në mbrojtje dhe kuqezinjtë do të tentojnë të kafshojnë.

De Biasi i rreshtoi të gjithë lojtarët e repartit të avancuar sepse ndoshta pikëpyetjet më të mëdha në kokën e tij janë pikërisht për fazën e sulmit. Rama, Cikalleshi, Bala, Salihi dhe Kapllani të gjithë të skaner. Trajneri kërkon më shumë shpejtësi dhe goditje të sakta.

De Biasi kërkon të godasë sërish në shenjë ashtu si në Portugali dhe për momentin zgjedhja duket e vështirë. Një aspekt pozitiv është fakti se i gjithë grupi kuqezi zbriti në parketin e gjelbër me Alban Mehën ende jo në gjendje optimale por tërësisht në dispozicion të trajnerit.

Për pjesën më të madhe të mesfushorëve, stërvitja me topin u përqendrua te goditjet nga distanca, ndërsa Cana-Hysaj-Agolli-Mavraj dhe Xhaka testuar dorashkat e Etrit Berishës. Ora e ndeshjes po afron, Kombëtarja anti-Danimarkë po merr formë.

Share This Article
2 Comments
  • Nuk duhett te gjuajne nga larg, se humbet aksioni kot
    –Por te bejne aksione sulmi nga krahet
    ku te shkojne deri tek vija fundore dhe nga atje ta krosojne topin brenda zones se 16 metershit ….Vetem ne ket menyre kka me shume sukses per te bere gol

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *