Kombëtarja e femrave do të luajë për herë të parë sot një ndeshje zyrtare në sytë e tifozëve shqiptarë. Skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli do të luajë me Holandën, në ndeshjen e vlefshme për Grupin 5 të kualifikuesve të botërorit Kanada 2015. Shqipëria e nisi me humbje, teksa u mund 2-0 nga Belgjika në ndeshjen e parë, megjithatë, në rastin e kombëtares së femrave ka vlerë vërtet shprehja “e rëndësishme është të marrësh pjesë”. Futbolli i femrave në Shqipëri është veçse në fillimet e tij dhe ende nuk ka fituar popullaritetin që gëzon në vendet e tjera të Evropës, sidomos në ato veriore, ku bëjnë pjesë edhe tri nga skuadrat kundërshtare të grupit. Holanda është një nga skuadrat më të forta të botës, në vendin e 14-të në renditjen e FIFA-s, ndërkohë që Shqipëria është e 60-ta dhe mbi të gjitha një skuadër pa përvojë në arenën ndërkombëtare. Në skuadër ka disa lojtare me përvojë në futbollin e klubeve, të cilat aktivizohen jashtë, por me kombëtaren kanë zhvilluar vetëm katër ndeshje zyrtare, tri në grupin paraeliminatore dhe atë kundër Belgjikës. Lojtarja më e spikatur është mesfushorja sulmuese Aurora Seranaj, njëkohësisht kapitene e skuadrës. Të tjera futbolliste cilësore janë Fortuna Velaj, Suada Jashari, Dafina Memedov dhe Xhemile Berisha. Velaj ishte autore e dy golave në grupin paraeliminator dhe luan në Finlandë me PK-35 Vanta. Në raundin paraeliminator, Shqipëria ishte në grupin që i zhvilloi ndeshjet në Maltë, ku bënin pjesë skuadra pritëse, Letonia dhe Luksemburgu. Vajzat kuqezi arritën dy fitore (2-0 me Letoninë, 2-1 me Luksemburgun) dhe barazuan 1-1 me Maltën.

Perse ekipi perfaqesues femra nuk ka mbiemra te ndigjuar tashme ne arenen e futbollit si Basha,Rama ,Meta etj.Nuk mund te ecet perpara vetem me Berishen.Pergezime A.Rakllit dhe te jete me kerkues ne mbiemra te tille.Edhe vete ambasadori mik eshte i shqetesuat per kete problem.