Kombëtarja niset sot për në Francë

redaktor

Pas përgatitjeve intensive në Bad Waltersdorf dhe dy miqësoreve me Katarin e Ukrainën, Kombëtarja shqiptare shijoi më tepër se një ditë pushim. Stafi teknik me në krye trajnerin Gianni De Biasi vendosën ta lënë skuadrën për 29 orë pushim absolut. Koha për t’u shfrytëzuar nga kuqezinjtë jo vetëm për të rimarrë energji, por edhe për tu takuar me familjarët përpara nisjes së grumbullimit në Francë.

Prej orës 11:00 të paradites së sotme, Kombëtarja do të nisë zyrtarisht aventurën në Euro 2016 në Francë. Nga aeroporti i Bergamos në Itali, për t’u spostuar në rezidencën në Perros Guirec, aty ku ekipi do të qëndrojë gjatë gjithë periudhës së pjesëmarrjes historike në një eveniment madhor. Hoteli L’Agapa, një rezidencë luksoze me 5 yje ndodhet në bregun Pink Granite, përballë Arqipelagut të Shtatë Ishujve. Kushte komode, në mënyrë që Kombëtarja të përqendrohet maksimalisht te përgatitjet për debutimin më 11 qershor kundër Zvicrës.

Për sfidën ndaj helvetëve, Kombëtarja do të niset drejt qytetit të Lens në datën 10 qershor, pra vetëm 24 orë përpara sfidës, ndërsa do të kthehet në hotel L’Agapa menjëherë pas përfundimit të lojës.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe për ndeshjet me Francën në Marsejë dhe Rumaninë në Lion, me stafin teknik që ka zgjedhur të krijojë një lloj “karantine” në Perros Guirec, për të bërë maksimumin që skuadra të punojë e qetë dhe të jetë maksimalisht e përqendruar në sfidat e Kampionatit Europian.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *