Vlonjati thirret në vend të Kukelit të dëmtuar dhe mund ta festojë në fushë 22-vjetorin
Nëse Xhani De Biazi do ta aktivizojë kundër Kamerunit, Bruno Telushi do të festojë ndoshta ditëlindjen më të bukur të jetës së tij, me debutimin në kombëtare. Djaloshi i Flamurtarit, i cili mbush 22 vjeç të mërkurën, është thirrur nga trajneri i Shqipërisë për ndeshjen miqësore kundër Kamerunit, në Gjenevë të Zvicrës. Lojtari i kombëtares U-21 është surpriza e vetme pas shpalljes së listës zyrtare nga ana e trajnerit, i cili ka ruajtur pothuajse të gjithë listën e botuar nga “Dita” javën e kaluar. 22-vjeçari do të zëvendësojë Burim Kukelin, i cili është i dëmtuar, pas një goditjeje të marrë në kërcirin e këmbës së djathtë, gjatë aktivitetit me Zyrihun në kampionatin zviceran. De Biazi ka konfirmuar gjithashtu thirrjen e Armando Vajushit e të Bekim Balajt, debutues me kombëtaren, si dhe të Elis Bakajt e Kristi Vangjelit, që kthehen me ngjyrat kuqezi pas dëmtimeve. Jashtë janë lënë Erjon Bogdani, Hamdi Salihi dhe Jahmir Hyka, ndërkohë që ardhja e Telushit e çon në katër numrin e lojtarëve të thirrur nga kampionati shqiptar. Nga Kategoria Superiore, krahasuar me grumbullimin e fundit, për ndeshjet zyrtare me Islandën dhe Slloveninë, mungojnë Orges Shehi, Franc Veliu dhe Gilman Lika.
Skeda
Bruno Telushi
Ditëlindja: 14/11/1990
Vendlindja: Vlorë
Pozicioni: Mesfushor
Skuadra: Flamurtari
Gjatësia: 180 cm
Pesha: 74 kg
Lista zyrtare e kombëtares
Portierë
Samir Ujkani (Palermo)
Etrit Berisha (Kalmar)
Mbrojtës
Lorik Cana (Lacio)
Armend Dallku (Vorskla)
Tefik Osmani (Vllaznia)
Andi Lila (Janina)
Mërgim Mavraj (G. Fürth)
Kristi Vangjeli (Çernomorets)
Renato Arapi (Skënderbeu)
Mesfushorë
Debatik Curri (Gençlerbirligi)
Sabien Lilaj (Skënderbeu)
Emiljano Vila (Janina)
Bruno Telushi Flamurtari
Alban Meha (Paderborn)
Ervin Bulku (Sepahan)
Elis Bakaj (Çernomorets)
Odise Roshi (Frankfurt)
Sulmues
Armando Sadiku (Lugano)
Edgar Çani (Polonia)
Armando Vajushi (Liteks)
Bekim Balaj (Sparta)