Përgatitjet kanë përfunduar. Kombëtarja e Shqipërisë ka mbyllur ditët e stërvitjes në Spanjë dhe ka mbërritur në Aveiro të Portugalisë ku të dielën në orën 20:45 do të luajë kundër Portugalisë në ndeshjen e parë për eliminatoret e Euro 2016 në grupin I.
Optimizmi nuk mungon në radhët e skuadër kuqezi. Megjithëse larg mediave shqiptare, mes rrjeteve sociale, por edhe në intervistat e tyre gazetat lokale, lojtarët shqiptarë por edhe trajneri Xhani De Biazi nuk e kanë fshehur dëshirën për të nisur në mënyrën më të mirë këtë fushatë eliminatoresh.
Tekniku italian mund të jetë i qetë përpara sfidës së rëndësishme kundër Portugalisë. Ditët e përgatitjeve në La Korunja kanë kaluar pa dëmtime, ndërsa De Biazi do të ketë në dispozicion të 24 lojtarët e grumbulluar prej tij. Tani trajneri duhet të vendosë vetëm se si do të luajë.
Dyshimet e vetme janë në repartin e sulmit. De Biazi ka provuar disa skema, ndërsa opsionet janë vetën tre, duke nisur nga eksperienca e Hamdi Salihit. Mundësitë e tjera janë Gashi e Bala, me sulmuesin e Bazelit deri tani golashënuesi më i mirë i kampionatit zvicerian të favorizuar përballë shkodranit.
Përveç Portugalisë, kombëtarja shqiptare do të luajë në grupin I edhe me Serbinë, Danimarkën dhe Armenisë. Pas tranfertës portugeze, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë më 11 tetor kundër Danimarkës në stadiumin e Elbasanit.
