Kombinat-Kinostudio nuk është vetëm një linjë transporti brendaqytetase në Tiranë, as vetëm trajektorja e përditshme e disa qindra qytetarëve. Ajo është makina e kohës që bart në një vrap të përditshëm përmes boshtit më të gjatë të kryeqytetit udhëtarët e vetë të shumtë, është “ciceroni” që shëtit vizitorët e kësaj kohe nëpër 20 stacionet që jetëshkruajnë historinë e Tiranës.
Të përshkosh këtë itinerar është sikur të kesh paguar 30 lekë në këmbim të vizitës së “muzeut historik” që tregon ç’ka qenë e ç’është Tirana, sepse secila prej 20 pikave në vijën e kuqe të hartës së linjës është një fjalë kyçe për rrëfimin e jetës së këtij qyteti. Nga Ish-Kombinati Tekstil tek Ish-Kombinati i Drurit “Misto Mame”, tek Fabrika e Miellit, Shkolla Teknologjike, Parku i Vjetër, 21 Dhjetori, Banka e Shqipërisë, Medreseja, Universiteti (dikur fakulteti) i Mjekësisë, Shkolla Ushtarake e deri tek Ish-Kinostudio Shqipëria e Re asnjë prej tyre nuk është i rastësishëm në vendin e vet. Ato vazhdojnë të jenë aty si edhe pesëdhjetë e kusur vjet të shkuara (diku më shumë diku më pak), duke shkruar historinë e Tiranës sonë shumë të ndryshme nga ajo e atyre viteve.
Dy skajet e këtij boshti, që janë njëherazi edhe dy skajet e qytetit, janë raste të shembujve tipike që tregojnë se si identifikohen me njëra-tjetrën lagjja, banorët dhe historia. Dikur shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, për vite me radhë Kombinati dhe Kinostudioja përdorin të njëjtin mjet transporti për të ardhur e për t’u shkrirë në qendër. Por as Kombinati i sotëm as Kinostudioja, ashtu si edhe banorët e tyre, nuk janë të njëjtët me ata që “themeluan” këto lagje.
Jemi pranë stacionit të parë urban të linjës në Kombinat. Fatorinoja thith me të shpejtë ndonjë cigare të cilën më pas e hedh në trotuar, shkujdesshëm e fik me këpucë dhe nis itinerarin e tij të përditshëm. Udhëtarët e shumtë stacion pas stacioni tejmbushin autobusët portokalli në shoqërinë e bisedave në dialekte të ndryshme dhe muzikës së lartë herë popullore, herë tallava e herë moderne, sipas rastit dhe shijes së shoferit. Dhe përzihen fjalët e këngës me hallet e një të moshuare që i shpjegon “derdin” e saj një udhëtari të rastit, me mendimet e shpërndara të vetvetes, me bisedën virtuale të bashkudhëtarit që e ke aq pranë sa mund të lexosh gjithçka ai shkruan në mesazh.
Dikur inekzistentë, sot bashkudhëtarët e parë në çdo rrugëtim janë “telefonat e zgjuar” në duart e udhëtarëve të cilët nuk janë i vetmi detaj identifikues i kalimit të viteve. Më shumë se gjysma e tyre kanë veshur xhinse, një artikull tërësisht i huaj dhe perëndimor për të kaluarën, por shumë i preferuar dhe praktik sot. Nuk ka dyshim që stili i sotëm i të veshurit së bashku me tatuazhet, flokët, makiazhin nuk kanë afërsi vizive me pantallonat e dikurshme me vija dhe fundet karakteristike me pala.
Në faqet e urbaneve janë afishuar ofertat më të fundit të lotarisë së kësaj linje transporti “Ruaj biletën dhe fito”. Nxitje e qytetarisë dhe nxitje e konsumit.
Këta udhëtarë në shumicën e herëve zbresin në qendër ku shkrihen me të tjerët për t’u bërë kryeqytetas e jo më ‘kombinats’. Një-dy stacione më tutje zbresin banorët e Kinostudios dhe përfshihen dhe ata në qendrën e madhe të Tiranës ku nuk dallojnë më nga të tjerët. Dhe atëherë kur janë në të njëjtin autobus vështirë të dallosh kombinatsin nga banori i kinostudios. Ndoshta sepse identitetet e tyre janë afruar drejt një identiteti të tretë të mesëm ose ndoshta sepse identitetet e tyre nuk janë më ato themeloret.
Dikur punëtorët e kombinatit dhe artistët e Kinostudios do të kenë qenë më të lehtë-identifikueshëm. Ndoshta ndonjë punonjës i veshur me rrobat e hirta të punës ka patur rastin të shohë, të shkëmbeje ndonjë bisedë të shkurtër me yjet e kinemasë shqiptare të kohës. Ndoshta ndonjë Margaritë a ndonjë Ndriçim që punonin tek kombinati i tekstileve kanë parë artistët me të njëjtët emra me veshjet që ata vetë kishin prodhuar në kombinatin e tyre. Por sot nuk është më kështu.
Sot ndërsa lagjet janë afruar kulturalisht dhe ekonomikisht, ndërsa përbërja e popullsisë është pasuruar me të ardhur nga qytete të ndryshme që zbehin diferencat mes lagjeve, është larguar prej tyre elementi i artistëve dikur të prekshëm, sot të fshehur dhe larg dijenisë së pjesës tjetër të shoqërisë.
Kombinati
Teksa ecën në qendër të Kombinatit nuk mund të mos çosh nëpër mend ndryshimin që ky shesh ka pësuar ndër vite. Sheshi ku dikur qëndronte statuja hijerëndë e Stalinit (sipas të cilit ka qenë emërtuar edhe kombinati) me dorën e ngritur në drejtim të kalimtarëve, mban sot emrin e heroit që bashkoi Italinë, Xhuzepe Garibaldi. Vetëm ky detaj mjafton për të kuptuar se erërat e historisë kanë ndërruar kah. Nga ajo kohë sheshit i ka mbetur vetëm bazamenti mbi të cilin ngrihej shtatorja e diktatorit sovjetik mbuluar nga bojërat, letrat e ngjitura e të grisura dhe grafiti. Aty tashmë ka disa stola ku pushojnë të moshuarit dhe kalimtarët e rastit si dhe një kënd lojërash ku luajnë fëmijët.
Ndërtesa e dikurshme e kombinatit sot është vënë në shërbim të minibashkisë nr. 6, disa familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre aty dhe Qendrës Tregtare të Kombinatit. Aty ku dikur duhej të prodhoheshin veshje për gjithë vendin, tregtohen sot produkte të firmave të huaja. Dhe ndoshta punonjësit e dikurshëm shkojnë e blejnë prej andej e dalin me çanta me veshje nga ajo derë nga ku dikur dilnin me rrobat e punës.
Pranë stacionit të urbanit ndodhet kafe “Garibaldi”, ku banorët, punëtorë dhe të papunë kalojnë orët e pushimit apo orët e papuna të ditës duke pirë një kafe të shpejtë apo të gjatë nën zhurmën e bisedave të mbushura me shqetësimet dhe gëzimet e përditshme. Nëse kalon atypari do të zënë veshët copëza diskutimesh të vrullshme mbi politikanët, ekonominë, çmimet dhe hallet e pambarimta që malet nuk i mbajnë por njerëzit po.
Pallatet tre deri në pesë kate në të dy anët e rrugës na kujtojnë kohën e themelimit të lagjes dhe formimit identitetit të saj si lagjja punëtorësh. Kështu ishte dikur sepse sot kombinatsit e rinj ndërtojnë jetët e tyre në vila minimumi dy-tre katëshe.
Kjo pamje se bashku me numrin e lartë të bankave, bizneseve, pikave të basteve dhe llotove, kazinove e kafeneve, gomisterive, parukerive etj., të krijon idenë e një cikli jetësor, me të mirat dhe të këqijat e veta, tejet të largët nga ai i para 20, 30 apo 50 viteve.
Kinostudio
E ndryshme prej ndalesave të tjera të kësaj trajektoreje që në themelim, lagjja është e fundit e boshtit të kryeqytetit. Këtu nuk duket sikur je ende në Tiranë, por në një nga ato qytezat e vogla “autonome” me identitet të pavarur. Zhurma e metropolit zëvendësohet nga qetësia e malit dhe njerëzve të pakët nëpër rrugë.
Ka diçka ndryshe dhe të çuditshme në të, ku kultura dhe arti kërkon të tregohet kokëfortë dhe t’i mbizotërojë harresës dhe rrëmujës së tranzicionit. Kinostudioja e dikurshme ruan godinën e vetë kryesore ende hijerëndë e kryelartë pavarësisht se vetëm si një kujtim i së shkuarës. Ndërsa hijeshia artistike i ka kaluar tashmë Akademisë së Filmit Marubi e cila na ofron art falas me vetë mënyrën e realizimit të ambienteve të jashtme.
“Deshën ta mbyllnin por studentët nuk i lanë”, na thotë punonjësi i oborrit duke na treguar historinë e një monumenti me kyça të kyçur në të, i ngritur në shenjë protestë ndaj mbylljes së akademisë disa vite me parë. Telat me gjemba që rrethonin shkollën studentët i kanë kthyer në një glob simbolik mbi monument si për të treguar që “rrethimi juaj nuk e mposht botën tonë”.
Banorëve këtu iu pëlqen të identifikohen me emrin e lagjes aq sa edhe bizneset e tyre, kafene e markete i emërtojnë si Bar apo Market Kinostudio. Edhe mes rrënojave të një lagjeje gjithnjë në ndërtim, shpirti artistik është identiteti i tyre i parë.

Vezhgim i holle. Ka ca gjera qe na bejne muuu perdite por here pas here duhen shkrime te tilla per ta na sjelle ne vete nga rutina e perditshme.