Ata që qarkullojnë rregullisht përmes urës Öresund mes Malmoes në Suedi dhe kryeqytetit danez Kopenhagës i indinjon pamasë rivendosja e kontrolleve kufitare.
Ajo kushton edhe para. Shumë njerëz, që deri tani lëviznin mes dy vendeve mes vendit të punës e vendbanimit, tani do të hasin në pengesa, aq sa atyre do t’u duhet të mendojnë të transferohen privatisht diku tjetër ose të gjejnë një punë diku tjetër. Rivendosja e kontrolleve kufitare rrezikon gjithashtu edhe rendimentin ekonomik në rajonet kufitare, të cilat prej kohësh janë zhvilluar bashkërisht.
“Shengen” ka marrë fund? – kjo është pyetja që shtrohet tani. Fshati i vogël i vreshtarëve Shengen në kufirin e Luksemburgut me Gjermaninë i ka dhënë emrin marrëveshjes për një Evropë pa kufij para tridhjetë vjetësh. Prej kohësh vreshtarët nga të dyja anët e lumit Mosel qarkullonin për t’u kujdesur për hardhitë e tyre midis dy vendeve, por tani ky vend rrezikon të kthehet në simbol të dështimit të Evropës.
Marrëveshja Shengen krahas Euros konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme të unionit. Prej shumë kohësh janë krijuar rajone të mëdha në zonat e kufijve të vjetër, ku dashuria, banimi, puna, arsimi zhvillohen në mënyrë të vetëkuptueshme përtej kufijve, atje ku jeta me binarë kufiri dhe kontrolle pasaportash ka kohë që i ka hapur rrugën një fqinjësie të shpenguar.
E gjitha kjo tani po rrezikohet, vetëm për të penguar fluksin e mëtejshëm të refugjatëve. Nëse qeveria suedeze do të vepronte me racionalitet, ajo duhej fillimisht ta kishte bërë këtë llogari: sa kushton rënia e ekonomisë në rajonet kufitare, sa i madh është dëmi për ekonominë e eksportit, dhe sa do të kushtonte pranimi i mëtejshëm i refugjatëve.
Por pikërisht këtu qëndron problemi. Nuk bëhet fjalë për argumente racionale, por për emocione: ndjenja e humbjes së kontrollit kombëtar, mbrojtja prej të huajve, kujtimi nostalgjik i një të shkuare, kur problemet gjoja thjesht mund të përjashtoheshin. Pavarësisht përparimit të Evropës së rritur së bashku në dekadat e fundit duket se mentaliteti i qytetarëve nuk ka ecur me të njëjtin hap.
Nëse ka vështirësi, ata e kërkojnë shpëtimin e tyre tek shteti komb i së shkuarës. Dhe politikanët në BE dorëzohen pa luftuar. Me përjashtim të Angela Merkel-it ata shtangen prej forcimit të populistëve të djathtë, pa u mbrojtur prej tyre. Në vend që t’u sqarojnë njerëzve, se sa shumë humbasin duke rivendosur binarët e kufirit, politikanët e të gjitha ngjyrave në Stokholm, Kopenhagë dhe Paris i nënshtrohen presionit nga e djathta.
Fiksimi ndaj Evropës Lindore si bastion i regresionit politik gjatë muajve të fundit na ka bërë që të mos shohim, se populistët e djathtë janë në mesin tonë. Ata janë të fortë edhe në veriun dikur liberal dhe shfaqen duke ngjallur frikë edhe tek fqinji në Francë. Forca e tyre shkatërruese tregon efekt pothuajse në të gjitha vendet europiane.
Në një sfond të tillë kancelarja me optimizmin e saj rrezikon të dështojë. Ajo beson në mundësinë e një rritjeje eksponenciale të kurbës së të mësuarit në Europë, kështu u shpreh ajo pak para Krishtlindjeve pas samitit në Bruksel. Sipas saj shumica e vendeve anëtare do ta kuptojë, që solidariteti në ҁështjen e refugjatëve është patjetër i domosdoshëm. Por deri tani nuk duket kështu. Përkundrazi: shumica e qeverive preferojnë më mirë të pranojnë dëmin ekonomik dhe politik, se sa të bashkëpunojnë në zgjidhje konstruktive, vetëm që të mos duken se po lëshojnë pe në çështjen e refugjatëve.
A mund të shpëtohet më Shengeni? Kontrollet e përbashkëta të planifikuara në kufijtë e jashtëm evropianë, një politikë e përbashkët e BE-së për refugjatët dhe shumë ide të tjera, për ta shpëtuar Evropën në kufijtë e hapur do të jenë të vonuara. Akordi i dyshimtë me Turqinë, që synon të kufizojë dyndjen e refugjatëve, deri tani nuk ka sjellë ndonjë lehtësim të dukshëm.
Përpjekjet për paqen në Siri janë rrezikuar prej konfliktit të fundit mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Perspektiva është e vakët. Viti nis ters për Europën dhe është e vështirë që në këtë gjendje të nuhasësh ndonjë shenjë optimizmi. Nëse nuk i dilet gjatë muajve të ardhshëm që të ndalet kjo dinamikë negative, 2016 mund të bëhet vërtetë një “annus horribilis” për Evropën. /DW/
