Në Tiranë u zhvillua mbledhja e 13të e ministrave të Komunitetit të Energjisë nën Presidencën e rradhës së Shqipërisë. Në këtë takim mori pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë Z.Edi Rama i cili mbajti një fjalë përshëndetjeje.
Gjatë diskutimeve të bëra dhe në konkluzionet finale, Komuniteti vlerësoi reformat e kryera nga Shqipëria në fushën e energjisë. Një realitet që e ka kthyer vendin në shembull edhe për shtetet e tjera të rajonit dhe më gjërë, që ndeshen me të njëjtat problematika të humbjeve të larta dhe arkëtimeve të ulëta. Pas takimit, para gazetarëve dolën në një konferencë për shtyp Komisioneri Evropian për Energjinë Z.Miguel Arias Canete, Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopaç dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Damian Gjiknuri.
Ata u pyetën nga gazetarët rreth debateve të fundit mbi çështjen e marrëveshjes së qeverisë shqiptare për zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit me CEZ a.s. “Komisioneri nuk bën komente për çështjet e brendshme të një shteti. Natyrisht, ne mendojmë se duhen zgjidhur konfliktet. Ne mendojmë se Shqipëria ka bërë progres përsa i përket kuadrit ligjor dhe sektorit të energjisë. Shqipëria është një nga palët e para kontraktuale të Komunitetit, me një paketë të mirë ligjore. Pra, pikërisht përsa i përket këtij komuniteti, Shqipëria po ecën përpara duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së”, u shpreh komisioneri Canete.
Ndërkaq, Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë Janez Kopaç deklaroi se zgjidhja miqësore e kësaj mosmarrëveshje ka qenë e një rëndësie tejet të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë, për të hapur rrugën drejt progresit dhe të modernizimit të vendit, drejt shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Natyrisht, ajo që mund të bëjmë ne është vetëm ta përgëzojmë qeverinë shqiptare që gjeti kurajon e duhur për të nënshkruar dhe për ta miratuar edhe në Parlament një zgjidhje të mirë, miqësore të kësaj mosmarrëveshje dhe që tani po ecën kaq mirë me reformat e energjisë”, theksoi Kopaç.
Në vlerësimin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri është fatkeqësi që debatet banale shqiptare duan të njollosin edhe institucionet e respektuara europiane. “Kjo është një traditë e keqe e një klase të vjetër politike shqiptare. Ajo që u theksua edhe sot, dhe që është bërë e ditur nga të gjitha institucionet financiare, përfshirë edhe institucionet e Bashkimit Europian dhe çdo partneri të interesuar për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në Shqipëri, ka qenë ndjekja e një zgjidhje miqësore, të shpejtë, në mënyrë që ti hapej rruga investimeve. Sektori pa investime do të ishte i vdekur. Do të thotë që Shqipërisë do ti kërcënohej një rrezik i madh energjetik, nëse zgjidhja nuk do të ishte bërë në kohën e duhur. Ja ku jemi dëshmitarë sot, që të gjitha këto reforma kanë në themel të tyre zgjidhjen e pronësisë mbi sektorin e shpërndarjes”, nënvizoi Z.Gjiknuri.
Shqipëria aktualisht mban Presidencën e rradhës së Komunitetit të Energjisë e cila drejtohet nga Ministri Damian Gjiknuri. Në Janar, sipas sistemit të rotacionit, Presidenca kalon në drejtimin e BosnjeHercegovinës.
